Zogaj: Regjistrimi i “Trepçës” si biznes i Kosovës gëzon por nuk siguron perspektivë

Politika

Zogaj: Regjistrimi i “Trepçës” si biznes i Kosovës gëzon por nuk siguron perspektivë

Nga: G.B Më: 9 mars 2019 Në ora: 15:11
Trepça

Kombinati metalurgjik Trepça pas votimit në Kuvend të Statutit të saj, nga dita e premte, është regjistruar si kompani në bazë të ligjeve të Kosovës.

Këtë e kanë bërë të ditur kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri Endrit Shala, duke thënë se Trepça do të rikthehet me shkëlqimin e dikurshëm dhe do të jetë krah i fuqishëm i ekonomisë sonë.

Lidhur me këtë lajm dhe se a është dashur të bëhej më herët kjo, njohësi i çështjeve politike Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën ”Bota sot” se gabimet ndaj Trepçës dhe shumë pasurive tjera natyrore të Kosovës që janë tjetërsuar janë të pafalshme.

Image
Skënder Zogaj

“Gabimet rreth Trepçës janë të pafalshme, sikurse edhe ndaj shumë pasurive të tjera natyrore të Kosovës që janë tjetërsuar dhe shkatërruar për interesa individësh e grupesh të interesit që e kanë dëmtuar Kosovën më shumë dhe më keq se sa regjimi komunist, që e ka shfrytëzuar por nuk e ka shkatërruar! Trepça falë veçantisë ka mbetur e pa shkatërruar deri në fund, siç ka ndodhur me Kombinatet e tjera gjigante, si KBI “Progresi” i Prizrenit, “Ereniku” i Gjakovës, KBI i Fushë Kosovës me 7000 punëtorë, miniera e Magurës”, e shumë të tjera që sot janë bërë prona të maskarenjve”, është shprehur Zogaj.

Sipas tij, është për tu gëzuar fakti që Trepça nuk e ka përjetuar fatkeqësinë e kombinateve tjera, por që regjistrimi si biznes i Kosovës nuk siguron ndonjë perspektivë nëse nuk ndryshon forca ligjore për mbrojtje të pasurive.

“Prandaj, gëzon fakti që këtë fatkeqësi nuk e ka përjetuar deri në fund Kombinati metalurgjik Trepça, që është “kafshatë” më e madhe se goja e kafshuesve! Regjistrimi si biznes i Kosovës është hap i mirë, sepse është më mirë vonë se sa kurrë! Por, regjistrimi nuk siguron ndonjë perspektivë nëse nuk ndryshon forca ligjore në të mirën e mbrojtjes së pasurive të shtetit! Këtë nuk e siguron regjistrimi si biznes, por nëse sigurohet “biznesmeni” i duhur që Kombinati të jetë pasuri e Kosovës”, ka deklaruar Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat