Kush i solli “dajtë” nga partitë e tjera për t`i hapur probleme LDK-së?

Politika

Kush i solli “dajtë” nga partitë e tjera për t`i hapur probleme LDK-së?

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 2 korrik 2019 Në ora: 19:15
LDK

“Ishte një proces zgjedhor i suksesshëm, me ndonjë përjashtim, kur dikush për t’i fituar i pranonte dhe ftonte në kuvend edhe “dajtë” nga parti tjera. Natyrisht se ata vinin për “probleme”, është shprehur deputetja e LDK-së, për gazetën “Bota sot”.

Lidhja Demokratike e Kosovës prej kohësh ka filluar zgjedhjet e saj të brendshme. Ani pse ishte përfolur se në muajin qershor-korrik, Lidhja Demokratike t’i shpallë zyrtarisht kandidaturat për kryetar të kësaj partie, edhe me tej asnjë nga kandidatët e mundshëm nuk e ka paraqitur kandidaturën.

Procesi i brendshëm zgjedhor në LDK gjithashtu muajve të fundit ka filluar të ballafaqohet edhe me probleme të shumta. Pothuajse në çdo nëndegë ka pasur përplasje fizike mes anëtarëve të partisë.

Përkundër raportimeve të shumta për gjendjen në të cilën po kalon LDK, zyrtarët e kësaj partie e thonë të kundërtën.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, konsiderojnë se procesi në të cilin është duke kaluar partia e tyre mund të quhet i suksesshëm, përderisa nuk lënë pa përmendur edhe problemet me të cilat është ballafaquar në disa prej nëndegëve e degëve të saj.

Ndërsa, njohësit e politikës në vend, janë të mendimit se kjo parti po kalon një nga proceset më të rëndësishme të brendshme, por edhe më dramatike që nga vdekja e presidentit Ibrahim Rugova. Sipas tyre, kjo çfarë po ndodh në LDK vjen si pasojë që kjo parti tashmë ka shpallur fitoren e zgjedhjeve të ardhshme shumë para kohe dhe si të tillë gara është ndezur dhe ashpërsuar së tepërmi.

Kajtazi: LDK ka potenciale

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherit edhe anëtare e kryesisë, Lirije Kajtazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur për procesin e brendshëm në të cilën është duke kaluar partia e saj.

Kajtazi konsideron se ky proces ishte i suksesshëm për partinë e tyre, përderisa nuk lë pa përmendur edhe problemet në të cilat kanë kaluar si subjekt.

Image
Lirije Kajtazi

“Ishte një proces zgjedhor i suksesshëm, me ndonjë përjashtim, kur dikush për t’i fituar i pranonte dhe ftonte në kuvend edhe “dajtë” nga parti tjera. Natyrisht se ata vinin për “probleme”, është shprehur deputetja e LDK-së, për gazetën “Bota sot”.

Ajo mes tjerash, ka shpjeguar se kandidaturat për ta marrë kreun e partisë duhet të paraqiten në Kuvendin e brendshëm, ashtu siç kumtohet edhe në statutin e kësaj partie.

“Kandidaturat, sipas statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dalin në kuvend. E mira është se LDK ka potenciale”, ka thënë krejt në fund, deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lirije Kajtazi.

Preteni: LDK po kalon një nga proceset më të rëndësishme

Musa Preteni, politolog, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se partia e Isa Mustafës po kalon një nga proceset më të rëndësishme dhe më dramatike që nga vdekja e presidentit Rugova.

Image
Musa Preteni

“LDK po kalon një nga proceset më të rëndësishme të brendshme, por edhe më dramatike që nga vdekja e presidentit Rugova. Kjo për shumë arsye ngaqë gara duket të jetë tepër interesante, por edhe këto zgjedhje përcaktojnë shumë për pozicionin e LDK-së në zgjedhjet e ardhshme, me konkretisht rezultatin elektoral”, ka thënë politologu Preteni.

Ai konsideron se problemet me të cilat është duke u ballafaquar kjo parti, po vijnë si rezultat i shpalljes së fitores së hershme, e cila edhe ka ndezur dhe ashpërsuar së tepërmi garën në këtë parti.

“Konsideroj që kjo çfarë po ndodh në LDK vjen si pasojë që kjo parti tashmë ka shpallur fitoren e zgjedhjeve të ardhshme shumë para kohe dhe si të tillë gara është ndezur dhe ashpërsuar së tepërmi”, ka theksuar ai.

Preteni, mes tjerash ka potencuar se Lidhja Demokratike e Kosovës duhet t’i hapë rrugë kuadrove të reja e në veçanti kuadrove me konsistencë politike.

“Konsideroj që LDK duhet ta kalojë këtë proces me maturi dhe të analizoje thellësisht situatën politike dhe strukturën e ardhshme politike. Lidhja Demokratike e Kosovës duhet t’i hapë rrugë kuadrove të reja e në veçanti kuadrove me konsistencë politike”, është shprehur në fund, politologu Musa Preteni, për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi: Nuk ka favorit, ja si duhet të zgjidhet kryetari i LDK-së

Ndërsa, në anën tjetër, analisti politik, Faik Krasniqi, duke folur për zgjedhjet e brendshme të LDK-së, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kjo parti është ballafaquar me probleme të shumta në shumicën prej degëve dhe nëndegëve.

Ai është i mendimit se këto probleme janë sinjal i qartë se ka shumë klane brenda LDK-së.

Image
Faik Krasniqi

“Në shumicën e degëve dhe nëndegëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kishte probleme gjatë procesit zgjedhor. Në shumë prej tyre edhe rrahje masive mes anëtarëve të saj, të njërit apo të krahut tjetër. Kjo tregon se ka shumë klane brenda LDK-së”, ka deklaruar Krasniqi.

Me tej, analisti politik ka thënë se në LDK nuk ka ndonjë favorit për ta marrë kreun e të parit të partisë.

Sipas Krasniqit, kryetari duhet të jetë ndonjë anëtar që nuk është pjesë e gardës së vjetër, por as ndonjë të klaneve brenda saj.

“Nuk shoh ndonjë favorit të madh për të parin e LDK-së. Sidoqoftë, nëse LDK dëshiron që në zgjedhjet nacionale të dal e fuqishme, atëherë duhet ta zgjedh kryetar një anëtar të saj që nuk është pjesë e gardës së vjetër, por as ndonjë të klaneve brenda saj. Në të kundërtën, në zgjedhje do të pësojë debakël”, ka përfunduar analisti politik, Faik Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.

Ndërkaq, kujtojmë se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kishte thënë se partia e tij do t’i japë mundësi secilit që e sheh vetën të gatshëm të kandidojë për të parin e partisë, duke mos përmendur asnjë emër konkret.

Sipas, tij e rëndësishme është që cilido që kandidon t’i takojë frymës rugoviane dhe qendrës së djathit.

“Në këtë fazë ne jemi të përqendruar në zgjedhjet në nëndegë dhe në degë kur ta kemi Kuvendin e LDK-së gati kur mbërrijmë tek ura ne atëherë do të bisedojmë edhe lidhur me kryetarin e LDK-së, do t’i japim mundësi që secili që pretendon, e sheh vetën të gatshëm, t’a marrë përgjegjësinë, të mbajë drejtimin rugovian të LDK-së, të jetë i qendrës së djathtë”, kishte deklaruar kreu i LDK-së, Isa Mustafa.

Së fundi, me shumicë votash kryesia e degës së LDK-së në Podujevë ka zgjedhur për kryetar të kësaj dege kryetarin aktual Agim Veliu.

Procesi zgjedhor në këtë degë ka shkuar i qetë ndërsa kryetari Veliu është rizgjedhur në krye të partisë në Podujevë pa asnjë kundër kandidatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat