​Peja e “mbuluar” nga mbeturinat, kompania paralajmëron shtrenjtimin e tarifave

Peja

​Peja e “mbuluar” nga mbeturinat, kompania paralajmëron shtrenjtimin e tarifave

Më: 3 mars 2023 Në ora: 11:49
​Peja e “mbuluar” nga mbeturinat

Gati në çdo cep të qytetit të Pejës mund të hasësh në mbeturina, kjo pasi që ato hidhen në mënyrë ilegale nëpër trotuaret e rrugëve të këtij qyteti. Përkundër kësaj dukurie, ndërmarrja publike për menaxhimin e mbeturinave po paralajmëron edhe rritjen e tarifave për shërbime nga 5 në 6 euro.

Nga partia opozitare Vetëvendosje në këtë komunë kanë kritikuar kompaninë për menaxhimin e mbeturinave dhe komunën për mosmirëmbajtjen e ambientit.

Po ashtu edhe qytetëruat ankohen për heqjen e disa kontejnerëve nëpër qytet nga kompania “Ambienti”.

Ndërsa, kryeshefi i ndërmarrjes publike “Ambienti” në Pejë, Diedon Berisha thekson për KosovaPress se kjo kompani po kryen shërbimin në mënyrën më të mirë të mundshme. Mirëpo, sfidë për këtë kompani mbeten deponitë e ilegale të mbeturinave.

Megjithatë, Berisha thekson do të bëhet edhe rritja e tarifës për shërbimet.

Berisha: Kemi eliminuar disa pika të grumbullimit të mbeturinave

“Ne si kompani jemi në angazhim 24 orë për qytetarët e Pejës...Ne mendojmë se jemi duke kryer shërbim aq mirë sa të jetë e mundur. Ne si kompani kemi marrë masa për të bërë një rregulluesi të shërbimit tonë, në qytetin e Pejës. Së pari kemi bërë eliminimin e pikave të kontejnerëve publikë të cilët janë. Që nga gushti i vitit të kaluar deri më tash i kemi bërë eliminimin e 15-të pikave, që mendoj se është diçka pozitive për Pejën dhe shihet se rrugët ose vendet ku kanë qenë të ekspozuara tash nuk janë më. Pastërtia është në nivel. Problem mbeten deponitë ilegale, të cilat janë në zona të caktuara. Ajo është vështirësi ose ta quajmë problem, sepse nuk mund t’i mbash nën menaxhim pa pasur kamera, pa pasur inspeksion dhe pa pasur polici aty, dhe për neve si kompani është e vështirë kjo punë”, tha Berisha.

Ndërkaq, zyrtari i subjektit politik LVV, Berat Ganiqi ka akuzuar partitë opozitare në lidhje me strategjitë që po përdorin për mirëmbajtjen e ambientit në këtë komunë.

Ai tha se janë hequr të gjithë kontejnerët që kanë ekzistuar në qytetin e Pejës, siç tha ai me qëllim që t'i ikin asaj pamjes së shëmtuar me mbeturina që po bëhet në qytet.

Ganiqi: Komuna po përdor strategji të gabuar, po i largon kontejnerët

“Deri më tani është duke u bërë një mirëmbajtje e keqe, sepse gjatë gjithë këtyre viteve që është në pushtet LDK-ja dhe PDK-ja, së bashku që po qeverisin komunën e Pejës, është duke u bërë një strategji e gabuar në mirëmbajtjen e ambientit për shkak se janë hequr të gjithë kontejnerët që kanë ekzistuar në qytetin e Pejës, me qëllim që t'i ikin asaj pamjes së shëmtuar që po e bëjnë në qytet. Por marrë shembull, ndërtesën më të lartë në Pejë, "Rokaqielli", në të kaluarën i ka pasur së paku katër kontejnerë, tani nuk ka asnjë. Banorët e asaj ndërtese nuk kanë se ku t’i hidhen mbeturinat. Obligohen që çdo ditë të bartin mbeturinat poshtë dhe të hiqen. Zyrtarët në ambient të thirrur për këto çështje që janë duke e rregulluar këtë pjesë, por deri më tani nuk është parë ndonjë ndikim i tillë, përkundrazi mua më dhimbsen punëtorët të cilët çdo ditë torturohen, por nuk bëhet një zgjidhje adekuate as për banorët, por as për punëtorët që punojnë”, potencoi Ganiqi.

Sa i përket paralajmërimit për rritjen e tarifave, kryeshefi i kompanisë “Ambienti”, Berisha potencon se shtrenjtimi do ndodhë për shkak se kompania e tyre po operon me humbje financiare.

Berisha: Jemi duke operuar me 75 cent humbje, rritja e tarifës është e detyrueshme.

“Kompania që nga viti 2011/12 e ka çmimin e njëjtë, 5 euro për të kryer shërbim. Ne kemi bërë analizime se kompania jonë është duke operuar me 75 cent humbje për një klient. Kjo do të thotë që ne jemi të detyruar që të rrisim çmimin për mbledhjen e mbeturinave... Rritja e tarifave është e detyrueshme dhe e domosdoshme për qytetin e Pejës dhe gjithë qytetet e tjera të Kosovës... Ne do ta rrisim tarifën 6 euro, që është një tarifë jo fitimprurëse që sjell fitim për kompaninë, por është tarifë e cila mbulon pjesën më të madhe të kostove", u shpreh Berisha.

Ndërkaq, Ganiqi i VV-së, ka kritikuar edhe vendimin për rritjen e tarifave të faturave për mbeturina. Sipas Ganiqit, në këtë krizë ekonomike, nuk është koha e duhur për një ngritje të tillë.

Ganiqi: Nuk është koha të rriten faturat, qytetarët po përballen me inflacion

“Ne si Lëvizje Vetëvendosje, pa dyshim se do jemi kundër shtrenjtimit, për shkak se qytetarët janë duke u ballafaquar me një inflacion të lartë dhe nuk është koha të rriten faturat. Më mirë kishte me qenë të ndalen shpenzimet e bordit të KRM ambientit, të cilët edhe në të kaluarën janë denoncuar nga punëtorët e asaj ndërmarrje, sepse keqpërdorin veturat zyrtare, naftën dhe të mira të tjera, ku me të hollat të ndërmarrjes kanë shkuar edhe në pushime të tyre private”, theksoi Ganiqi.

Ndërsa, qytetarët shprehën të kënaqur me punën e komunës, mirëpo ankohen për rritjen e çmimit të tarifës.

Qytetari, Jusuf Zekaj tha se në krahasim me komunat e tjera nuk qëndrojnë keq nga ana e mirëmbajtjes së ambientit.

Zekaj: Qytetarët duhet të vetëdijesohen. Na mungon kultura

"Në krahasim me komunat e tjera nuk jemi keq. Kryetari Muhaxheri po interesohet më tepër por duhet të vetëdijesohen njerëzit më tepër. Kjo na mungon më së shumti, kultura... Nuk është mirë akoma as kjo komunë por në krahasim me komunat e tjera, unë po shëtis, e kam vërejtur që nuk është dhe aq keq, mirëpo mundet me qenë më mirë gjithmonë. Aty ka vërejtje edhe prej qytetarëve, sepse po i shkatërrojnë kontejnerët. Ata duhet t’i ruajnë dhe duhet të vijnë kontingjent të ri. Komuna duhet të angazhohet më tepër në këtë drejtim”, u shpreh Zekaj.

Lëvdata mbi punën e kryetarit të kësaj komune, pati qytetari Ali Shabanaj. Ai tha se kryetari, nuk ka mundësi që t’i vetëdijësojë njerëzit për veprimet e tyre. Por, sipas tij, largimin e kontejnerëve, e cilëson si një veprim që nuk duhej të merrej.

Shabanaj: Kryetari po bën punën mirë, por largimi i kontejnerëve është gabim i madh

"Këtu vetë popullata e bën ambientin e ndotur dhe jo që ka faj diçka komuna, aspak komuna nuk ka faj për ambientin. Këtu përsipër për ta shikuar ambientin, e ka “Ambienti”. Është një organizatë, edhe ajo është në kuadër të komunës. Nuk mundet kryetari të shikojë në çdo cep të ambientit. Kryetar më të mirë Peja nuk ka pasur kurrë, kryetari ka punuar jashtëzakonisht mirë dhe punon shumë mirë, për secilin qytetarë pa dallim partie politike... E sa i përket heqjes se kontejnerëve, thotë se është vendim jo i mirë, sepse ka nevojë të ketë dhe më shumë kontejnerë, mbeturinat duhet të hedhën diku. E nëse e bën zvogëlimin atëherë është gabim i madh, nuk është në rregull kjo. Sa më shumë kontejnerë është më mirë për qytetarin, sepse e din se ku duhet të vendoset dhe jo të hedhet në rrugë, por te mbeturinat”, tha Shabanaj.

Edhe qytetarë të tjerë parapa kamerave kanë thënë se qyteti i Pejës nuk ka qenë asnjë herë më parë më e papastër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat