Luftë nervash duket se po zhvillohet në Kosovë. Mazhoranca hodhi propozimin për Albulena Haxhiun si kryetare e Parlamentit, opozita nuk e voton. Ndërkohë Albin Kurti nuk heq dorë nga kjo kandidaturë. Opozita sërishmi thotë se “nuk voton zonjën Haxhiu”! Justifikimi është se ajo “ka kërkuar të dënohen aferat korruptive të disa politikanëve në opozitë”! Madje ka këmbëngulur fort për këtë. Ajo ka kritikuar dërgimin e ligjit për konfiskimin e pasurive të paligjshme në Gjykatën Kushtetuese e kështu me radhë. Sa herë që gjykatat e Kosovës kanë dështuar në marrjen e vendimeve për dënimin e korrupsionit të prontistëve, Albulena Haxhiu nuk ka hesht.
Tani i ka ardhur radha opozitës për t’u hakmarrë. Nuk dëshiron që Haxhiu të bëhet kryetare e Kuvendit të Kosovës. Edhe mundet të mos e lejojë ajo këtë zgjedhje. Sigurisht që kjo nuk është fundi i botës. Po Albin Kurti pse nuk paraqet një kandidaturë tjetër të pranueshme për opozitën? Kam përshtypjen se nëse ai do ta tërhiqte kandidaturën e zonjës Haxhiu, do të propozojë sërishmi një kandidat të papranueshëm nga opozita. Sepse kryeministri në detyrë nuk dëshiron që formimi i institucioneve të vendit të dështojë në votimin e qeverisë së re që atij do t’i duhet t’ia propozojë presidentes dhe kuvendit. Autoriteti e prestigji i tij do të dobësoheshin, nëse ai dështon në formimin e qeverisë. Kësisoj ai ka vendosur që të luajë me kreun e parlamentit.
Opozitarët janë mendjengushtë. Nisen nga principi i hakmarrjes. Kënaqen kur e bllokojnë formimin e institucioneve pa arsye. Madje mburren me idenë se “janë të fuqishëm dhe kanë aftësi të bllokojnë zgjedhjen e kreut të parlamentit”! Muskujt në këtë rast bëhen arsye e mos arsyes. Logjika nuk ka rëndësi. Madje as interesat e Kosovës. Opozita nuk është e aftë të llogarisë gjithashtu se çfarë fiton dhe çfarë humb ajo vetë me qëndrimin e saj në bllokim të krijimit të institucioneve të vendit. Nëse partitë opozitare vazhdojnë të bllokojnë zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare e parlamentit, do të pësojnë dëme të konsiderueshme politike. Sepse ato nuk bëjnë llogari se çfarë fitojnë me këtë, përveçse kënaqjes së sedrës hakmarrëse. Në fund të fundit kreu i parlamentit është thjesht spiker i mbledhjeve të Kuvendit të Kosovës.
Nejse, ne jemi mësuar vazhdimisht të shohim se si politikanët shqiptarë, madje dhe liderët kryesorë, të kënaqin ambicien e tyre me metodat e bllokimit e bojkotit. Jemi mësuar që prej 123 vitesh të kemi politikanë që shohin të hunda e tyre dhe aspak përtej saj. Të vlerësojnë interesat e veta e jo të atdheut dhe kombit. Të bëhen heronj në luftën e brendshme politike e nga ana tjetër të kërkojnë pajtim me armiqtë e kombit shqiptar edhe kur ky armik e vazhdon me ngulm luftën kundër Kosovës. Këta jemi ne. Të mirët e botës e të këqijtë e vetvetes.
Por, nga kjo bllokadë i fituar do të dalë Albin Kurti. Jo Kosova. As opozita! Kurti fiton kapital politik, sepse elektorati do të fajësojë opozitën dhe në vend që ta kushtëzojë sërishmi zotin Kurti të qeverisë me koalicion, do ta autorizojë atë që i vetëm të formojë qeverinë e pas zgjedhjeve. Qytetarët do të mërziten me këtë zvarritje të krijimit të institucioneve në Kosovë dhe do të japë mandat të qartë. Nuk ka shans që këtë mandat të qartë ta marrë ndonjë nga partitë e opozitës. Në këtë aspekt duhet thënë hapur: - Institucionet dhe krijimin e tyre e bllokojnë mendjet e mbyllura. Nëse opozita do të ishte vërtet mendje-hapur dhe do të logjikonte në mënyrë racionale, atëherë ajo do të bashkëpunonte me Vetëvendosjen madje edhe për krijimin e qeverisë së re. Më e mira do të ishte duke u bërë pjesë e koalicionit. Do të fitonte ajo parti opozitare, e cila do të dilte hapur se është e gatshme të krijojë qeveri të përbashkët me Albin Kurtin. Nëse ky i fundit do të refuzonte, atëherë koston elektorale do ta paguante Vetëvendosja.