Kundërpërgjigje Mogherinit: Kosova nuk dialogon me ideatorët dhe nxitësit e korrigjimit të kufijve

Politika

Kundërpërgjigje Mogherinit: Kosova nuk dialogon me ideatorët dhe nxitësit e korrigjimit të kufijve

Zejnepe Bekteshi Nga Zejnepe Bekteshi Më 2 qershor 2019 Në ora: 11:53
Federica Mogherini

Pas aksionit të Policisë së Kosovës që u zhvillua të martën në Veri dhe Jug të Mitrovicës, i cili rezultoi me ndalimin e 19 zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve, ku sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Policisë së Kosovës, aksioni policor, kishte për qëllim luftimin e krimit dhe kontrabandës.

Ndryshe, gjatë këtij aksioni policor, nga të shtënat me armë zjarri është plagosur një zyrtar policor. Ndërkaq, katër zyrtarë policorë të tjerë kanë marrë lëndime të lehta.

Pas këtij aksioni këtë ngjarje e ka komentuar edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së Federica Mogherini.

Mogherini ka thënë se ajo që ndodhi në Mitrovicë tregon për nevojën që Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen dialogut.

“Ajo që ndodhi dje na tregon se Prishtina dhe Beogradi duhet të kthehen në tavolinën e dialogut dhe të pasojnë me marrëveshje obliguese. Ajo që ndodhi dje është përkujtues se të gjithë ne jemi për marrëveshje obliguese pasi i tërë rajoni përfiton. Është e vërtetë, fola për bashkëpunimin në rajon. E dimë dhe pajtohemi që tendencat e së kaluarës për konfrontim, ose për retorika që nuk janë bashkëpunuese, mund të dalin në çdo moment. Dhe, për këtë arsye them se jemi në një udhëkryq”, tha Mogherini.

Nitaj: Ka ardhur koha që gjerat të thuhen ashtu siç janë

Image
Muharrem Nitaj

Ndërsa, në lidhje me këtë temë për gazetën “Bota sot”, foli deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherësh edhe nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj, i cila tha se Kosova nuk është ajo që po e bllokon dialogun por është Serbia, dhe, sipas tij, nga ana e Prishtinës nuk ka asnjë pengesë përkëtë proces.

“Obstruksionet që i ka bërë Serbia janë të mëdha. Është për të ardhur keq që ndonjë zyrtare i BE-së, provon që për dështimin e dialogut ta fajësojë edhe Prishtinën. Për fat të keq një qasje të tillë në vijimësi e ka pasur edhe zonja Mogherini”, tha deputeti i Kuvendit të Kosovës, Muharrem Nitaj.

Tutje, Nitaj potencoi se ka ardhur koha që gjërat të thuhen ashtu siç janë, ngase Kosova është shtet i pavarur e sovran në kufijtë e vet, dhe kur kjo të kuptohet kështu siç është edhe nga Beogradi, edhe nga Brukseli, atëherë të gjitha gjërat tjera janë të kollajshme.

Sipas tij, deri sa të ketë përpjekje që të mos pranohet kjo gjendje faktike, atëherë edhe dialogu, edhe bashkëpunimi, do të kenë shumë probleme.

“Ata që duan ta ndihmojnë dialogun dhe kthimin e normalitetit nëmarrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë dhe serbeve dhe shqiptarëve, nuk i shtyjnë palët në ide e propozime të parealizueshme, siç ka qenë edhe korrigjimi apo ndryshimi i kufijve e gjëra të ngjashme”, përfundoi Nitaj.

Mulhaxha-Kollçaku: Procesi i dialogut i udhëhequr nga kjo Qeveri konsiderohet si i dështuar

Image
Fatmire Mulhaxha-Kollçaku

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh edhe nënkryetare e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, tregoi se procesi i dialogut i udhëhequr nga kjo Qeveri tashmë konsiderohet si i dështuar i konceptuar gabimisht. Sipas saj, Beogradi nuk respekton asnjë marrëveshje, ndërsa hapi rrugë perspektivës Evropiane, përderisa Kosova nuk fitoi as liberalizim të vizave dhe u bllokua kudo që bëri përpjekje për anëtarësim në (INTERPOL, UNESCO).

“Çdo shtet e ka obligim që ta luftojë krimin dhe korrupsionin dhe këtu nuk duhet të ketë kompromis”, tha ajo.

Tutje, Mulhaxha-Kollçaku shtoi se ka shumë pikëpyetje lidhur me ngjarjet në veri. Ajo konstatoi se pala serbe do të vazhdojë që të kërkojë pretekst për bllokim të dialogut, ndërsa pala e Kosovës e ka humbur kredibilitetin për ta udhëhequr të njëjtin.

“Vetë Kryeministri, që e ka obligim kushtetues, kishte hequr dorë nga ky proces. Prandaj vetëm një Qeveri e re dhe e përgjegjshme ka mundësi që ta vendos këtë proces në binar, duke e respektuar kushtetutën dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës”, përfundoi deputetja nga radhët e VV-së, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Millaku: Mogerini nuk do të duhej të udhëhiqte dialogun, ka mbajtur anë në këtë dialog

Image
Drita Millaku

Drita Millaku, deputete në Kuvendin e Kosovës, nga radhët e VV-së, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se Frederica Mogherini nuk do të duhej të udhëhiqte dialogun për arsye se ka mbajtur anë në këtë dialog dhe se ajo nuk është e denjë që taudhëheqë me dialogun sepse e ka dëmtuar Kosovën.

“Mendoj se karriera e saj politike përfundonshumë shpejt do të ishte fat i madh për Kosovën që ajo mos ta kishte me atë pozitë”, tha ajo.

Tutje, Millaku potencoi se aksioni i Policisë së Kosovës që u zhvillua të martën në Veri dhe Jug të Mitrovicës ka qenë një spektakël.

Krasniqi: Kosova nuk ishte dhe nuk është e përgatitur për dialog

Image
Jakup Krasniqi

Kryetari i Këshillit Kombëtar i NISMA Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, për “Bota sot”, tha se aksioni në Mitrovicë dhe dialogu me Serbinë janë të ndara, siç thotë ai, e para duhet të shihet si përpjekje për të vendosur ligj, ndërsa, ai ka theksuar se dialogu si është zhvilluar deri më tani duhet të ndërpritet.

“Këto dy çështje janë krejt të ndara. E para duhet të shihet si një përpjekje për të vendosur sundimin e rendit dhe të ligjit, si luftë kundër kontrabandës e krimit ekonomik që kërkon mbështetjen e të gjithëve. Pra, kjo çështje nuk duhet të lidhet me dialogun, pra me bisedimet politike të Brukselit.

“Dialogu si është zhvilluar deri më tani duhet të ndërpritet”, tha Krasniqi.

Ai mendon se në Kosovë duhet të krijohet klima e konsensusit politik, ngase, siç potencoi ai, me ketë frymë politike që mbretëron në Kosovë e veçmas në Beograd, dialogu nuk duhet të vazhdojë.

“Kosova nuk ishte dhe nuk është e përgatitur për dialog. Rezultati i deritashëm nuk jep shpresa për ndonjë tejkalim të mosmarrëveshjeve politike. Duhet të priten ditë më të mira”, përfundoi Krasniqi.

Ndërkaq, njohësit e zhvillimeve politike, vlerësojnë se çështja dialogut mund të rikthehet, e disa prej tyre potencojnë se dialogu nuk pritet të rikthehet të paktën në formatin që ka pasur, disa prej tyre e shohin koalicionin e PAN-it si jo të interesuar të rifillojë dialogun me Serbinë.

Tahiri: Të thuhet qartë se përfaqësuesit e Kosovës nuk kanë mandat të bisedojnë me askënd

Image
Ramush Tahiri

Politologu Ramush Tahiri, foli për gazetën “Bota sot”, ku theksoi se dialogu Prishtinë- Beograd mund të rikthehet kur të pajtohen për këtë.

Por, siç thotë ai, tash për tash nuk ka dialog pa heqjen e tarifës doganore të vënë nga Qeveria e Kosovës për mallrat e importuara nga Serbia dhe nga Bosnje e Hercegovina. Ky është edhe kusht nga Serbia për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve, por kjo është theksuar edhe në Raportin e Progresit për Kosovën nga Komisioni Evropian ku është kritikuar vënia e njëanshme e taksës duke theksuar se kjo nuk është në frymën e tregtisë së lirë ndërmjet vendeve e as në frymën evropiane.

“Mogherini me të drejtë ashtu sikur i gjithë faktori ndërkombëtar kërkon vazhdimin e dialogut, sepse nuk ka alternativë tjetër për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi por a do tëndodhë kjo dhe kur e si do të ndodhë varet nga një serë faktorësh. Para se gjithash, duhet të përcaktohet formati i dialogut si dhe tema e dialogut”, shprehet Tahiri.

Ai tutje tha se është e qartë se edhe po të arrihet ndonjë marrëveshje për statusin e Kosovës me Serbinë kjo nuk do të kalojë në votim nga Kuvendi dhe as që do të pajtohej dikush nga populli i Kosovës.

“Duhet të thuhet qartë e fuqishëm se përfaqësuesit e Kosovës nuk kanë mandat të bisedojnë me askënd për statusin e Kosovës pra për pavarësinë, shtetësinë e sovranitetin e integritetin territorial të saj”, përfundoi Tahiri.

Demhasaj: Dialogu të mos vazhdojë, takimet me ndërmjetësimin e Merkelit dhe Macron-it mund të arrihet ndonjë marrëveshje

Image
Arton Demhasaj

Drejtori ekzekutiv i Organizatës ”Çohu”, Arton Demhasaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, tregoi se dialogu nuk pritet të rikthehet të paktën në formatin që ka qenë, ngase, sipas tij, tash pritet të konstituohen institucionet e reja të BE-së dhe nuk dihet se cili do të jetë pozicioni i Mohgerinit në këtë rast.

“Gjasat janë dialogu të mos vazhdojë, por që me anë të takimeve me ndërmjetësim të Merkel-it dhe Macron-it mund të arrihet ndonjë marrëveshje”, përfundoi Demhasaj.

Abdullahu: Në këto rrethana për të bërë dialog është thjeshtë e pamundur

Image
Faton Abdullahu

Ndërsa, analisti Faton Abdullahu, për gazetën “Bota sot”, potencoi se koalicioni PAN nuk është i interesuar të rifillojë dialogun me Serbinë, dhe sipas tij, më së paku është i interesuar që këtë ta bëjë Kryeministri Haradinaj.

“Ai është i vetëkënaqur me poenat politik që po i sjellë politikisht taksa atij, për dialogun nuk e ka dert hiç. Dialogu me Serbinë është ‘pazar i rëndë’ e i komplikuar që zor se sjell përfitime politike të shpejta e të lehta”, reagoi ai.

Po ashtu, Abdullahu mendon se ky koalicion ka probleme të mëdha, sepse nuk mund të arrijë as unitet as strategji për dialog me Serbinë.

“Në këto rrethana për të bërë dialog është thjeshtë e pamundur. Serbia nuk ka ndryshuar është ajo e vjetra. Edhe Evropa është e njëjta. Por, Prishtina zyrtare ka probleme të mëdha sepse kemi një koalicion që është i përçarë dhe ‘status quo-ja po i konvenon. S’ka gjasa që kjo të ndryshojë. E vetmja zgjidhje janë zgjedhjet”, përfundoi analisti Faton Abdullahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat