“Kërkojmë punëtorë”, reklama më e shpeshtë nëpër rrugët e Kosovës

Opinione

“Kërkojmë punëtorë”, reklama më e shpeshtë nëpër rrugët e Kosovës

Valdrin Nuredini Nga Valdrin Nuredini Më 28 shkurt 2022 Në ora: 17:19
Ilustrim

“Kohë e vështirë po e pret Kosovën. Nuk e kisha besu që pas 12 viteve do të detyrohem që të vendosë duart prapë në timon dhe të kthehem si vozitës i autobusëve”, kështu e fillon rrëfimin e tij, Rafet Murati, pronar i një kompanie autobusësh nga qyteti i Ferizajt.

Sipas Rafet Muratit, Kosova është duke e humbur fuqinë punëtore sepse shumë të rinj, përfshirë edhe ish punëtorë tij kanë vendosur që ta vazhdojnë jetën në evropë. Ai është shprehur se nuk do e mendonte kurrë që do të vinte një ditë që do të kthehej në punë si shofer i rregullt i autobusit. Kjo për faktin se vuan nga një sëmundje e boshtit kurrizor.

“Në vitin 2009 e kam kryer një operacion në boshtin kurrizor, kam vuajtur me vite nga problemet që më ka shkaktuar hernia diskale. Tash e 12 vite nuk kam punuar asgjë fizikisht, vetëm e kam udhëhequr këtë kompani. Brenda 2 viteve më janë larguar nga kompania 4 shoferë, të cilët më detyruan që të kthehem prapë në profesionin tim sepse nuk po ka punëtorë. Përndryshe asnjë ditë nuk kisha qëndru ulur në këtë karrige të shoferit”, shprehet i zhgënjyer Murati.

Sipas një hulumtimi nga Instituti EPIK, në periudhën 2008-2018, nga Kosova janë larguar rreth 529.647 qytetarë. Kosova është shndërruar në njërin prej vendeve të para në rajon sa i përket migracionit. Ndërsa vetëm në periudhën 2016-2018 vlerësohet se Kosova ka humbur rreth 2 për qind të popullsisë së vendit.

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka nxjerrë statistikat e aplikuesve për viza në periudhën nëntor-dhjetor të vitit 2021. Shifrat tregojnë se vetëm për gjatë 2 muajve kanë aplikuar më shumë se 105 mijë qytetarë për një vizë pune në Gjermani. Mesatarja tregon që 210 qytetarë kanë aplikuar për një 1 vizë punë sepse vetëm nga shteti i Kosovës do të lëshohen 500 viza pune për Gjermani brenda 2 muajve.

Shifrat tregojnë se trendi i largimit nga Kosova është një dukuri në rritje.

Shëndetësia, shkollimi, shërbimet shoqërore dhe në përgjithësi ngecja në zhvillimin ekonomik janë arsyet kryesore të largimit nga shteti. Për të thënë më thjeshtë, përmirësimi i cilësisë së jetës është argumenti më i fuqishëm i krejt historikut të largimit nga Kosova.

Një ndër sektorët më të prekur nga ikja masive e qytetarëve është ndërtimtaria. Burhan Gashi, pronar i një kompanie ndërtimore në Kosovë, me pak fjalë tregon se kanë mbetur shumë pak punëtorë në dispozicion.

“Para 6-7 viteve ne kemi punuar me kapacitet prej 20 punëtorëve sepse kishte punë, e punë ka edhe sot. Problemi kryesor me të cilin ballafaqohem unë si ndërmarrës është që punëtorë nuk po mundem me gjet. Njerëzit e kanë lëshu Kosovën, e sidomos kjo na ka prekur neve që jemi në sektorin e ndërtimit. Kam humbur shumë kontrata për ndërtim sepse nuk kam mundur të formoj grupe pune”, tha Gashi.

Ai tregon se janë ngritur edhe rrogat në sektorin e ndërtimit. Siç duket edhe ky ndryshim në pagesa nuk i ka bindur qytetarët e Kosovës të qëndrojnë këtu.

“Beso që rrogat i kam ngritur shumë në krahasim me vitet e kaluara por kjo nuk ka pas sukses aspak. Njerëzve nuk po i intereson vetëm rroga, kanë nevoja tjera dhe po e shohin Evropën si një mundësi më të mirë për me e rregullu jetën. Vitin e kaluar e kam ndryshuar pagesën edhe për mjeshtrit ama sigurisht edhe për punëtorët që janë vetëm ndihmës. Ka ardhur një situatë kur po duhet me shku në shtëpi me i pyet se a jeni të interesuar për punë. Në Kosovë unë nuk e mbaj mend që ka pasur më shumë punë se për momentin”, thotë Gashi.

Njëra ndër arsyet përveç atyre që i përmendëm më herët është edhe fakti se për shumë vite sektori privat ka qenë shumë i diskriminuar. Në një periudhë prej më shumë se 10 vitesh kompanitë në Kosovë kanë shkelur secilin akt moral sa i përket pagesave ndaj punëtorëve. Për të mos mjaftuar pagesa e ulët, problem tjetër me rëndësi ka qenë edhe orari i zgjatur që i kanë detyruar të punojnë, sigurisht pa kompensim.

Nëse është e drejtë të thuhet, ky është një bumerang që po ju kthehet kompanive në sektorin privat sepse tani qytetarët janë vetëdijesuar dhe nuk pranojnë të punojnë me paga të ulëta. Shumë prej tyre edhe janë në pritje të largimit nga Kosova në mundësinë e parë të ofruar.

Situata ka mbërritur kulmin sa ka filluar edhe ironia, dukë thënë se reklama më e shpeshtë nëpër Kosovës është parulla “kërkojmë punëtorë”.

Një ironi e rastit që tregon shumë për gjendjen në të cilën ndodhet Kosova.

Dhe ne vazhdojmë t’i kërkojmë punëtorët, të cilët vet i kemi larguar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat