Përse urrehet çmendurisht Berisha nga plot “të majtë”...?

Opinione

Përse urrehet çmendurisht Berisha nga plot “të majtë”...?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 10 shtator 2024 Në ora: 22:24
Xhevat Mustafa

Paradoksalisht apo shqiptarisht për veprimet, mosveprimet, gabimet që ka bërë gjatë këtyre 33 viteve e sidomos gjatë 13 viteve të qeverisjes së PD-së me partitë aleate, lideri i saj, Sali Berisha, si president(1992-1997) dhe si kryeministër(2005-2013), cilësohet dhe anatemohet nga “të djathtët” si “komunist” dhe “enverist” dhe nga “të majtët komunisto-enveristë-edramistë, si “ballist”, “fashist”, “kriminel”...!? Fantazia e ish sigurimsave, enveristëve dhe edramistëve, me traditë të pasur dhe përvojë të efektshme nga diktatura komuniste dhe skenarët e saj të shumtë ndaj “grupeve armiqsore” apo “armiqve të brendshëm e të jashtëm, imperialisto-revizionistë”, ka këputur jo rrallë herë frerët dhe “kumbulla krejt të pabëra”!? Ajo ka sajuar shpifje nga më të pabesueshmet dhe qesharaket...,edhe për Sali Berishën...Edi Rama me shokë e shoqe në Tiranë dhe në “Piramidën” Soros në Nev York, e kanë vazhduar këtë traditë me bindje të plotë se do të kishte sukses dhe efektshmëri tek populli shqiptar, “mendje mprehtë” e jo naiv si fëmijë, sa për shekuj nuk ia ka ngrënë asnjë qen shkopin, me përjashtim të partisë së zemrës dhe kryetarëve të saj gjatë 80 viteve të shekujve 20-21, domethënë gjatë një jete njeriu. Për deri sa i kishte besuar dhe brohoritur të gjitha përrallat e Enver Hoxhës për këta “armiq të brendshëm e të jashtëm”, do të besonte dhe përhapte në vend dhe në diasporë edhe sajimet dhe përrallat e Ramiz Alisë, Fatos Nanos, Gramoz Ruçit, Skender Gjinushit, Spartak Brahos, Fatos Klosit, Edi Ramës, Erion Veliajt, Taulant Ballës, Elisa Spiropalit, Tom Doshit, Frok Çupit, Mero Bazes, Baton Haxhiut, Carlo Bolinos, Lorenc Vangjelit, Dritan Hilës e Rudina Xhungës, Spartak Ngjelës, Kreshnik Spahiut,..., për Sali Berishën... Kjo histeri mendore, gojore, propagandistike, mediatike..., ndaj Sali Berishës ka nisur qysh kur ai u vu në krye të PD-së... e sidomos, pas 22 marsit 1992.

U egërsua dhe masivizua gjatë viteve 1992-1997, me kulm “kundërrevolucionin” bolshevik-zancaushist- serbo-grek-mafioz të 1997-tës, me hartë shtrirjeje, kryesisht në krahina, qytete, qyteza të përfshira në ish Zonën e Parë Operative të LANAÇL apo të Enver Hoxhës, jo rastësisht mbetur edhe sot e kësaj dite bastionet më të fortë të enverizmit dhe formës së tij të re të shfaqjes dhe veprimit, edramizmit...!? Sali Berisha nuk shpëtoi nga mallkimet, kritikat, fyerjet, pa fshehur edhe urrejtjen krahinore si verior apo si ”malok”, as pas qershorit 2013, kur humbi pushtetin politik në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 dhe pati kurajën të jepte dorëheqjen si kryetar i PD-së. Siç dihet, këtë post ia dhuroi Lulzim Bashës, një nga beniaminët dhe drejtuesit në PD më të investuar nga Berisha në vitet 2008-2020, duke e mbrojtur edhe kur gabonte, nuk e meritonte dhe ia kishte me të pabesë, deri në braktisje e mosmirënjohje, edhe në ditët më të vështira. Shpallja “non grata”, juridikisht dhe mediatikisht nga DASH, me rol të ndjeshëm nga Tirana qeveritare, identifikuar me emra, nga Edi Rama-Delina Fico- Erion Veliaj- Charles McGonigal, sulmet ndaj tij njohën një “bum” të ri, duke u kapur fort tek “korrupsioni”, por pa ia bërë publike për rreth 3 vjet. Nga 21 tetori 2023, odisejada Berisha, individualisht e familjarisht, po zhvillohet në zyra prokurorësh e salla gjykatash, tani kapur fort edhe tek “dega e fortë e pemës së madhe” në troje të veta, “Jamarber Malltezi”.

Pra, ky skenar mbi 33 vjeçar, kjo farsë apo maskaradë, me prapavijë apo paskulisa politike, u transferua qysh nga kjo ditë nga ekrane televizorësh, emisione informative radiosh, faqe gazetash, ambiente kafenesh e restorantesh, stola lulishtesh e bordura trotuaresh..., në arenën gjyqsore mbush edhe me enveriste me 3 emra dhe enveristë të hershëm apo të pas këtyre 11 viteve të Rama-rilindje-sorosiane-patronazhiste-qeverisjes...!? Nuk mund të mos çohet ndërmend dhe nuk mund të kundërshtohet kategorikisht se kalimi i urrejtjes patologjike ndaj Berishës nga armët fjalareske në ato ligjore është krejt pa lidhje me kërkesat prej tij për organizimin e protestave masive kundër Rama-qeverisë, me motive dhe kërkesa qytetare dhe kombëtare, sidomos për plotpushtetizimin e korrupsionit; për thellimin dhe shtrirjen horizontale të papunësisë, varfërisë, emigracionit, kriminalitetit, kanabizim-kullëzimit; për turravrapin e çmendur të çmimeve përballë rritjes me hapa breshke të pagave e pensioneve...

Por, edhe si shprehje kundërvënieje ndaj qëndrimeve, veprimeve dhe deklarimeve me doza të forta autokratizmi dhe paternalizmi të Edi Ramës ndaj Kosovës dhe individualisht Albin Kurtit, si kryeministër i saj. Po kështu, nuk mund të përjashtohet edhe pista se kjo hakmarrje politiko-juridike ndaj Sali Berishës si individ e si familje ka si shkak edhe rolin jo të pakët që ka luajtur ai dhe PD-ja e tij për demaskimin dhe dështimin e “Minishengenit ballkanik” apo të “Ballkanit të hapur”, një skenar plotësisht “Made in Serbia” e në favor të interesave të saj të vjetra e të reja për copa të reja Kosove dhe daljen, së bashku edhe me Rusinë e Putinit e të tufës së madhe të oligarkëve të tij, në Shëngjin, Durrës,...! Shpreh shumë për karakterin e shqiptarit, për mosmirënjohjen, mungesën e respektit e të kujtesës, fakti apo dukuria që Berishën e sulmojnë me vërejtje, kritika, përgojime, thashetheme, fyerje, ...edhe plot nga ata veriorë dhe jugorë, ardhur nga faqet e maleve dhe vendosur pa dokumente ligjore në toka me pronarë të dokumentuar ose shtetërore në periferitë e Tiranës, në ish kënetën e Durrësit dhe në qytete të tjera të vendit, sidomos ata bregdetarë. Dihet se falë ligjit 7501, sajuar dhe nisur në zbatim më 1991 nga Ramiz Alia dhe që duhej e mund të përmirësohej ndjeshëm nga qeverisja Meksi- Berisha, pas 22 marsit 1992, ata përfituan shpëtimin e përhershëm nga zonat e thella e të varfëra dhe vendosjen në qytete, me mundësi më të shumta për punësim, biznese dhe me kushte për strehim e jetesë më të mirë...!

Të mirëkuptohemi: as e mendoj dhe as apeloj që të ndjehen borxhlinj të përjetshëm, personalisht dhe familirarisht ndaj Berishës dhe qeverisjes së PD! Mund të vazhdojnë të mos e duan dhe votojnë si individ, si parti, si alternativë për rrotacion dhe qeverisjeje shumë më të mirë! Por, shpreh dobësi të ndjeshme e të qartë karakteri si dhe mungesë mirënjohjeje, që e kanë karakteristike e të natyrshme edhe kafshët e buta shtëpiake, si qentë e macet, "harresa" e kësaj të mire dhe vjellja vrerë në vend të heshtjes...! Mund të quhen të logjikshme e të pranueshme kritikat ndaj Berishës nga partiakë, politikanë, trashëgimtarë, qytetarë tifozë, mbështetës dhe votues..."të djathtë", për faktin se gabimet e tij në të vërtetë e në jetë, gjatë 13 viteve sa qe në pushtet, i kanë shërbyer më shumë "të majtës"! Logjikshëm lind e mund të shtrohet pyetja: po "të majtët" komunisto- socialistë përse e sulmojnë kur Berisha, gjatë 13 viteve të qenies në pushtet, u ka shërbyer edhe atyre në të vërtetë, dukshëm e ndjeshëm, jo pak me veprime dhe mosveprime, me ligje e vkm, favorizuese edhe për ata...!? Kjo shprehet edhe në jetë.

Në këta 33 vjet gjase DEMOKRACI e gjase pas komunizmit, të fituarit më të mëdhenj kanë qenë masivisht, individualisht dhe familjarisht me bij e bija, nuse e dhëndurë, nipër e mbesa, ish zyrtarë në KQ të PPSH-së, në Kryeministri, nëpër ministrira, në kryesitë qendrore të organizatave të masave; ish sigurimsa, ish prokurorë-persekutorë kafshërorë nëpër zyra e në qelira, pra, përgjithësisht gjase të majtët...Nuk mund të kundërshtohet kategorikisht se Berisha është bir apo mall i Shqipërisë komunisto-socialiste-enveriste; i realitetit dhe mentalitetit shqiptar të periudhës 1944-1990 si dhe i shoqërisë dhe diktaturës shqiptare të kësaj periudhe. Ai, si të gjithë shqiptarët e tre brezave në nëntor 1990, erdhi jo nga ndonjë planet apo kontinent dhe sistem tjetër, por nga kjo e kaluar shqiptare dhe diktatoriale, sa e ferrshme, aq edhe absurde, deri në unikale. Kjo nënkupton edhe mundësinë që të ketë tek ai, si tek shumica e shqiptarëve, edhe tek trashëgimtarë të gjallë të gjyshërve dhe baballarëve nga shtresa e të pasurve apo e të persekutuarve politikë, nacionalistë, ballistë, legalistë...,edhe një përzierjeje mendësish, ndjesish, tradicioni..., “simptoma virusesh” komunizmo- enverizmi, ballizmi, legalizmi, malësorizmi, bajraktarizmi,frankofonie,...! Nënkuptohet, se Berisha është gjetur si karrem, kartë apo sebeb dhe po shfrytëzohet, më së shumti trashë e keq, edhe duke nëpërkëmbur ligje e kushtetutë, për të sulmuar dhe dëmtuar edhe më shumë PD- në dhe opozitën. Siç u rishpreh edhe më 8 shtator 2024, në “fjalimin” me doza të larta patetizmi dhe agresiviteti frikësues të Edi Ramës në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, të cilës, në të vërtetë, i kanë mbetur vetëm emri dhe disa godina, “socialiste”, synimi final është shkatërrimi i tyre i plotë dhe “varrosja për së gjalli”, për të lehtësuar sa më shumë fitoren nga Rama me shokë e shoqe sorosianë, me oligarkë, “investitorë strategjikë”, inceneratoristë, patronazhistë...edhe të mandatit të katërt, të pestë...!?

Këtë “lojë të thjeshtë” nuk e kuptojnë vetëm foshnjet e porsalindura nëpër maternitete! Por, nuk duan ta kuptojnë edhe enveristo- edramistët, që prej 80 vitesh mendojnë, veprojnë, votojnë...me trutë e Enverit dhe të Edi Ramës, edhe pse i kanë pasur sytë në ballë e trutë në kokë për t’u bindur se PKSH-PPSH-PSSH ka 80 vjet që e ka sjellë e lënë Shqipërinë në këtë gjendje, ndër të fundit në Evropë e botë për treguesit e niveleve të zhvillimit, të pagave e pensioneve, të mirëqenies; të demokratizimit dhe të shtetit ligjor e social funksional; për zgjedhje të lira e të ndershme... e jo rastësisht, por me “strategji largpamëse”, edhe ndër të parat për të këqija, për varfëri e papunësi; për korrupsion dhe emigracion; për kriminalitet, trafiqe drogërash dhe pastrim parashë të pista, sidomos nëpërmjet kullëzimit dhe komplekseve të mëdha tregtare, turistike, të ndërtimit, industrisë ushqimore, me ortakëri edhe me bosë nga mafia shqiptare, ndragetase, serbo- ruse, greke, turke, arabe, amerikano-latine, amerikano-veriore...!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat