Akuzohet Dhurata Hoxha: Me punën e saj shfuqizoi njohjet e Kosovës

Politika

Akuzohet Dhurata Hoxha: Me punën e saj shfuqizoi njohjet e Kosovës

Nga: D. B Më: 1 gusht 2019 Në ora: 14:03
Dhurata Hoxha

Ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha, ka konsideruar se procesi i liberalizimit të vizave do të zvarritet edhe më tej nëse në Kosovë do të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme. Hoxha ka thënë se ndërrimet në qeverisje nuk i bëjnë mirë procesit integrues të vendit.

“Ndërrimet në qeverisje nuk i bëjnë mirë procesit integrues, pavarësisht se detyrat, punët dhe funksionet janë të institucioneve ekzekutive dhe të stafit civil. Nuk ma merr mendja se do të shkaktohet dëm, megjithatë procesi zgjedhor në rrafshin ndërkombëtar shkakton ngecje. Proceset me interes për vendin të konfirmuara me konsensualitet në rrafshin ndërkombëtar janë më të rëndësishme se proceset e brendshme politike”, ka thënë ajo.

Mirëpo pavarësisht kësaj Hoxha, ka theksuar se ende shpreson se mund të ketë një moment për heqjen e vizave, çka do të ishte sinjal i qartë i përkushtimit të Ministrisë që ajo ka udhëhequr për dy vjet. “Po, kemi pasur dhe shpresojmë të kemi momentumin e vendimit pozitiv për liberalizim, i cili do të ishte rikonfirmim i angazhimit tonë gjithëpërfshirës dhe konsekuent për t’i zbatuar 95 kushtet për liberalizim, duke qenë interes madhor, interes i konfirmuar nga të gjitha forcat politike në të gjitha përbërjet e deritashme qeverisëse”, ka shtuar Ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha.

Por  njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi ka thënë për “Bota sot” se Ministrja e Integrimeve Dhurata Hoxha, nuk ka të drejtë të arsyetohet se nëse mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme do të prolongohet liberalizimi i vizave.

Sipas tij, kjo që thotë Dhurata Hoxha është e turpshme, e palogjikshme e skadaloze, sepse dy vjet radhazi të udhëheqë Ministrinë e Integrimeve e mos të bënte asnjë lëvizje të vogël në dobi të popullatës së Kosovës, është pa aftësi totale.

“Jo vetëm që s'u bë liberalizimi i vizave, por Dhurata me punën e saj hedoniste shfuqizoi njohjet e Kosovës nga njëmbëdhjetë shtete. Para se të thotë se s'është për zgjedhje të jashtëzakonshme, le të na tregonte Dhurata se ç ‘bëri gjatë këtyre dy viteve Ministria e saj? Asgjë, bile dhe një guralec të vogël nuk ka mundur të integronte në rrafshin ndërkombëtar. Si është e mundur të thotë se proceset politike të brendshme s'janë kurrgjë karshi proceseve ndërkombëtare, kur është pikërisht e kundërta, sepse nëse proceset politike të brendshme shkojnë ashtu si kërkojnë, atëherë  e duan ndërkombëtarët dhe ja integrimi i Kosovës në Evropë. Nuk mund të bëhet integrimi me një qeveri plaçkitëse, të korruptuar, të s'kandalizuar e pasive, por me detyrat strikte që kërkojnë ndërkombëtarët. Normale, Dhurata Hoxha s'do ndryshimin e qeverisë për shkak pozicionit të saj ministror, asaj më shumë i intereson karriera e lartë politike se sa integrimi i Republikës së Kosovës në instancat më të larta evropiane”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat