Banorët e Klinës përmes protestës kërkojnë sërish të mos devijohet rruga Kijevë - Zahaq

Peja

Banorët e Klinës përmes protestës kërkojnë sërish të mos devijohet rruga Kijevë - Zahaq

Më: 10 maj 2023 Në ora: 13:00
Foto ilustrim

Banorët dhe pronarët e bizneseve të fshatrave Gllarevë, Stapanicë dhe Rixhevë, sërish kanë protestuar dhe shprehur pakënaqësitë e tyre para Qeverisë së Kosovës për devijimin e trasesë së rrugës që kalon në atë zonë, Kijevë – Zahaq.

Sipas protestuesve, qeveria nuk po i përfill kërkesat e tyre, ndërkohë të njëjtit janë në pritje për një takim tjetër me zyrtarë nga kabineti qeveritar.

Me pankartat, me mbishkrime “Shpresën e kemi tek ju”, “Bizneset po vdesin”, “Jo devijim të rrugës”, banorët e fshatrave të Komunës së Klinës po e kundërshtojnë vendimin të cilin e ka aprovuar Qeveria e Kosovës për vazhdimin e shpronësimit të pronave për nevoja të realizimit të tërësishëm të rrugës nacionale Kijevë-Zahaq, përkatësisht segmentit Kijevë-Dollc.

Protestuesit paralajmërojnë bllokim të rrugës në rast se edhe këtë herë nuk marrin përgjigje prej Qeverisë dhe nuk zbatohen kërkesat e tyre.

Binak Pantina nga fshati Gllarevë i Klinës tha për KosovaPress se ka investuar mbi 3 milionë euro, dhe sipas tij devijimi i rrugës e dëmton shumë pwr tw bwrw biznes.

Pantina: Kam rreth 3 milionë euro që kam investuar dhe jemi dëmtuar shumë

“Ndërtimi i rrugës Prishtinë-Pejë ka ardhur mirë deri në Kijevë, aty ka devijuar dhe na kanë anashkaluar tri fshatra, Burim, Rixheve dhe Gllarevë. Kemi mbi 50 biznese, unë kam investuar rreth 3 milion euro në pompë, motel, villa e të tjera. Kështu, jemi dëmtuar shumë, dhe tash kjo rrugë po devijon...Kemi shkuar te zëvendësministri, Hysen Durmishi shumë herë, dhe na ka kërkuar dokumentet se çfarë i dëmton bizneset, por nuk i ka lexuar askush. Dhe ka thënë se do të vijë në vend te ngjarjes, por nuk ka ardhur”, theksoi ai.

Mes tjerash, Pantina është shprehur i shqetësuar që kërkesat e tyre nuk po merren parasysh, pwrkundwr kontributit tw sic tha ai pwr vendin në mënyrë që edhe anëtarët e tjerë të familjes të mos e lëshojnë vendin.

Pantina: Kam punuar e kontribuar çdo gjë që familjarët të mos e lëshojnë vendin

“Nëse nuk merren parasysh, do të bëhet keq. Kam 22 anëtar të familjes dhe kam punuar jashtë vendit, dhe kam dhënë gjithë kontributin tim për mos të dalë nipat jashtë vendit, duke investuar shumë. Nëse nuk merren parasysh këto kwrkesa, ne do ta bllokojmë rrugën me shatora (tenda) në gjitha këto fshatra dhe nuk do të ketë lëvizje më. Rrugën nuk e lejojmë në asnjë formë të devijojë, përveç ku është ekzistuesja, pasi ashtu edhe ka premtuar kryeministri”, tha ai.

Se devijimi i rrugës është pengesë për banorët, e tha edhe Isuf Mehmetaj, banor i kësaj ane.

Ai tha se nëse bëhet devijimi i rrugës, nga shteti po merren edhe toka e bukës.

Mehmetaj: Nëse bëhet devijimi i rrugës na merret buka e gojës

“Ne kemi ardhur për shkak të devijimit të rrugës Stapanic-Gjergjovik. Ta shohim pas takimit që na kanë thënë dhe nëse nuk ka kurrfarë rezultati rrugën do ta bllokojmë në Gllarevë...Nëse bëhet bllokimi ose devijimi i rrugës, një anë po merret toka e bukës, ndërsa në anën tjetër bizneset që janë aty, ato veç duhet të mbyllen...Familjen me diçka duhet me mbajt, kur e ndërprenë vendin e punës, një zgjidhje duhet bërë diku”, tha Mehmetaj.

Ndërkaq, Zahir Salihaj, i cili është edhe pronar i një biznesi, tha për KosovaPress se në rast se bëhet ky devijim i rrugës, çelësat e biznesit do t’ia dorëzon qeverisë dhe do e braktisë Kosovën me gjithë familje.

Salihaj: Nëse devijohet rruga, çelësat e biznesit ja sjelli qeverisë dhe me komplet familjen e lëshojëKosovë

“Jam pronar i biznesit, dhe nëse devijon rruga, unë do ta mbylli biznesin, dhe çelësat e biznesit i sjelli te qeveria dhe atëherë unë me komplet familjen e lëshoj Kosovën. Sepse, nuk ka perspektivë të punës më”, tha Salihaj.

Ndërkaq, kryeministri i vendit, Albin Kurti para një viti ka thënë se po shqyrtojnë mundësinë të bëjnë zgjerimin e rrugës ekzistuese Prishtinë-Pejë dhe pati theksuar se zgjerimi i rrugës do të bëhet me gjysmën e çmimit të variantit që është anuluar shpronësimi.

Ndërkaq, Ministria e Infrastrukturës në mars ka hapur procedurat tenderuese për ndërtimin e rrugës nacionale Kijevë-Zahaq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat