Vija e Teodosit i kushtoi shtrenjtë integritetit etnokulturor të shqiptarëve!

Opinione

Vija e Teodosit i kushtoi shtrenjtë integritetit etnokulturor të shqiptarëve!

Nga: Dr.Nijazi Halili Më: 6 nëntor 2017 Në ora: 09:26
Nijazi Halili

Në fund të shekullit të IV kur Perandori Teodosius ndau Perandorinë në dy pjesë të pavarura në Perandorinë Romake të Perëndimit, me kryeqytet Romën dhe në Perandorin Romake të Lindjes me kryeqytet Kostandinopojën. Vija ndarëse ndërmjet këtyre dy pjesëve të Perandorisë i ra mes përmes Ballkanit,duke i ndarë edhe fiset Ilire që ndodheshin tej e mbanë Gadishullit.

Kjo ndarje, që ka ngelur tanimë në histori si “vija e Teodosit” do t,i kushtonte mjafte shtrenjtë integritetit etnokulturor të shqiptarëve në kohet që do pasonin. Kështu që, nga Iliria,vetëm provinca e Panonias me qendër Shkodrën mbeti nën Perandorinë Romake të Perëndimit, ndërsa dy provincat e tjera ilire, Dacia dhe Macedonia ngelen nën Perandorinë Romake të Lindjes.

Në shekullin e VII, filloi dyndja masive e Sllaveve në Ballkan. Sllavët u vendosën me së shumti në pjesën e Perandorisë Romake të Lindjes, pra në Perandorinë Bizantine me qendër Konstadionopojen. Dyndja sllave ishte kaq masive, e vrullshme dhe dinamike sa që pështjelloi gjithë kompozicionin e hartës etnokulturore të Ballkanit. Kur Perandoria Bizantine ndërmori kundër ofensivën e saj për të venë nën kontroll këtë Rajon ishte thuajse e pamundur të ndryshohej situata. 

Gjithsesi, edhe kësaj situate barbare shqiptarët i mbijetuan, ndonëse duke u tkurrur në mënyrë të konsiderueshme në territore gjithnjë e më të vogla dhe të vendosura në pjesën Perëndimore të Ballkanit. Kjo konsiderohet periudha më e vështirë dhe më me pak gjurmë e të dhëna për shqiptarët. Pikërisht duke hulumtuar këtë periudhë të Mesjetës së mesme, albanologu Milan Shuflai shkruan:“Në shekullin XI shkrimtarët bizantin, duke përshkruar kryengritjet që patën burimin në Durrës , përmendin për herë të parë shqiptarët(albanoi, alabnital). Atë kohë këto përbenin një pjesë të rëndësishme të ushtrisë që kryengritësit Maniak(1042) dhe Basiliak(1078) ngritën kundër perandorëve të Konstadinopojes. Prek kaosit etnik të Ballkanit ,të mbuluar nën hijen politike të Bizantit , dallohet dhe hynë në histori një popull jashtëzakonisht interesant.

Baza etnike e këtij populli në kohën e lashtë ishte një faktor i fortë i historisë, i cili njihej nën emrin Ilir.Prej njëfarë kohe , pështjellimet e gadishullit Ballkanik bënë që ky popull të zhdukej nga sytë e historishkruesve ; por në mënyrë të padukshme ai bashkëpunonte në lulëzimet gjuhësore folklorike të kombeve Ballkanike. Dhe kur me në fund u shndërrua në emrin shqiptar , ai dhe provat e reja të fuqisë së vet krijuese. Si Basket në Prienj, si Keltet në Irland e Wells, si Tuareget dhe Kabilet në Atlas dhe si mbeturinat e shumë kombeve në Kaukaz, edhe shqiptarët ,të mbrojtur prej maleve,janë formë madhështore e vjetër. Ata nuk janë kurse si relikte të ngurosura e të pafuqishme, por grumbull kombëtar i gjallë”. 

Lëvizjet etnike , politike e ushtarake të Shekullit XI rezultojne me një ndryshim të thellë në aspektin spiritual kulturor të Ballkanit. Pikërisht në atë periudhë , u realizua ndarja zyrtare ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse Lindore .Zonat e tyre të influencës filluan të ndahen e të përcaktojnë konturë përherë e më të dalluar.

Ndarja midis dy kishave iu përmbajt “vijës së Teodosit”, çka do të thoshte shtrirjes mes për mes tokave të shqiptarëve. Kisha Katolike ruajti influencën e vet në pjesën Veriore të shqiptarëve me qendër në Shkodër. Kisha Ortodokse Lindore ruajti influencën e vet në pjesën jugore të shqiptarëve. Kështu, mund të thuhet se pas ndarjes së Perandorit Teodos, ndarja e dy kishave gjithashtu do të sillte pakte të konsiderueshme në integritetin etnokulturor të shqiptarëve në kohët që do pasonin.

Autori: Dr.Nijazi Halili, Historia e Diplomacisë Shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat