Një vendim historik i Patriarkanës së Stambollit dhe përplasja gjeopolitike e kishave ortodokse

Opinione

Një vendim historik i Patriarkanës së Stambollit dhe përplasja gjeopolitike e kishave ortodokse

Nga: Shaban Murati Më: 18 maj 2022 Në ora: 23:11
Shaban Murati

Ligjësitë e gjeopolitikës po drejtojnë edhe veprimtaritë ndërkombëtare dhe marrëdhëniet midis kishave ortodokse në botën e sotme. Kjo shpjegon edhe thelbin e përplasjes së re të ashpër midis Patriarkanës Ekumenike të Stambollit nga njera anë dhe kishave ortodokse ruse dhe serbe nga ana tjetër.

Në datën 9 maj sinodi i shenjtë i Patriarkanës Ekumenike të Stambollit, i udhëhequr nga Patriarku Bartolomeu, si autoriteti më i lartë dhe qendror i ortodoksisë botërore, mori vendimin që të njohë si kanonike dhe të vlefshme në botën ortodokse kishën ortodokse të Maqedonisë së Veriut me emrin “Arkiepiskopata e Ohrit”.

Juridiksioni i Arkiepiskopatës së Ohrit do të shtrihet në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut. Ky vendim është një njohje e kishës kombëtare ortodokse të Maqedonisë së Veriut, pavarësisht se është hapi i parë i madh drejt procesit normal, që pritet të shkojë te dhënia e autoqefalisë asaj kishe.

Vendimi i Patriarkanës Ekumenike të Stambollit është zhvillim historik, sepse pas 55 vitesh të shkëputjes së kishës ortodokse të Maqedonisë së Veriut nga tutela  e kishës ortodokse serbe, Patriarkana e Stambollit njeh dhe sanksionon të drejtën e asaj si kishë ortodokse më vete, me juridiksion të plotë fetar në territorin e shtetit të vet.

Më parë këtë juridiksion në shtetin maqedonas e kishte kisha ortodokse serbe, e cila madje kishte krijuar për diversion fetar me një pseudokishë ortodokse serbe paralele në Maqedoninë e Veriut. Vendimi i ri i Patriarkanës së Stambollit përcakton se kisha ortodokse serbe duhet të rregullojë çeshtjet administrative me kishën ortodokse të Maqedonisë së Veriut, duke i vënë kufij të qartë të ndaluar ndërhyrjes së kishës serbe në misionin dhe në të drejtat fetare të kishës së njohur tashmë të Maqedonisë së Veriut.

Vendimi i Patriarkanës së Stambollit merr në konsideratë ndjeshmëritë politike dhe diplomatike të kishave dhe të shteteve fqinjë të Maqedonisë së Veriut lidhur me emrin dhe jo vetëm nuk ndërhyn në çeshtjen e emrit të kishës së atij shteti, por porosit se nuk do të përdoret emëri “maqedonas” për emërtimin e kishës së atij shteti, të cilën Patriarkana e njeh tani me emrin “Arkiepiskopata e Ohrit”.

Emërtimi mbetet një çeshtje e hapur për bisedime dhe marrëveshje me kishën ortodokse të Greqisë dhe me kishën ortodokse të Bullgarisë, të cilat kanë ndjeshmëritë dhe rezervat e tyre historike lidhur me emërin “maqedonas”.

Padyshim vendimi i Patriarkanës së Stambollit është në përputhje me aspiratat dhe të drejtat e patjetërsueshme të shtetit dhe të besimtarëve ortodoksë të Maqedonisë së Veriut për të pasur kishën e vet kombëtare të njohur. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski e përshëndeti vendimin, duke deklaruar se “megjithëse ky akt nuk don të thotë zgjidhje e statusit final dhe e emrit, hapi më i rëndësishëm është bërë”.

Darijan Sotirovski, kryetar i Komisionit qeveritar për dialogun ndërfetar, deklaroi në 13 maj se “ky është një vendim, që do të na japë më shumë rëndësi si komb dhe si shtet”.

Gazeta “Nova Makedonija” në 12 maj e përmblidhte kështu rëndësinë e vendimit të Patriarkanës së Stambollit: “Njohja e kryepeshkopatës së Ohrit si një subjekt i veçantë kishtar nënkupton njohjen e një subjektiviteti të veçantë kombëtar, që ndjenjat fetare dhe besimin e tij e ushtron në kishën e vet kombëtare”.

Duhet pranuar se vendimi i Patriarkanës Ekumenike të Stambollit është një akt i drejtë në përputhje me ligjësitë e zhvillimit historik të të drejtave të popujve dhe të shteteve kombëtare për të pasur kishën e tyre kombëtare. Në këtë rrugë të ligjshme, ky është vendimi i dytë i Patriarkanës pas vendimit të saj historik të 9 janarit 2019 të dhënies së Autoqefalisë për Kishën Ortodokse të Ukrainës.

Në këtë sens, vija e ndjekur nga Patriarkana Ekumenike e Stambollit nën drejtimin e Patriarkut Bartolomeu për njohjen e subjektivitetit kombëtar dhe ndërkombëtar të kishave kombëtare ortodokse shënon  dinamikën e duhur të një procesit historik të pandalshëm.

Është një vijë e drejtë largpamëse, me të cilën Patriarkana e Stambollit kontribuon për të neutralizuar efektet e politikës ekspansioniste dhe aneksioniste të kishave ortodokse hegjemoniste si kisha ruse dhe kisha serbe, të cilat ndjekin dhe zbatojnë me fanatizëm ambicjet e sundimit të Rusisë dhe të Serbisë mbi popujt, mbi shtetet dhe mbi kishat e tjera.

Kulmin e qendrimit agresiv antifetar dhe antinjerëzor po e shohim në përkrahjen e fuqishme, që kisha ortodokse e Rusisë dhe patriarku i saj Kirill po i japin agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës dhe po bekojnë masakrat dhe krimet e përbindëshme të ushtrisë ruse ndaj popullit dhe civilëve të pafajshëm ukrainas.

Kryesisht kisha ortodokse ruse, si kishë e madhe megallomane, dhe me pak kisha ortodokse serbe, si kishë e vogël, e pritën me një stuhi sulmesh dhe akuzash të pabaza vendimin e Patriarkanës së Stambollit për njohjen e kishës ortodokse të Maqedonisë së  Veriut. Sidomos kisha ortodokse ruse, që aspiron të jetë udheheqësja e botës ortodokse dhe nuk pranon autoritetin legjitim të Patriarkanës së Stambollit mbi të gjitha kishat kombëtare pavarësisht nga numuri i anëtarëve të tyre, ndërmori një fushatë masive ndërkombëtare kundër vendimit të Patriarkanës Ekumenike.

Kisha ortodokse ruse, e cila në mënyrë absurde ka prerë marrëdhëniet me Patriarkanën Ekumenike të Stambollit pas dhënies së Autoqefalisë për kishën ortodokse të Ukrainës, po e përdor vendimin e ri si pretekst për të sfiduar autoritetin panbotërore kishtar ortodoks të Patriarkanës Ekumenike.

Në 11 maj Nikolaj Balasov, nënpresident i departamentit të marrëdhënieve  me jashtë të Patriarkanës së Moskës, deklaroi se “Njohja e kishës së Maqedonisë së Veriut është ndërhyrje flagrante dhe e motivuar politikisht në kishën ortodokse serbe”. Sekretari për shtypin i kishës ortodokse ruse, Igor Jakimçuk, deklaroi për agjencinë zyrtare ruse “Ria” në 9 maj se “kisha ruse nuk e njeh vendimin për statusin e kishës në Maqedoninë e Veriut. Kisha ortodokse ruse vazhdon të njohë të drejtat kanonike të kishës ortodokse serbe në Maqedoninë e Veriut”.

Kisha ruse e sheh dobësimin e influencës dhe të kontrollit të kishës serbe si dobësim i influencës së kishës dhe të shtetit rus në Ballkanin Perëndimor. Kisha ruse përkrah varësinë e kishave ortodokse kombëtare në Ballkanin  Perëndimor nga kisha ortodokse serbe, sepse kisha serbe është instrument i kishës dhe i politikës së jashtëme ruse në Ballkanin Perëndimor. Organi i Unionit të gazetarëve ortodoksë rusë “spzh.ru” shkruante në 12 maj se “me legalizimin e “maqedonasve” Fanari vazhdon të përçajë ortodoksinë”.

Kisha ortodokse serbe, që si kishë e vogël që nuk mund të bëjë arrogantin me Patriarkanën e Stambollit siç bën kisha ruse, e shprehu publikisht refuzimin e saj për të pranuar vendimin e Patriarkanës së Stambollit në datën 16 maj, kur sinodi i kishës serbe u mblodh për të shqyrtuar situatën e re kishtare rajonale. Në komunikatën e tij në 16 maj sinodi njofton se ai pranon statusin e kishës ortodokse maqedonase “si status me autonominë më të gjërë brenda pavarësisë së brendshme të saj” në varësi të kishës serbe.

Duke lexuar kodin tipik bizantin të komunikatës së kishës ortodokse serbe, shohim të rreshtohen sulmet e kamufluara kundër vendimit të Patriarkanës së Stambollit, me referencat sikur vendimi i saj për kishën ortodokse maqedonase është marrë “në një interes gjeopolitik dhe si nismë e njëanëshme dhe si subjekt i një influence apo presioni të dikujt”.

Në nëntor të vitit 2021, kur qarkullonte në qarqet e mbyllura kishtare projekti i njohjes së kishës ortodokse maqedonase nga Patriarkana e Stambollit, vikari i patriarkut Porfirije të kishës serbe, peshkopi Anton Panteliç, adresoi kërcënimin se në qoftë që Patriarkana e Stambollit njëanëshmërisht vendos për autoqefalinë në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut kjo do të provokojë një ndarje të kishës serbe me Patriarkanën”.

Fushata e sulmeve dhe refuzimi i kishës ortodokse ruse dhe i kishës ortodokse serbe për të njohur vendimin dhe autoritetin legal dhe global të Patriarkanës së Stambollit nuk janë të rastit. Kemi dy kisha politike, që ndjekin një kurs të hegjemonisë dhe të kontrollit të tyre mbi kishat e tjera kombëtare. Janë dy kisha tipike politike, që zbatojnë interesat gjeopolitike të qeverive dhe të shteteve të tyre në rajone të ndryshme të botës.

Rusia dhe Serbia kanë qenë shtetet-qendra të krijimit të dy federatave shtypëse të popujve si Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia. Pas shembjes së këtyre dy federatave komuniste, Moska dhe Beogradi kanë bërë të pamundurën për të ruajtur kontrollin dhe hegjemoninë e tyre në shtetet, që dolën nga dy federatat. Një nga instrumentet kryesore të ruajtjes së ndikimit të tyre politik, ekonomik dhe strategjik, ka qenë dhe mbetet kisha ortodokse ruse për Moskën dhe kisha ortodokse serbe për Beogradin. Kisha ortodokse ruse dhe kisha ortodokse serbe janë përpjekur të mbysin çdo lloj organizimi dhe aspirate për kisha kombëtare ortodokse në shtetet, që dolën nga dy federatat.

Kisha ortodokse ruse u përpoq të mbyste kishën ortodokse kombëtare ukrainase dhe kisha ortodokse serbe u përpoq të mbyste kishat ortodokse kombëtare malazeze dhe maqedonase.

Nëpërmjet kontrollit direkt fetar mbi kishat kombëtare në Ukrainë dhe në Mal të Zi e në Maqedoni, kisha ruse dhe kisha serbe realizojnë detyrat e politikës së jashtëme dhe të gjeopolitikës ruse dhe serbe për ruajtjen e hegjemonisë së shteteve të tyre në një formë të re. Shtetet, që dolën nga federatat sovjetike dhe jugosllave, konsiderohen nga Moska dhe Beogradi të pavarura politikisht nga pikëpamja formale, por në planin fetar ato konsiderohen të varura dhe si provinca të Rusisë dhe të Serbisë. Kemi parë ndërhyrjen e paskrupullt dhe destabilizuese të kishës ortodokse serbe në Mal të Zi, për të mos lejuar  të drejtën e popullit dhe të shtetit malazez për të pasur kishën e vet kombëtare ortodokse.

Kisha ortodokse e Malit të Zi e ka pasur autoqefalinë përpara kishës ortodokse serbe, por Serbia e zhduku kishën malazeze pas pushtimit të Malit të Zi në vitin 1918, duke ia rrëmbyer të gjitha pronat, kishat, manastiret dhe objektet e shumta. Roli destabilizues politik i kishës ortodokse serbe në rajon u dënua në muajin mars edhe me rezolutë nga Parlamenti Europian, i cili akuzoi kishën serbe se “luan rol në krijimin e tensioneve midis grupeve etnike në Ballkanin Perëndimor për të rindezur konfliktet dhe për të përçarë komunitetet”.

Ndaj njohja e kishës ortodokse të Maqedonisë së Veriut nga Patriarkana Ekumenike e Stambollit si kanonike dhe të vlefëshme për gjithë botën ortodokse shkaktoi tërmet në kishat ekspansioniste ruse dhe serbe. Dy kishat e mësipërme po përjetojnë rrëshqitjen e terrenit gjepolitik fetar dhe strategjik të Rusisë dhe të Serbisë në zonat e dikurshme të influencës së tyre fetaro-politike.

Portali “orthodoxy.info” theksonte lidhur me vendimin e 9 majit: ”Shahmat i Patriarkut Botëror, që fshiu planet e boshtit ruso-serb për turbulenca të reja në Ballkan”.

Kemi dy lloje ligjësish gjeopolitike, që po përplasen njera me tjetrën midis kishave ortodokse në marrëdhëniet ndërkombëtare, përplasje që reflekton interesa të kundërta strategjike afatgjata. Përtej skenave kishtare, ku ndodhin zhvillimet, dhe përtej ikonografisë fetare të konflikteve rajonale apo ndërkombëtare, qendron gjeopolitika e interesave shtetërore.

Në këtë kuadër është e rëndësishme që kishat kombëtare ortodokse të mbështesin kursin e Patriarkanës së Stambollit për sanksionimin e së drejtës së çdo shteti për të pasur kishën e vet kombëtare. Kisha e huaj përfaqëson interesin e shtetit të huaj, që nuk përputhet me interesin e shtetit dhe të kishës kombëtare. Në këtë përplasje të madhe gjeopolitike midis kishave ortodokse është me rëndësi të veçantë që Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë të mbështesë vijën e Patriarkanës Ekumenike të Stambollit, sepse kjo linjë e pavarësimit të kishave ortodokse kombëtare i përgjigjet interesave gjeopolitike dhe strategjike të popullit, të shtetit dhe të kombit shqiptar.

Ndaj do të ishte e drejtë që Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë të njihte pavarësinë e Kishës Ortodokse Autoqefale të Ukrainës, e cila e ka marrë Autoqefalinë që para tre vitesh nga Patriarkana e Stambollit. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë duhet të kuptojë që interesi kombëtar dhe strategjik shqiptar është që ajo të njohë dhe të mbështesë kishën ortodokse të Malit të Zi si dhe Kishën ortodokse të Maqedonisë së Veriut.

Koha e kolonializmit fetar, të cilin kërkon ta mbajë gjallë me zor kisha ortodokse serbe dhe kisha ortodokse ruse, ka perënduar. Ndjekja e ligjësisë koherente gjeopolitike shkon në favor të progresit të popujve dhe realizimit të aspiratave të tyre të lirisë dhe të drejtës së besimit në kishat e tyre kombëtare./Dita

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat