Ideja e rrezikshme ndryshimit të kufijve është e fundosur, Thaçi e Rama bënë gabimin historik

Politika

Ideja e rrezikshme ndryshimit të kufijve është e fundosur, Thaçi e Rama bënë gabimin historik

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 6 korrik 2019 Në ora: 08:01
Edita Tahiri

“Është e fundosur ideja e ndryshimit të kufijve dhe për mendimin tim Thaçi e Rama bënë gabim historik duke u përfshi në këtë ide. Sepse kufijtë e Kosovës i kemi fituar me luftë dhe vetëm lufta do të mund t’i ndryshojë kufijtë dhe siç e thashë ndryshimi do të duhej me ndodh në gjithë Ballkanin, sepse nëse fillon në një pjesë të Ballkanit do të fillojë në gjithë Ballkanin. Kjo është historia e Ballkanit dhe luftërave që kanë ndodhur këndej”, tha ish-kryenegociatorja Edita Tahiri.

Në një bisedë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, tha se Kosova u turpërua me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kur kjo e fundit, shpalli të jashtëligjshëm Grupin Negociator, të kryesuar nga Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj.

Ajo, theksoi se me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, apriori, kanë dështuar tri institucionet më të larta shtetërore, duke filluar nga Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi.

Dështimi i institucioneve me ekipin negociator

Tahiri, ndër të tjera tha se, Kosova duhet të përfaqësohet nga një grup i cili përbëhet me njerëz të aftë, të cilët përpara vetës e vënë Kushtetutën e Kosovës.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese se ky egip negociator nuk ka bazë kushtetuese, tregon një dështim të vet ekipit negociator por edhe të institucioneve të Kosovës, si të Qeverisë e po ashtu edhe të Parlamentit, ngase që të gjitha institucionet kanë bërë gabim në raport Kushtetutën. Dhe kjo është një gjendje turpëruese sidomos për ekipin negociator, i cili ka pasur përgjegjësi të negociojë me armikun, gjegjësisht Serbinë duke mos pasur njohuri bazë mbi Kushtetutën”, tha ajo. 

Tahiri përmendi edhe kohën kur ka qenë si kryenegociatore, ku ajo dhe grupi i saj, udhëhoqën bisedimet me Serbinë për afër 7 vite, ku u arritën gjithsej 33 marrëveshje.

“Vet kam qenë kryenegociatore 7 vjet në dialogun e Brukselit ku u arritën 33 marrëveshje, që të gjitha janë në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Dhe vazhdimisht iu kam thanë që të gjithëve, përfshi këtu njohës të politikave, juristë e këdo që mund të gjej ndonjë shkelje, asnjëherë nuk ka patur vërejtje. Kjo tregon që kam punuar me ekipe profesione edhe juridiko-kushtetuese. Kosova duhet me pas këshilltar të aftë të cilët njohin fushën”, tha ajo.

Ish-kryenegociatorja Tahiri, për “Bota sot”, ndër të tjera tha se një shtet duhet të dëshmojë aftësi për marrëdhënie ndërkombëtare, negociata e qoftë edhe me Serbinë që ka një histori armiqësore me Kosovën.

“Përgjegjësia bie në radhë të parë tek ekipi negociator sepse është ky ekip i cili ka hy për të bërë propozimin e një ligji për kompetencat e veta, pra këtu po flasim që njerëzit në ekip kanë dështuar në raport me Kushtetutën. Negociatat me Serbinë, gjithnjë me ndërmjetësimin e ndërkombëtareve kërkojnë ekip të profilit të lartë dhe një ekip uniteti”, nënvizoi ajo.

Asnjëherë nuk kishte bisedime teknike me Serbinë

E pyetur se cila do të jetë e ardhmja e dialogut ngase tash është në kontekstin politik e jo teknik siç presupozohej të ishte dikur, Tahiri, tha se asnjëherë nuk ka pasur biseda teknike por gjithmonë politike.

Për shkak të rrethanave, duke mos dashur të krijoj panik, Tahiri theksoi se qëllimisht i është përmbajtur terminologjisë teknike, por se bisedimet kanë qenë përherë politike.

“Të ju them drejtën me Serbinë, nuk ka kurrgjë teknike. I gjithë dialogu i quajtur teknik, por esenca ishte politike. Unë gjithnjë iu kam përmbajtur terminologjisë teknik për të mos shkaktuar shqetësime në popullatë. Por, nuk ka asgjë teknike në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, për shkak të historisë së luftës dhe gjenocidit serb në Kosovë po edhe për shkak se ky dialog duhet të sjellë njohjen reciproke në kufijtë ekzistues”, tha Tahiri.

Tahiri, shtoi se politika e dialogut shtatë vjeçar ka qenë mbrojtja e sovranitetit të shtetit të Kosovës dhe mbrojtja e Kushtetutës së Kosovës në çdo element të marrëveshjeve qoftë edhe teknik.

Ajo, tha se tash kur bisedimet me Serbinë po shkojnë drejtë fazës përfundimtare, duhet të jemi të kujdesshëm që, të mos përsëritet gabimi i grupit negociator të shpallur jashtëligjor.

“Tash kur po hyjmë në fazën finale apo përfundimtare në mes të dialogut të dy shteteve nga ana e Kosovës duhet të ketë njohës së pari të Kushtetutës, të ligjeve të Kosovës, pastaj njohës së të drejtës ndërkombëtare për marrëdhëniet në mes të dy shteteve që kanë kaluar luftën. Duhet të ketë njohuri për proceset e suksesionit sepse Kosovës i takon një e të tetat e pasurisë së ish-Jugosllavisë dhe kërkohet njohje ndërkombëtare për çështjet e repreracioneve të luftës sepse këtu kemi të bëjmë me vrasje, kanosje, shkatërrime shpirtërore e fizike. Pastaj kemi dhunimet e mbi 20 mijë grave e mbi 11 mijë të vrarë. Pra ekipi duhet t’i njeh të gjitha këto në mënyrë që të jetë i aftë për t’i mbrojtur dhe t’i përfshijë në marreëveshjen finale me Serbinë”, tha ajo.

Sa i përket çështjes së ndryshimit të lidershipit në BE, Tahiri, tha se asnjë problem s’ka për Kosovën nëse personi i cili ndërmjetëson bisedimet vjen nga një shtet i cili nuk e njeh shtetin tonë.

Faktori Gjermani

Ajo që është pozitive për Kosovën është se në krye të BE-së, qëndron Gjermania e cila njeh dhe përkrahë në çdo hap Kosovën.

“Për mendimin tim duhet parë se lidershipi i BE-së, ka kaluar në duart e Gjermanisë. Sepse presidentja e komisionit evropian që është kupola e BE-së, e cila ka qenë ministre e mbrojtjes së Gjermanisë. E dyta Gjermania ka qëndrim të qartë të mbështetje të pavarësisë së Kosovës dhe kundër ndryshimit të kufijve, lojëra këto që i pamë e që ishin shumë të rrezikshme për Kosovën por që e mposhtëm”, tha ajo.

Përfaqësuesi spanjoll, sipas Tahirit, pavarësisht çfarë historiku ka pasur më përpara në qeverinë spanjolle, tani ai është në Bashkimin Evropian, për të shërbyer dhe zbatuar politikat e BE-së.

Ajo, tha se e mira për Kosovën është se Bashkimi Evropian ka konfirmuar se gjashtë vendet e Ballkanit janë në rrugën e integrimeve Evropiane, që u konfirmua në samitin e Sofjes, në fillim të vitit.

“Dhe po ashtu siç po e shihni, Mogherini dhe Hahn, që gabuan dhe hapën hapësira për idetë e rrezikshme, po e përfundojnë mandatin të dështuar në raport me dialogun e Brukselit dhe ky dështim nuk ndodhi rastësisht sepse liderët kryesor euro-amerikan e mbyllën rrugën për prekje parciale të kufijve. Sepse ndryshimi kufijve Kosovë – Serbi do ta dëmtonte Kosovën sepse pasuria jonë është në veri. Nëse do të kishte ndryshim kufijsh do të duhej ta përfshinte gjithë Ballkanin”, tha ajo.

Sipas Tahirit, nuk duhet paragjykuar diplomatët ngase ata përfaqësojnë politikat e Organizatave që përfaqësojnë e jo politikat individuale të kujtdo qofshin.

“Po ju them edhe në kohën kur Mahti Ahtirasi kur u pat emëruar nga OKB si kryesues për bisedimet e Vjenës, ka pasur zëra që kanë thënë se ai ka qenë kundër Kosovës dhe kundër bombardimeve të NATO-s. Më kujtohet edhe mua kur kam qenë në një debat kur kam dëgjuar zëra të tillë edhe atëherë kam pas thanë se nuk duhen të paragjykohen diplomatët se varet në çfarë konteksti po vepron”, tha ajo.

Më tej, Tahiri kujtoi Martti Ahtisarin që udhëhoqi bisedimet në Vjenë dhe që fatkeqësisht paragjykohej, por në fakt doli e kundërta nga ajo çfarë është thënë.

“Kur hyni Ahtisari në kontekstin e grupit të kontaktit e cila udhëhiqej nga SHBA-të, e që ishte emisar special i OKB-së, ishte Ahtisari vet që doli me propozimin për pavarësinë e Kosovës prandaj nuk është mirë të paragjykohen diplomatët sepse ata veprojnë me një mandat në kuadër të BE-së apo OKB-së, ku nuk mund të merren politika individuale”, tha Tahiri.

Është e fundosur ideja e ndryshimit të kufijve

Në bisedë e sipër, Tahiri tha se ideja e Thaçit për shkëmbim të territoreve, tanimë është e fundosur.

“Është e fundosur ideja e ndryshimit të kufijve dhe për mendimin tim Thaçi e Rama bënë gabim historik duke u përfshi në këtë ide. Sepse kufijtë e Kosovës i kemi fituar me luftë dhe vetëm lufta do të mund t’i ndryshojë kufijtë dhe siç e thashë ndryshimi do të duhej me ndodh në gjithë Ballkanin, sepse nëse fillon në një pjesë të Ballkanit do të fillojë në gjithë Ballkanin. Kjo është historia e Ballkanit dhe luftërave që kanë ndodhur këndej”, tha ajo.

Ajo përmendi edhe faktin për fatin e mirë të Kosovës që në krahë të saj, kishte SHBA-të që kur filluan negociatat me Serbinë.

“Prej fillimit qysh ka filluar ky dialog në vitin 2011, SHBA-ja është e involvuar plotësisht. Madje në vitet e para, SHBA-ja, ka qenë pjesë e tavolinës së bisedimeve e përfaqësuar nga niveli i zëvendës-ndihmës i sekretarit të shtetit. Pra si BE-ja e po ashtu edhe SHBA-të kanë qenë në tryezën e bisedimeve”, tha ajo.

Kur vazhdoi dialogu për normalizim, Tahiri, tha se SHBA-ja ka qenë prezente, ka ndihmuar dhe punuar. Madje, nëë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve më të vështira në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Mirëpo, nuk ka qenë direkt në tavolinë sepse u rritën apetitet e të disa shteteve që po ashtu të vijnë e të bëhen pjesë e tavolinës, këtu e kam parasysh Rusinë. Dhe të gjithë e dimë që Rusia po punon për destabilizimin e Ballkanit dhe rritjen e influencës dhe po kërkon një lloj ndërmjetësimi. Edhe në Rambuje e po ashtu edhe në bisedimet e Vjenës, Rusia ka qenë prezente si një prej ndërmjetësuesve prandaj po mendoj që SHBA-të do të duhej të jenë të involvuar për të penguar Rusinë, që të ketë hapësirë në këtë dialog”, tha ajo.

