Quni: Degradimi i miqësisë ndikon në degradimin e Kosovës, të merren parasysh SHBA dhe Britania

Politika

Quni: Degradimi i miqësisë ndikon në degradimin e Kosovës, të merren parasysh SHBA dhe Britania

Nga: G.B Më: 14 mars 2019 Në ora: 11:27
Anton Quni

Deportimi i gjashtë shtetasve turq që ndodhi afro një vit më parë, ka bërë që të reagojnë Ambasada Amerikane dhe ajo e Britanisë, duke shprehur shqetësim për këtë rast.

Lidhur me reagimin e Ambasadave dhe atë se kush duhet të marrë përgjegjësi për këtë rast, deputeti i LDK-së, Anton Quni, njëherësh anëtar i Komisionit që u themelua për rastin e shtetasve turq, ka thënë për gazetën “Bota sot” se deportimi i shtetasve turq ka qenë shok për botën e qytetëruar dhe miqtë e shtetit tonë.

“Deportimi i shtetasve turq ishte një "shok" për botën e qytetëruar dhe miqtë e shtetit tonë. Është e papranueshme ideja që; Kosova harton dhe miraton sa e sa ligje sipas përvojave më të mira Perëndimore, por ato janë të zbehta para një autoriteti i cili mundet me i keqpërdor institucionet që të marrin veprime që janë ligjërisht dhe moralisht të pajustifikueshme. Si të tilla del që ligjet në fjalë nuk implementohen e nuk gjejnë zbatim tek ne. Një situatë e tillë është shqetësuese për qytetarët e Kosovës, por edhe për partneret tanë”, është shprehur ai.

Sipas Qunit, vërejtjet e SHBA-së dhe Britanisë duhet të merren si inkurajim që të jepet epilog në rrafshin ligjor, profesional dhe politik dhe se duhet të jetë prioritet ruajtja dhe forcimi i aleancave me shtetet mike.

“Vërejtjet nga SHBA dhe Britania e Madhe duhet t’i marrim si inkurajim që organet e drejtësisë, inspektoriatet e organizatave kompetente dhe mbikëqyrësit demokratik të japin epilog në rrafshin ligjor, profesional dhe politik. Ruajtja dhe forcimi i aleancave me shtetet mike duhet të jetë prioriteti më i lartë shtetëror. Çdo degradim i miqësisë, drejtpërdrejt ndikon në degradimin e situatës politiko-ekonomike të Kosovës. Prandaj, çdo autoritet shtetëror dhe institucional qe vepron në linja që i rrezikon këto raporte bëhet përgjegjës para qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Anton Quni për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat