Krasniqi: Kosova nuk ishte dhe nuk është e përgatitur për dialog

Politika

Krasniqi: Kosova nuk ishte dhe nuk është e përgatitur për dialog

Nga: Z.B Më: 2 qershor 2019 Në ora: 18:32
Kryetari i Këshillit Kombëtar i NISMA Socialdemokrate, Jakup Krasniqi

Pas aksionit të Policisë së Kosovës që u zhvillua të martën në Veri dhe Jug të Mitrovicës, i cili rezultoi me ndalimin e 19 zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve, ku sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Policisë së Kosovës, aksioni policor, kishte për qëllim luftimin e krimit dhe kontrabandës.

Pas këtij aksioni këtë ngjarje e ka komentuar edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së Federica Mogherini.

Mogherini ka thënë se ajo që ndodhi në Mitrovicë tregon për nevojën që Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen dialogut.

Kryetari i Këshillit Kombëtar i NISMA Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, për “Bota sot”, tha se aksioni në Mitrovicë dhe dialogu me Serbinë janë të ndara, siç thotë ai, e para duhet të shihet si përpjekje për të vendosur ligj, ndërsa, ai ka theksuar se dialogu si është zhvilluar deri më tani duhet të ndërpritet.

“Këto dy çështje janë krejt të ndara. E para duhet të shihet si një përpjekje për të vendosur sundimin e rendit dhe të ligjit, si luftë kundër kontrabandës e krimit ekonomik që kërkon mbështetjen e të gjithëve. Pra, kjo çështje nuk duhet të lidhet me dialogun, pra me bisedimet politike të Brukselit.

“Dialogu si është zhvilluar deri më tani duhet të ndërpritet”, tha Krasniqi.

Ai mendon se në Kosovë duhet të krijohet klima e konsensusit politik, ngase, siç potencoi ai, me ketë frymë politike që mbretëron në Kosovë e veçmas në Beograd, dialogu nuk duhet të vazhdojë.

“Kosova nuk ishte dhe nuk është e përgatitur për dialog. Rezultati i deritashëm nuk jep shpresa për ndonjë tejkalim të mosmarrëveshjeve politike. Duhet të priten ditë më të mira”, përfundoi Krasniqi.

Ndryshe, gjatë këtij aksioni policor, nga të shtënat me armë zjarri është plagosur një zyrtar policor. Ndërkaq, katër zyrtarë policorë të tjerë kanë marrë lëndime të lehta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat