Kosova si plaçkë lufte, pronë private

Opinione

Kosova si plaçkë lufte, pronë private

Nga: Sadik Elshani Më: 22 gusht 2018 Në ora: 12:14
Sadik Elshani

“Luftën e bëjnë heronjtë,

Qeverisin maskarenjtë,

Ndërsa përfitojnë horrat.”

Victor Hugo (1802 – 1885)

Gjendja kaotike në skenën politike të Kosovës, sjellja dëshpëruese e udhëheqësve tanë, vrapi pas pasurimit të paligjshëm, paaftesia e tyre për të ndërtuar institucionet funkcionale demokratike, për të mirëqeverisur vendin, gatishmëria e tyre për të bërë kompromise të dëmshme për Kosovën që ngriten në shkallën e tradhtisë kombëtare, sikur i japin një kuptim domethënës e konkret, sikur e vërtetojnë atë shprehjen e shkrimtarit të njohur francez, Victor Hugo (1802 – 1885):

“Luftën e bëjnë heronjtë,

Qeverisin maskarenjtë,

Ndërsa përfitojnë horrat.”

Sindromi i heroit

Janë këta njerëz oportumistë që e presin atë rastin e duhur për t’i përmbushur andrrallat, ambicjet e tyre të sëmura për lavdi e pushtet. Prandaj nuk është e rastit që shumica e tyre përbëjnë të ashtuquajturin: “krahu i luftes”, apo thënë më mirë, krahu i përfituesve të luftës dhe përdhunuesve të lirisë. Duhet patur kujdes nga ata njerëz që papritmas paraqiten në skenën politike, apo mundohen të bëhen pjesë e një lëvizje kombëtare e që deri dje nuk i ka njohur askush. Këta njerëz, siç po na dëshmon edhe vetë jeta, në këtë tollovi, kohën e luftës, e kanë parë mundësinë për t’i mbuluar dështimet e tyre në jetë, për t’u treguar se janë dikushi, sepse gjer atëherë, dhe siç jane edhe sot, janë askushi. Këtu e kam fjalën për përfituesit e luftës, zhvatësit dhe jo për ata që kanë luftuar me përkushtim, trimëri e atdhedashuri, sepse një pjesë e tyre tani prehen në botën e lavdisë së përjetshme, ndërsa të tjerët jetojnë me dinjitet. Si në luftë, si në paqe, heroi i vërtetë mbetet hero, ndërsa horrat nën maskën e heroit janë më të rrezikshëm se ujku nën lëkurën e qengjit. Një pjesë e mirë e njerëzve tanë vuajnë nga sindromi i heroit, ajo shtytja për t’u treguar, për të qenë dikushi: shpëtimtarë të kombit e atdheut. Atdhetarët luftojnë për atdhe, ndërsa mercenarët për para e poste qeveritare. Prandaj, edhe këta udhëheqësit tanë sillen sikur Kosova për ta është një plaçkë lufte, pronë private. Menjëherë pas luftës Kosova u mbulua me parullat e shëmtuara: “Pronë e UÇK-së”. Pra, për këtë paskan luftuar këta “atdhetarë”, për pasurim të paligjshëm?! Dhe sot një pjesë e tyre mundohen që ta shfrytëzojnë shtetin e varfër dhe kërkojnë pensione për “sherbimin” e tyre nda atdheut. Të kuptohemi, një njeri që ka sakrifikuar për atdheun dhe sot nuk është në gjendje që ta mbajë veten dhe familjen, gjithësesi duhet të ndihmohet, t’i sigurohet jeta, por pjesa dërmuese që janë të aftë të punojnë, duhet të punojnë e të mos i bëhen barrë shtetit të ri e të varfër. Nëse gjithë këta luftëtarë të listave të stërfryera paskan luftuar, atëherë si është e mundur që serbët kanë mundur t’i vrasin gjithë ata shqiptarë, të dhunojnë gjithë ato femra shqiptare, ta dëbojnë nga Kosova shumicën e popullsisë së saj?! Fjalët dhe veprat nuk po përputhen, kësaj i thone mashtrim, turp. Është koha që heroin ta quajmë, hero e horrin, horr. Ja, për hir të argumentit ta zëmë se disa nga këta paskan luftuar si luanë, por për trimëri jepet medalja dhe jo postet e pamerituara qeveritare, nuk i jepet vetes e drejta për të abuzuar, për ta përvetësuar pronën shoqërore, për ta shkatërruar vendin. Isa Boletini nuk pranoi asnjë post qeveritar. Atdhetarët e vërtetë gjatë gjithë historisë sonë e kanë shkrirë pasurinë e tyre për çështjen kombëtare, ndërsa këta “çlirimtarë”, komandantë të “Frontit, të fushëbetejave të Rognerit” kanë grumbulluar pasuri marramendëse në kurriz të një populli, shteti të varfër, duke u bërë bartës të dukurive më të shëmtuara të shoqërisë kosovare: krimit, korrupcionit, intrigave... Dhe këta maskarenjë thirren në emrin e gjakut të dëshmorëve, sepse ata i kanë pronësuar edhe veprat e tyre, sakrificat sublime në shërbim të interesave të tyre, të klaneve të tyre mafioze. Vetëm shiqoni me çfarë mosperfillje e arrogance sillet i pari i vendit, z. Hashim Thaçi, as që do të dëgjojë për asgjë e për askend, bën pazarllëqe vdekjepruese (fatale), thua se Kosova është prona e tij, plaçka e luftës. Ndërrimi i sundimtarëve të huaj me sundimtarë vendas nuk ia zvogëlon hallet popullit të shumëvuajtur. Përkundrazi, ia shuan edhe atë pikën e fundit të shpresës për një jetë më të mirë, një të ardhme të ndritur.

Familjarët e dëshmorëve ta ngrenë zërin

Familjarët e dëshmorëve duhet ta ngrenë zërin kundër këtyre dukurive negative, kundër kësaj klase politike banditeske, sepse më të dashurit e tyre kanë luftuar dhe e kanë flijuar jetën e tyre për një Kosovë të pavarur, të lirë e demokratike dhe të mos lejojnë që këta kapës të shtetit ta baltosin veprën e bijave dhe bijve më të mirë të Kosovës. Këta shtiren si shokë në armë të atyre që ranë për liri, por në të vërtetë nuk janë, madje në disa raste ata janë edhe vrasësit e tyre. Tani po u dalin të palarat ne shesh. Për fat të mirë, në Kosovë ende janë të pranishme forcat ndërkombëtare, se për këta njerëz me mendësi fisnore e kapadaiste, jeta në Kosovë do të bëhej e padurueshme. Por, edhe mosangazhimi i intelektualëve, njerëzve të ndershëm në jetën politike të vendit ka krijuar një zbrazëti dhe këtë situatë janë duke e shfrytëzuar me mjeshtëri këta dështakë, këta maskarenjë. As vetë populli nuk është i pafajshëm, sepse dikush po i zgjedh këta njerëz, nuk po na pikun nga qielli, por kanë dalur nga gjiri i këtij populli. Bukur e qartë e ka thënë romancieri, eseisti, publicisti e kritiku anglez, George Orëell (1903 – 1950):

“Një popull që zgjedh në krye të vendit njerëz të korruptuar, hajdutë, maskarenjë e tradhtarë, nuk shtë viktimë, por bashkëpunëtor i tyre.”

Dashuria për atdhe duhet të jetë e pakufijshme dhe e pakushtëzuar. Atdheut gjithmonë i kemi borxh, ndërsa atdheu kurrë nuk na ka borxh për asgjë. Ka ardhur koha, madje edhe kaluar, që këtyre “komandantëve”, “çlirimtarëve” zaptues t’u drejtohemi me fjalët e një komandanti të vërtetë, gjeneralit emblematik amerikan, George Patton (1885 – 1945):

“Nëse keni luftuar për këtë tokë që gjithë jetën të merrni para, atëherë tregoni sa kushton kjo dashuri që t’ju paguajmë, dhe merrni plaçkat e shkoni atje ku atdheu mund të blehet me para.”

Askush nuk ka nevojë që ta rrahë gjoksin për “bëmat” e tyre, sepse atdheu e di fort mirë se kush ka luftuar për të. Vendi yne nuk ka nevojë për baballarë, por ka nevojë për shërbesëtarë që e ulin kokën dhe punojnë për të mirën e tij.

Autori është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat