Profesioni i gazetarit profesional është i lidhur ngushtë me jetën e përditshme të njerëzve të të gjitha gjeneratave që frymojnë në një shtet. Duke parë joprofesionalizmin dhe mjerimin që po reflektohet në mjetet e tanishme të informimit, shpesh më kthehet nostalgjia për të kaluarën, për nivelin e mëhershëm të mediave në Kosovë.
Më kthehet nostalgjia për ditarin e mbrëmjes në Radio Prishtinën e atëhershme, kur audienca kosovare me ëndje i dëgjonte lajmet, raportet, intervistat, vështrimet dhe komentet e gazetarëve të shkolluar, të ngritur, të përgatitur e të pjekur, të cilët mbeten të papërsëritshëm.
Shpesh më rikthehet kjo ndjenjë duke kujtuar edhe ditarin e Televizionit të Prishtinës, medium që ishte një akademi e vërtetë e politikës programore, e cila mbajti gjallë shpresën dhe idealet e shqiptarëve për t’u përballur me sfidat e jetës në të gjitha drejtimet. Intervistat dhe debatet që organizoheshin sipas skemës programore, qoftë në Radio Prishtinë, në Televizionin e Prishtinës apo në gazetën “Rilindja”, kishin domethënie dhe kuptim shumëdimensional, me mesazhe të qarta në shërbim të audiencës.
Më rikthehet nostalgjia për emisionet e ndryshme me përmbajtje të pasur edukative, me kulturë, me intervista dhe reportazhe nga fshati, nga fabrikat e prodhimit, nga arat ku punohej toka, nga horizontet e minierave të Trepçës, Kishnicës e Novobërdës.
Këto emisione i tejkalonin standardet e vendeve të Ballkanit dhe mund të krahasoheshin me ato të shteteve të zhvilluara. Kur i krahasoj këto dy epoka të gazetarisë, jam shumë skeptik për gjendjen aktuale në mediat e Kosovës. Sot, këto mediume që kanë në dorë sektorin e informimit qëndrojnë larg nivelit të domosdoshëm që kërkon koha. Përgatitja profesionale e gazetarëve, kameramanëve dhe producentëve është larg standardeve të mirëfillta të profesionit.
Në vend të ngritjes profesionale të informimit, një pjesë e madhe e mediave e kanë shndërruar si kauzë kryesore interesin material dhe financiar.Situata është edhe më dramatike në mediat private, të cilat funksionojnë nën patronatin e biznesmenëve apo tregtarëve, ku interesi parësor është fitimi dhe jo zhvillimi e përsosja e gazetarisë profesionale.
Për shkak të kësaj gjendjeje, çdo ditë e më shumë qytetarët shprehin indinjatë ndaj lajmeve, emisioneve dhe debateve politike, të cilat nuk kanë vlera edukative, artistike apo kulturore për t’i shërbyer shoqërisë. Përkundrazi ato po e helmojn popullin permes debatave të ashtuquajtura politike të cilat po ndikojn negativisht edhe në raportet ndërmjet njerëzve që jetojn në këtë vend.