Qeveria Haradinaj është shumë e dobët

Ish-kryenegociatorja Edita Tahiri, për “Bota sot”, tha se Qeveria Haradinaj është një nga qeveritë më të dobëta e më korruptive që nga paslufta.

Sipas saj, e vetmja punë e mirë e Haradinajt, është se vuri taksën ndaj produkteve serbe.

“Qeveria Haradinaj është shumë e dobët. Me skandale e shumë shkelje. Me shumë korrupsion. Dhe pikërisht ardhja e kësaj qeverie është pritur që të luftojë korrupsionin në mënyrë që ne ta marrim liberalizimin e vizave por që të gjithë po e shohim se vazhdimi dhe thellimi i korrupsionit po e mbanë Kosovën të izoluar. Vet qeveria duhet të mendoj për këto punë. Ajo që ka bërë mirë z. Haradinaj është mbrojtja e kufijve të Kosovës me vendosjen e taksës edhe pse gabimi i tij i parë dhe kryesor është që ia dorëzoi presidentit dialogun sepse dialogu është kompetencë e qeverisë dhe sot është e paqartë si i kaloi Presidentit dialogu ngase me rezolutën e Kuvendit, Qeveria është kompetente”, tha Tahiri.

Ajo, shtoi se për një Kosovë më të mirë, duhet që të jemi aktiv gjithsecili.

“Ajo që është kryesorja, është që ne të gjithë që jemi aktiv politik dhe unë prej një themelueseve të këtij shteti e që kam mbet thuaja e vetmja prej gjeneratës që para tridhjetë vitesh që jemi aktive pra në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kemi qenë një grup i fortë që e kemi bërë arkitekturën e Pavarësisë në krye me Rugovën e Fehmi Aganin. Prej asaj gjenerate unë kam mbet aktive prandaj kam luftuar me të gjitha mjetet e fuqitë qoftë në planin nacional, medial dhe diplomatik për ta bllokuar idenë e rrezikshme të kufijve dhe jam e kënaqur që e kemi mposhtur por gjithsesi duhet të jemi vigjilent nëse do të ketë sinjal të gabueshëm që të pengojmë dëmtimin e Kosovës dhe interesave kombëtare shqiptare në tërësi”, tha ajo.

Tahiri: Bashkë me Presidentin Rugova arritëm ta ndërtojmë aleancën strategjike në mes të Kosovës dhe SHBA-vë

Meqë u përmend e kaluara, gjegjësisht LDK-ja, e pyetur për veprimtarinë e Presidentit Rugova, Tahiri, tha veprimtaria e Ibrahim Rugovës, për periudhën dhjetëvjeçare të çlirimit ka qenë veprimtari kombëtare, atdhetare e vizionare.

“Ai ka qenë lider i guximshëm që morri përsipër ta udhëheq LDK-në ngase ai nuk ka qenë pjesë e themelimit. Disa e refuzuan e ai ishte i guximshëm për ta marrë. Ishte i zgjuar dhe i mençur e ruajti unitetin e popullit. Nuk ka qenë politikanë konfrontues përkundër kritikave që i merrte”, tha ajo.

Tahiri, tha se Ibrahim Rugova mund të mos ketë qenë vendimmarrës por kjo nuk e bën më të vogël figurën e tij ngase në raste konkrete Rugova kishte qëndrimet e tij të thukëta për një Kosovë të së drejtës ku gjithsecili të jetoj i lirë.

“Ishte diplomat dhe ka ditë pra me një qasje diplomatike që të përvetësojë në planin ndërkombëtar, fundja Rugova si President dhe unë si ministre, kemi arritur që në dy vitet e para të ndërtojmë aleancën strategjike në mes të Kosovës dhe SHBA-vë. Që nga 92, kur Presidenti Bush doli me kërcënimin se nëse përshkallzohet dhuna në Kosova, SHBA-ja do të ndërhyjë. Sepse, kur kemi parë që duhet veprime e aksione konkrete, kur na i kemi ndërmarrë si udhëheqje, ai i ka përkrahë ato. Dhe në këtë pikë, këtu e shoh pozitivitetin e tij”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat