Alarmi i Marajt: Në Kosovë po realizohen kërkesat serbe

Politika

Alarmi i Marajt: Në Kosovë po realizohen kërkesat serbe

Nga: D. B Më: 25 shkurt 2019 Në ora: 15:06
Harta e Kosovës

Njohësi i çështjeve politike, profesor Milazim Maraj, mendon se ngarendja për negociata nuk i duhet Kosovës, kjo për faktin se këtu duhet maturi e peshuar dhe e debatuar nga ekspertet tonë të të gjitha fushave.

Sipas tij, kufijtë e Kosovës nuk mbrohen më taksën 100%, andaj deklaratat se atë që e pranon SHBA është e mirë edhe për ne nuk qëndrojnë.

“SHBA është shumë e qartë me moton ju punoni, ne ju përkrahim dhe nuk ka mbetur rajoni që paqen në Gadishullin Ilirik ta mbrojë Kosova më sakrifikimin e tokave të veta edhe kështu të sakrifikuara dhe historikisht të masakruara. Këtë investim për paqe le ta bëjë Serbia. Bisedimet kanë filluar pa përgatitjen e duhur dhe pa studim të duhur. Këto bisedime fillim dhe mbarim ishin gjysmë ilegale. As deri sot dhe as sot nuk tregohet qartë objektivi i bisedimeve nëse ka fare objektiv kombëtar”, thekson Maraj.

Sipas tij, bisedimet “gjithëpërfshirëse” janë gabim i rëndë në dëm të Kosovës dhe shqiptarëve.

Image
Milazim Maraj

“Këto bisedime duhej të fillonin dhe të kufizoheshin brenda kufijve dhe akteve juridike të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare për Kosovën. Në këtë nguti plot mjegull po realizohen kërkesat serbe në Kosovë. 1. Gjykata Speciale që vuri në dyshim luftën e UÇK dhe amnistoi krimet e Serbisë në Kosovë. 2. Ndërrimi i territoreve si propozim i Serbisë. Kosova jep troje të veta për troje të veta, Serbia merr dhuratë si agresor. 3. Kosova ta shpërblen Serbinë për krimet që ka bërë ndaj shqiptarëve. 4. Tërheqja e njohjeve nuk do të ndodhte po të mos bëheshin veprime të tilla destruktive në planin diplomatik nga institucionet e Kosovës. Me Serbinë nuk po ndahemi tani”, ka thënë profesor Maraj.

Ai konsideron se, Kosova është shtet sovran dhe duhet të pranoj bisedime vetëm ne nivel të fqinjësisë.

“Na njohu apo jo Serbia, nuk ka aq vlerë sa të amnistohet dhe plus të merr dhurata. Presidenti jonë sillet sikur i zënë peng. Kështu ngritë edhe me shumë dyshimin për patriotizmit të tij. Nxitimi më ngulm për këto negociata tregon nevojën e pa shpjegueshme të Presidentit dhe jo të Kosovës. Duhet të shohim pak më ngadalë të “arriturat e tij në planin kombëtar të Kosovës” që nga ardhja në pushtet. Flamuri shtetëror pa asnjë shenjë kombëtare, të përfaqësuar në këtë flamur me një yll si shumica si minoritaret dhe himni pa tekst”, ka thënë Maraj.

Sipas tij, asociacioni i komunave serbe, hezitimi për reciprocitet të domosdoshëm, mos ngritja e padisë kundër Serbisë për krime lufte, por vetëm përmendja e tyre, tregon një hipokrizi politike, që është në dobi të pushtetit serb dhe jo të popullit shqiptarë.

“Propozimi dhe insistimi për Gjykatën Speciale ishte kërkesë e Serbisë dhe jo nevojë e Kosovës. Në vend që Serbia të ulet në tavolinën e të akuzuarit shkojnë shqiptaret për të dëshmuar pafajësinë e tyre, kurse Serbia sillet si viktimë. Taksa 100% ligji për Ushtrinë dhe Trepçën ishin veprime normale, por pas një pauze të gjatë boshe duken veprime të pritura. Taksa nuk duhet të hiqet por duhet të arsyetohet mirë para SHBA-në. Nuk duhej të vendoset taksa pa marrëveshje më SHBA-në. Kosova nuk ka nevojë të qajë hallin e çrregullimeve të mundshme në rajon”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Milazim Maraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat