Itinerari i Pavarësisë

Opinione

Itinerari i Pavarësisë

Nga: Gani Qarri Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 10:58
Gani Qarri

Megjithëse në marrëveshjen e fshehtë të nënshkruar ndërmjet Rusisë dhe Perandorisë Austo-Hungareze,më 15 janar të vitit 1877 në Budapest, Rusia u detyrua të bënte disa lëshime dhe përveç Rumanisë e Bullgarisë, me këmbënguljen e Austro-Hungarisë, e drejta për krijimin e një shteti autonom brenda Perandorisë, sikur u pohua edhe për Shqipërinë, vet mosnjohja e shqiptarëve si popull dhe Shqipërisë si territor nga Rusia, lanë çdo gjë të hapur dhe një pikëpyetje të madhe për të ardhmen e kombit tonë.

I pari i cili do ti kuptonte rreziqet e vërteta nga qëndrimet dubioze të Rusisë ndaj shqiptarëve, ishte Ismail Qemali, njëri nga intelektualët dhe diplomatët më të shquar të kohës në oborrin e Sulltan Hamitit të II-të. 

Ai vlerësoj shpejt dhe me kohë edhe krizën më të thellë që në fund të shekullit XIX, pritej ta përfshinte gjithë Perandorinë Osmane, krizë e cila fatkeqësisht, pikësëpari kërcënonte drejtpërsëdrejti shqiptarët dhe tokat e tyre autoktone.

Menjëherë pas shpërthimit të Luftës Ruso-Turke, në prill të vitit 1877, zhvillimi i ngjarjeve në rajon tregonte se shpërbërja e Perandorisë osmane, jo që ishte vetëm pyetje kohe, por pritej edhe copëtimi i territoreve të saj, nga Fuqitë e Mëdha,gjë që më së rëndi prekte shqiptarët, për faktin se gjendja e krijuar,pikërisht ata i kishte gjetur tërësisht të papërgatitur.

Rusia me qëndrimet e ashpra e tendencioze për mohimin kategorik të ekzistencës së popullit shqiptar dhe mospranimin e territoreve të Shqipërisë nga ana e saj, jo vetëm që rrezikonte seriozisht tërësinë tonë territoriale, por synonte me këmbëngulje edhe shuarjen e përhershme të çështjes sonë kombëtare, daljen e Serbisë në bregdetin shqiptar dhe dominimin rus në Ballkan.

Ndaj Ismail Qemali, i cili konsiderohej si diplomat shumë largpamës dhe njëri ndër personalitetet më të zgjuara në Perandorinë otomane, duke parë rreziqet që kërcënonin shqiptarët me shkatërrimin e kësaj Perandorie, pa vonesë, filloi përpjekjet për bashkëpunim me intelektualë dhe patriotët më të shquar të kombit kudo që ata vepronin, për organizimin e mbrojtjes së trojeve shqiptare dhe gjetjen e mundësive për zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare.

Po ky burrështetas, në vitin 1897, do t’i dërgonte një promemorie edhe Sulltan Hamitit të dytë, me anë të së cilës i kërkonte futjen e reformave që mund ta ruanin edhe për një kohë tërësinë tokësore perandorake e me këtë shpresonte edhe në shpëtimin e tokave shqiptare nga gllabërimet e shpejta prej fqinjëve shovenistë, duke synuar që brenda asaj kohe shqiptarët të bënin shpalljen e një shteti autonom në kuadër të Perandorisë, pasi që edhe Evropa dhe bota, ende nuk pranonin krijimin e një shteti më vete, të shqiptarëve në Ballkan.

Por megjithëse promemoria në fjalë gjeti jehonë deri te vet qeveritarët e Perandorisë dhe idetë e stërholluara të Ismail Qemalit pranoheshin me dëshirë nga udhëheqësit perandorak dhe Sulltani sa u takonte interesave të tyre, kërkesa për bashkimin e katër vilajeteve dhe krijimin e një shteti autonom shqiptar në kuadër të Perandorisë– ani pse nuk kundërshtohej nga shumica e Fuqive të Mëdha, e armiqësoi aq shumë Ismail Qemalin me Sulltan Abdyl Hamitin e dytë, i cili ishte kategorik kundër cilësdo formë të shtetësisë shqiptare, sa që si masë ndëshkimi, sulltani vendosi ta transferonte në Tripoli Ismail Qemalin.

Por vendimin e Sulltanit për transferim Ismail Qemali e shihte me rrezik për jetën dhe kurth për eliminimin fizik të tij, ndaj vendosi që në vitin 1900, me ndihmën e konsullatës angleze,përfundimisht të arratisej nga Stambolli, duke shkuar së pari në Athinë ku u takua me mbretin grek Jorgji.

Takimi me mbretin grek, do ta përcillte Ismail Qemalin si hije e zezë gjatë gjithë jetës, sidomos pas vrasjes së 4000 – e disa shënime flasin edhe për 7000 – regrut të rinj shqiptar nga jugu i Shqipërisë, që atëbotë shërbenin si nizam të Perandorisë turke në tokat tona që sot gjenden nën sundimin e Greqisë, të cilëve Ismail Qemali pas nxitjes nga mbreti grek Jorgji, u kishte bërë thirrje të iknin nga radhët e ushtrisë otomane, por pas tentimit të tyre për dezertim, të gjithë ata 4000-7000 djem të rinj shqiptar, do të vriteshin me urdhër të gjeneralit gjakatar turk, Xhavit Pasha.

Faji për këtë tragjedi kombëtare do t’i hidhej Ismail Qemalit, bazuar në dyshimin se gjatë qëndrimit të tij në Athinë, pikërisht ai kishte arritur një marrëveshje të përfolur konspirative me mbretin Jorgji të Greqisë, për kalimin e Shqipërisë së jugut nën pushtimin grek.

Ndaj dhe u kishte bërë thirrje regrutëve shqiptar që të dorëzonin armët dhe dezertonin, për ç ‘gjë Xhavit Pasha i pushkatoi që të gjithë.

Dhembje e madhe kjo dhe flijim aq tragjik, sa që nuk do të harrohej gjatë dhe kujtohej për vite e dekada me radhë.

Perandoria e atëhershme otomane, pas luftës ruso-turke, siç parashihej nga intelektualët e kohës, pa reforma të menjëhershme pritej të shkatërrohej shpejt dhe pashërueshëm nga kryengritjet dhe luftërat në rritje, që kishin shpërthyer kundër saj gjithandej.

Ndërsa fati më i keq, mjerisht e priste Shqipërinë, e cila me bekimin e fuqive të mëdha, ishte e para që do të copëtohej nga vendet hegjemoniste fqinje, të cilat prisnin me padurim për t`iu vërsulur si ujku gjahut dhe gllabëruar sa më parë,tokat e saj nga të gjitha anët.

Ndaj gjendja e krijuar detyroi atdhetarët shqiptarë kudo, e sidomos Hasan Prishtinën, i cili edhe ishte më i zëshmi me vërejtjet e tij në Parlamentin turk, se nëse nuk do të pranoheshin kërkesat e arsyeshme të shqiptarëve për një shtet autonom në kuadër të Perandorisë, ai i pari do ti printe luftës, gjë që ashtu edhe do të ndodhte që nga fillimi i saj dhe në bashkëpunim me Bajram Currin e Isa Buletinin, do ta parapërgatitnin me kohë popullin për kryengritje të përgjithshme kombëtare.

Edhe Ismail Qemali në anën tjetër, duke parandjerë zhvillimet që priteshin të ndodhnin, kishte vendosur që sa më parë të largohej nga Perandoria dhe bashkë me atdhetarët shqiptarë, kudo që ata vepronin, të përpiqej për shpëtimin e atdheut.

Sipas raportit të konsullit austriak në Vlorë, dërguar në maj të vitit 1900, në Vjenë të Austrisë, Ismail Qemali bashkë me tre djemtë e tij do të arratisej po atë vit nga Stambolli dhe Perandoria otomane për t’u konsultuar me patriotët shqiptarë në vendet evropiane të cilët ishin të gatshëm të luftonin për çlirimin e Shqipërisë.

Fal përvojës dhe karrierës së tij të bujshme diplomatike, inteligjencës dhe njohjes që kishte me politikanë, ambasadorë e diplomatë të vendeve të ndryshme në Evropë e më gjerë, Ismail Qemali pati sukses jo vetëm në takimet me bashkëatdhetarët, por edhe në përpjekjet e tij diplomatike për mbështetjen e shtetit të ardhshëm kombëtar të cilin shqiptarët ëndërronin ta krijonin së shpejti.

Fillimisht Ismail Qemali vizitoi disa vende evropiane, ku përgatiste opinionin për shtetin autonom,duke paralajmëruar njëkohësisht rrezikun e copëtimit të trojeve etnike shqiptare nga vendet hegjemoniste fqinje, të cilat nxiteshin që në atë kohë me të madhe nga Rusia për pushtimin e tyre.

Pas disa muajsh lobimi,nga mesi i tetorit të vitit 1900,Ismail Qemali do të kërkonte nga shqiptarët kudo që ata të unifikoheshin për krijimin e shtetit të tyre autonom në kuadër të perandorisë, si një zgjidhje e përkohshme, për të cilën nuk lypsej pëlqimi dhe as pranimi i tij nga Fuqitë e Mëdha.

Ndryshe, në atë kohë ishte i pamundshëm themelimi i një shteti kombëtar, kur në Evropë ekzistonte bindja se shqiptarët (njëjtë si sot) ende nuk ishin të zotët të mbanin shtet, ndaj për fillim parashihej krijimi i një shteti autonom në kuadër të Perandorisë, udhëheqja e mirë e të cilit do t’i bindte Fuqitë evropiane që të pranonin të drejtën e kombit shqiptar për krijimin e shtetit të tij etnik mbi trojet e veta autoktone në Ballkan.

Madje, siç do të shprehej Ismail Qemali, për shqiptarët kishte ardhur koha kur nuk mjaftonte më vetëm gatishmëria e flijimit të jetës për atdhe, por ata tani duhej të mësonin edhe për ta mbajtur dhe udhëhequr si duhet shtetin e tyre të ardhshëm kombëtar.

Ndaj, pas krijimit të një shteti autonom në kuadër të Perandorisë, puna e parë që bashkëkombësit duhej të bënin, ishte hapja e shkollave sa më shpejtë që të ishte e mundur, në gjuhën amtare, në të cilat shqiptarët do ta mësonin atdhedashurinë dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare, gjë që pa një shtet autonom nën regjimin e sulltanit Abdyl Hamitit të dytë, këto ishin të pa mundura, ngase përkundër ekzistencës së mijëra shkollave në gjuhën turke, greke e sllave, vetëm mësimi në gjuhën shqipe, për shqiptarët ishte i ndaluar rreptësishtë nga Perandoria turke.

Ismail Qemali kishte vizituar Anglinë, Italinë dhe Austro-Hungarinë, ku kishte kërkuar ndihmën e këtyre fuqive të mëdha dhe mbështetjen e tyre për krijimin e shtetit autonom me shpresën se pas forcimit të autonomisë së Shqipërisë, shqiptarët do të mësoheshin të qeverisnin me vetveten dhe dinin të mbanin e udhëhiqnin shtetin e tyre të pavarur, edhe pas daljes nga Perandoria, e cila pritej të shembej.

Në fillim të shpërbërjes perandorake, shqetësimi i parë serioz i atdhetarëve shqiptarë për rrezikun e copëtimit të trojeve të tyre, vinte nga pretendimet bullgare për shtrirjen e kufijve të saj, sipas marrëveshjes ruso-turke të Shën Stefanit, e cila parashihte marrjen e një pjese të Kosovës deri në Kumanovë, pjesën veriperëndimore të Dibrës dhe Drenovën me Boboshticë, deri në afërsi të Korçës.

Ndaj, qysh me fillimin e kryengritjes së armatosur të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, veçanërisht Ismail Qemalin dh Hasan Prishtinën i gjejmë kudo me përpjekjet e tyre të pareshtura e grandioze për krijimin e një komiteti të përbashkët udhëheqës të kryengritjes, të cilët për mbështetjen e luftës kërkonin ndihmë nga të gjitha shoqëritë shqiptare që vepronin brenda dhe jashtë vendit – deri në Egjipt.

Duke udhëtuar nga vendi në vend, dhe marrë mendimet e secilit nga diplomatët dhe ministrat e shumtë evropianë, Ismail Qemali shpejt do të bindej se ndihmë të sinqertë në atë kohë ishte e gatshme të ofronte vetëm Austro-Hungaria.

Kjo më vonë do të dëshmohej edhe në vepër, e sidomos gjatë përgatitjeve për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, kur angazhimi dhe përkrahja e Qeverisë së Austro-Hungarisë, në dobi të çështjes shqiptare ishte më e madhe se e cilitdo vend tjetër në rajon dhe botë.

Madje, nga shumë historianë, analistë e studiues të këtyre ngjarjeve, dëshmohet katërçipërisht se pa ndihmën e Austro-Hungarisë dhe veçanërisht ministrit të jashtëm Leophold Bertchold, krijimi i shtetit shqiptar në atë kohë, do të bëhej i pamundur.

Para se të shkonte në Vjenë, Ismail Qemali kishte vizituar shoqatat atdhetare në Rumani, nga të cilat do të inspirohej dhe bindej përfundimisht që në vend të autonomisë së një shteti kombëtar në kuadër të Perandorisë, e cila ishte para shkatërrimit të përgjithshëm,të shpallte pavarësinë e plotë të Shqipërisë.

Në Vjenë, delegacioni shqiptar u prit në nivelin më të lart ministror nga vet ministri i jashtëm Austro-Hungarez, i asaj kohe Leophold Berchtold, ndërsa kërkesën e Ismail Qemalit drejtuar këtij burrështetasi të famshëm evropian dhe përkrahësi të madh e besnik të Shqipërisë së pavarur, kërkesën për ndihmë dhe mbështetje në arritjen e Pavarësisë, Leophold do ta merrte seriozisht dhe përhapte me vendosmëri në të gjitha takimet ministrore të shteteve evropiane,duke ndihmuar së fundmi edhe me një anije delegacionin shqiptar për arritjen e tyre sa më parë në atdhe ku planifikonin ta shpallninPavarësinë e Shqipërisë.

Ndaj me të drejtë dhe në mënyrë plotësisht të merituar, pikërisht në frymën festive të 100 vjetorit të mëvetësisë kombëtare dhe vitit jubilar të Pavarësisë më 2012, një rrugë në Tiranë u nderua me emrin e ish ministrit të jashtëm austriak, ndihmësit dhe mbështetësit më të madh të çështjes shqiptare dhe pavarësisë së shtetit të tonë kombëtar: Leophold Berchtold!

Falë përkujdesjes dhe ndihmesës Austro-Hungareze Ismail Qemali me bashkëpunëtorë, nga Trieshta udhëtuan me Vaporin austriak "Baron Bruck" dhe më 22 nëntor të vitit 1912, ata arritën përfundimisht në Durrës, ku kishin planifikuar që po aty, ta shpallnin edhe Pavarësinë e Shqipërisë.

Por pasi që ushtritë pushtuese greke dhe serbe, sidomos në prag të shpalljes së Pavarësisë,kishin mësyrë Shqipërinë – nga jugu dhe verilindja,Ismail Qemali,para se të nisej për atdhe u detyrua të merrte një nismë për shuarjen e panikut dhe ruajtjen e qetësisë në popull, që dëshmohet edhe me telegramin e datës 9 nëntor të vitit 1912, të cilin ai ia dërgonte nga Vjena parësisë së Vlorës.

Në përpjekjet e tij për të qetësuar shpirtërat e shqiptarëve të alarmuar nga sulmet e pareshtura serbe dhe greke, ai u bënte thirrje atyre që edhe në ato çaste të rënda lufte e agresioni, ta ruanin qetësinë dhe në vend të panikut, të shpërndanin lajmin e gëzueshëm se “e ardhmja e Shqipërisë tanimë ishte garantuar, kurse ai vet bashkë me delegatët të cilët e shoqëronin do të vinin me vaporin e parë që do të nisej për në Shqipëri".

Siç thuhet në disa shënime historike, në Durrës ata gjetën një kaos dhe gjendje alarmante nga frika e marshimeve serbe të cilët kishin mësyrë për të marrë Shqipërinë e mesme e dalë në bregdetin shqiptar, në mënyrë që të pengonin edhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

Por Isa Buletini dhe gjeneral Mehmet Deralla me bashkëluftëtarët e tyre, kishin arritur që në hapësirat në mes Drinit të Bardhë dhe Drinit të Zi, ta bllokonin plotësisht ushtrinë pushtuese serbe të gjeneralit gjakatar Bozhidar Jankoviq, duke i mundësuar kështu Ismail Qemalit me bashkëpunëtorë që të shpallnin Pavarësinë e Shqipërisë edhe në Durrës. 

Madje pikërisht për shkak të udhëheqjes së atyre luftimeve, Isa Buletini nuk mundi të shkonte me kohë as në Vlorë dhe atje arriti vetëm një ditë pas shpalljes së Pavarësisë.

Megjithatë, Ismail Qemali me delegatët shqiptar,kishin konsideruar se gjendja ishte e acaruar dhe me tensione të larta në qytetin bregdetar, ndaj dhe ishin nisur për në vendlindjen e tij, si vend më i sigurtë, të cilët pas disa ditësh rrugëtimi plotë sfida e vështirësi, më në fund, natën e 27 nëntorit, do të arrinin në Vlorë, ku të nesërmen më 28 nëntor të vitit 1912, përfundimisht bënë shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe formimin e qeverisë së parë të shtetit kombëtar, të sapo shpallur më vete dhe të lirë.

Ndaj 28 Nëntori nga atëherë mbetet përjetësisht një datë dhe festë gëzimi për të gjithë shqiptarët, si dhe një ditë e shënuar kujtimi me pietetin më të lartë, të të gjithë atyre të cilët që nga viti 1878 e këtej, luftuan dhe ranë për çlirim dhe bashkimin e trojeve tona etnike, me shpresën se një ditë-edhe shqiptarët do të jetojnë si popull i lirë dhe i unisuar në një shtet të përbashkët kombëtar, ashtu siç na lanë amanet edhe Rilindësit tanë të ndriçuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat