LDK-së i kërkohet që ta pranojë ftesën e Vetëvendosjes për ta ndalur PANhajninë

Politika

LDK-së i kërkohet që ta pranojë ftesën e Vetëvendosjes për ta ndalur PANhajninë

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 7 maj 2019 Në ora: 17:16
Foto ilustrim "Bota sot"

“LDK duhet ta kuptojë se me PDK-në në pushtet vendi nuk mund të ndahet nga e keqja, si rrjedhojë duhet të pranojë ofertën e VV-së. Çdo mosbashkëpunim mes opozitës i shkon për shtati koalicionit aktual, që të vazhdojë të zhvat vendin dhe të varfëroj qytetarët”, ka deklaruar Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Koalicioni mes dy partive më të mëdha opozitare, LDK dhe Vetëvendosje, po konsiderohet si e vetmja shpresë për ta ndalë koalicionin aktual PAN nga keqqeverisja. Kësaj radhe janë deputetët nga partia e Albin Kurtit, të cilët haptas kanë kërkuar thellimin të bashkëpunimit me partin e Isa Mustafës.

Është deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, e cila i ka bërë thirrje LDK-së të thellojë bashkëpunimin e saj për të ndalë “PANhajninë”.

Sipas Pacollit bashkëpunimi i Albin Kurtit me Isa Mustafën ndalën idenë e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim e ndryshim kufijsh.

Pacolli ndër të tjerash në kërkesën e saj ka deklaruar se bashkëpunimi dy-partiak, LDK dhe Vetëvendosje do të vazhdojë.

Nga partia e Kurtit kanë përsëritur se bashkëpunimi mes LDK-së dhe VV-së është e vetmja alternativë për ta larguar PAN-in. Sipas tyre, nuk ekziston një plan tjetër, dhe se çdo iniciativë tjetër do të jetë e vonuar.

Edhe shoqëria civile është në një linjë më opozitën. Ata konsiderojnë se ky koalicion duhet të përfshijë LDK-në, LVV-në dhe të gjithë intelektualet e pavarur si dhe përfaqësuesit e diasporës. Ndërsa, bëjnë me dije se çdo tentim tjetër do të përfundojë në vazhdim të situatës së këtillë dhe rezultatet do të jenë edhe më të këqija se që i kemi sot.

Gazeta “Bota sot”, ka provuar të marrë një qëndrim, edhe nga zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, lidhur me kërkesën e deputetes Fitore Pacolli, por deri më tani ka kthyer ndonjë një përgjigje.

Deputetja e Vetëvendosje: Të bëhemi bashkë, mundësi tjetër nuk ka

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se thellimi i bashkëpunimit mes dy partive më të mëdha në vend është e vetmja alternative për largimin e PAN-it nga pushteti.

Image
Drita Millaku

“Sigurisht që e vetmja alternativë për ta larguar PAN-in, duhet të bëhen bashkë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka thënë deputetja e VV-së, për gazetën “Bota sot”.

Me tej, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, ka potencuar se bashkëpunimi mes dy partive duhet të thellohet, pasi sipas saj, një mundësi e dytë nuk ekziston.

Ajo gjithashtu ka nënvizuar se përveç thellimit të bashkëpunimit mes dy partive, duhet shikohet edhe mundësia e një programi të përbashkët mes dy partive.

“Bashkëpunimi duhet të thellohet dhe duhet të shikohet edhe mundësia e programit, sepse nuk ka mundësi tjetër, ose të bëhemi bashkë ose të rrimë kështu, por rinia na iku e pastaj çdo iniciativë tjetër do të jetë e vonuar”, ka thënë në fund, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, për gazetën “Bota sot”.

Abazi: Nuk ka skenar tjetër më të shëndoshë, se sa një koalicion mes LDK-së dhe VV-së

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Haki Abazi, duke folur për gazetën “Bota sot”, ka përmendur disa nga problemet më të cilat është duke u ballafaquar shteti i Kosovës.

Image
Haki Abazi

“Zhvillimet në Kosovë dhe ato jashtë saj tregojnë që vendi nuk është në situatë normale, shtetësia e brishtë dhe shkeljet e vazhdueshme të kushtetutshmërisë, pazareve në skuta, qartësia se ndarje Kosovës është propozuar nga Vuçiq dhe Thaçi ka dështuar ta paketojë sikur kompromis të dhimbshëm, stigmatizimi dhe imazhi i lënduar i Kosovës, ndalja e njohjeve ndërkombëtare, mungesa e zhvillimit ekonomik dhe varfëria e lartë, pamundësia e lëvizjes së lirë, shkollimi jokualitativë, niveli lartë i krimit dhe korrupsionit e kanë sjellë gjendjen e cila lirisht mund të konsiderohet si shumë e rrezikshme për vendin sot dhe të ardhmen tij”, ka thënë Abazi, për gazetën “Bota sot”.

Ai mes tjerash shton se nuk ka skenar tjetër më të shëndoshë se sa një koalicion i madh kundër krimit dhe korrupsionit për Kosovën Evropiane.

“Kjo kërkon një bashkërendim dhe skenar për të shpëtuar vendin nga qëllimet e këqija të kombinuara me padituri dhe injorancë me arrogancë që sot mbretërojnë në qeverisjen vendit. Shteti i kapur duhet të ç’kapet nga dora e krimit dhe korrupsionit, kjo gjë bëhet duke tejkaluar interesat e individëve dhe duke ruajtur interesin nacional të Kosovës. Sot nuk ka skenar tjetër më të shëndoshë se sa një koalicion i madh kundër krimit dhe korrupsionit për Kosovën Evropiane”, shtoi ai.

Abazi thekson se koalicioni “ideal”, duhet të përfshijë LDK-në, LVV-në dhe të gjithë intelektualet e pavarur dhe përfaqësuesit e diasporës.

“Ky koalicion duhet të përfshijë LDK-në, LVV-në dhe të gjithë intelektualet e pavarur dhe përfaqësuesit e diasporës. Çdo tentim tjetër do të përfundojë në vazhdim të situatës së këtillë dhe rezultatet do të jenë edhe më të këqija se që i kemi sot”, ka përfunduar njohësi i zhvillimeve politike në vend, Haki Abazi.

Mehmeti: Çdo mosbashkëpunim, i shkon për shtati koalicionit aktual

Nga ana tjetër, edhe analisti tjetër politik, Faton Mehmeti, mendon se e vetmja zgjidhje për ta shkëputur shtetin nga kapja e PAN-it është një koalicion i fortë mes LDK-së dhe VV-së.

Ai për gazetën “Bota sot”, ka thënë se gjendje në të cilën ndodhet Kosova, duhet sa më parë një koalicion i fortë për ta kthyer besimin e qytetarëve.

Image
Faton Mehmeti

“Padyshim se e vetmja zgjidhje për ta shkëputur shtetin nga kapja e PAN-it është një koalicion i fortë LDK-VV, të cilat me politika ndryshe do të sjellin zhvillim dhe përparim të jetës. Në gjendjen kritike që ndodhemi duhet sa më parë një koalicion i fortë dhe që vendi të shkojë në zgjedhje, për tu ndalur trendi i ikjes së qytetarëve dhe rrjedhimisht kthimi i besimit”, ka thënë analisti politik.

Madje, ai i ka kujtuar partisë më të madhe opozitare se me PDK-në në pushtet vendi nuk mund të ndahet nga e keqja.

“LDK duhet ta kuptojë se me PDK-në në pushtet vendi nuk mund të ndahet nga e keqja, si rrjedhojë duhet të pranojë ofertën e VV-së. Çdo mosbashkëpunim mes opozitës i shkon për shtati koalicionit aktual, që të vazhdojë të zhvat vendin dhe të varfëroj qytetarët”, ka deklaruar Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat