Në Kosovë kemi filluar të mësohemi me krizën. Kriza politike vjen, pasohet nga kriza institucionale, pastaj shfaqen pasojat ekonomike e sociale dhe, në fund, rritet edhe mosbesimi i qytetarëve. Një krizë nuk përfundon gjithmonë me zgjidhje, shpesh ajo vetëm konvertohet në një krizë tjetër.
Prandaj pyetja kryesore sot nuk është vetëm, pse kemi krizë? Por, pse po prodhojmë krizë pas krize?
Kur politika nuk arrin të gjejë kompromis, bllokohen institucionet. Kur bllokohen institucionet, vonohet vendimmarrja. Kur vonohet vendimmarrja, rritet kostoja për qytetarin. Dhe kur qytetari humb besimin, kriza politike nuk mbetet më vetëm problem i partive, ajo bëhet problem i shtetit.
Këtu qëndron edhe paradoksi i politikës sonë, në vend që kriza të zgjidhet, ajo shpesh përdoret për të prodhuar krizën e radhës. Në vend të kompromisit kemi përplasje, në vend të përgjegjësisë kemi akuza, ndërsa në vend të zgjidhjeve kemi një garë të pafundme për fajtorin.
Por shteti nuk mund të qeveriset përmes krizës.
Kriza ekonomike nuk zgjidhet me deklarata politike. Kriza sociale nuk zgjidhet me retorikë. Kriza institucionale nuk zgjidhet duke bllokuar institucionet. Ndërsa kriza politike nuk zgjidhet duke e konsideruar çdo kundërshtar si pengesë për t’u eliminuar.
Kjo është ajo që mund ta quajmë konvertimi i krizave, një krizë e pazgjidhur krijon kushtet për krizën tjetër. Dhe kur kjo përsëritet vazhdimisht, kriza rrezikon të bëhet normalitet politik.
Kosova nuk ka nevojë për një politikë që vetëm e menaxhon krizën pasi ajo shpërthen. Ka nevojë për një politikë që e parandalon atë. Institucionet duhet të prodhojnë zgjidhje, jo bllokada, politika duhet të prodhojë stabilitet, jo pasiguri.
Në fund, pyetja është e thjeshtë, por përgjigjja është e rëndë, nëse vazhdojmë të prodhojmë krizë pas krize, a po e menaxhojmë krizën, apo po e bëjmë krizën mënyrë qeverisjeje?