Kjo e keqe e pret Kosovën ditëve të ardhshme

Politika

Kjo e keqe e pret Kosovën ditëve të ardhshme

Nga: D.RR Më: 28 korrik 2019 Në ora: 14:36
Kjo e keqe e pret Kosovën nëse nuk ka zgjedhje të jashtëzakonshme

Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit për shkak të ftesës që iu bë atij nga Gjykata Speciale, në cilësinë e të dyshuarit. Kjo është hera e tretë që Ramush Haradinaj përballet me drejtësinë ndërkombëtare, ku dy herët e kaluara, ai ishte shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës.

Haradinaj ka thënë publikisht se dorëheqja e tij është e parevokueshme, mirëpo deri në legjislaturën e radhës, ai ka thënë se do t’i kryej punët e kryeministrit, për të mos lënë vakuum politik, pasi Haradinaj po i frikësohet këtij vakuumi. Madje, ai ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Tani të gjitha partitë politike i kanë sytë te presidenti Thaçi, i cili duhet të shpallë datën e zgjedhje, në një takim me të gjitha partitë politike.

Deri më tani, presidenti Thaçi nuk ka dhënë sinjale se do t’i shpallë shumë shpejt zgjedhjet e jashtëzakonshme, ndërsa ka dyshime se qëllimisht po “zhagiten” zgjedhjet për arsye të ndryshme.

Njëra ndër arsyet mund të jetë edhe konsolidimi i dobët i PDK-së, parti me të cilën presidenti ka ende lidhje të ngushta, ndonëse nuk është zyrtarisht anëtarë i kësaj partie, që nga koha kur ishte kryetar i saj.

Tjetra arsye dhe më e rrezikshmja pse nuk po shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme, është mundësia që presidenti ta shfrytëzojë këtë gjendje politike, dhe përmes shtyrjes së zgjedhjeve, ai mund të bëj manovrime për një marrëveshje me Serbinë, konkretisht ta nënshkruaj marrëveshjen me idenë e tij për korrigjim kufijsh.

Haradinaj nuk e ka forcën politike për momentin që ta ndalë presidentin dhe ta kundërshtojë atë përmes procedurave ligjore që ta bllokojë një marrëveshje ku preken kufijtë.

Sigurisht se pjesë e skenarit për shtyrjen e zgjedhjeve mund të jetë edhe tentimi i presidentit për të arritur një marrëveshje për një qeveri teknike, mirëpo deri më tash të gjitha partitë e tjera politike përveç PDK-së, nuk kanë shprehur vullnet që të bëhen pjesë e një qeverie teknike, madje as LDK-ja.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme më së paku i konvenojnë PDK-së, e cila nuk është e fortë si parti dhe për herë të parë, mund të jetë pjesë e opozitës, pasi partitë e mëdha janë zotuar se nuk do të hyjnë në një koalicion ku është edhe PDK-ja. Megjithatë fjalori politik, nga përvoja e mëhershme, nuk është shumë i besueshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat