Tashmë Gjykata Speciale ka nisur intervistimin e të dyshuarve dhe dëshmitarëve. Ky hap shënon edhe fillimin konkret të punës së Dhomave të Specializuara të Prokurorit Special.
Deri më tash janë intervistuar një numër i madh i ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përfshirë komandantë e shtarë dhe protagonistë të tjerë të luftës së vitit 1998-1999.
U thirr edhe Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqje për shkak të kësaj ftese.
Por, cili është imazhi i Kosovës, pas këtyre ftesave dhe në përgjithësi punës së Gjykatës Speciale.
Përfaqësues të partive politike dhe analistë konsiderojnë se diplomacia e Jashtme, gjegjësisht Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, në arenën ndërkombëtare nuk po arrin të mbrojë imazhin e vendit aq sa duhet, pas dyshimeve për krime lufte.
Gecaj: Kjo qeveri dhe kjo udhëheqje e MPJ nuk janë të përgatitur për asgjë
Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, për “Bota sot”, ka thënë se udhëheqja aktuale e Ministrisë së Punëve të Jashtme nuk është aq fort e përgatitur për të tilla raste.
Ai ka thënë se shpresa mbetët tek qeveria e ardhshme që do të krijohet.
“Unë besoj që kjo qeveri dhe kjo udhëheqje e MPJ nuk janë të përgatitur bash për asgjë. Të shpresojmë dhe të punojmë që qeveria e ardhshme të jetë larg më kompetente se kjo e tanishmja”, tha ai.
Krasniqi: Ne s’kemi kapacitete që të mbrojmë imazhin e Kosovës
Ndërkohë, analisti dhe njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi, për “Bota sot”, ka thënë se Gjykata Speciale është votuar nga Kuvendi i Kosovës.
Sipas tij, ky ka qenë gabimi më i madh sepse nuk është çështje individësh pse dënohen por qëllimi i krijimit të Gjykatës, i cili është barazpeshimi i krimeve serbe ndaj shqiptare me krimet e supozuara të shqiptarëve ndaj serbëve.
“Gjykata Speciale është votuar nga Kuvendi i Kosovës. Ky ka qenë gabimi më i madh sepse nuk është çështje individësh pse dënohen por qëllimi është të barazpeshohen krimet serbe ndaj shqiptarëve, me krimet e supozuara të shqiptarëve ndaj serbëve”, tha ai.
Në këtë rast, Krasniqi është i mendimit që Ministria e Jashtme nuk mund të bëj asgjë në raport me këtë situatë.
“Çfarë mund të bëj diplomacia e jashtme e Kosovës që ta mbroj imazhin e Kosovës? Asgjë s’mund të bëj. Ne s’kemi kapacitete që të mbrojmë imazhin e Kosovës, kur kemi parasysh çfarë njerëz na përfaqësojnë në arenën ndërkombëtare. Me analfabetë klasik nuk mbrohet imazhi i shtetit. Çfarë mund të bëjmë ne për ta mbrojtur imazhin e shtetit, i mbetët popullit që t’i largoj një herë e përgjithmonë ata që Kosovën e kanë sjellë në këtë gjendje të mjerueshme”, tha Krasniqi.
Shahu: Imazhi i Kosovës veç sa kthjellohet
Ndërkohë, publicisti Rexhep Shahu, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Gjykata Speciale nuk e cenon aspak imazhin e Kosovës për shkak se ata që do të mund të akuzohen janë individë e ata individë nuk janë Kosova.
“Gjykata speciale nuk e cenon aspak imazhin e Kosovës përkundrazi, sepse ata që mund të akuzojë gjykata speciale janë individë dhe ato individë nuk janë Kosova. Nuk po gjykohet as dënohet Kosova, as lufta e saj e shenjtë, as ushtria UÇK me e ndritshmja ushtri për shqiptarët por mund të gjykohen individë të caktuar qofshin edhe zota”, tha ai.
Shahu, theksoi se diplomacia e Kosovës nuk ka nevojë ta mbrojë askënd.
“Prandaj mendoj se nuk ka asnjë nevojë diplomacia e Kosovës me mbrojte askënd pasi imazhi i Kosovës veç sa kthjellohet. Kësisoj, Kosova shpëton prej stuhisë se akuzave kryesisht me sponsorizim serb. Duhet me ditë se askush nuk është sa Kosova që më pase mundësi më e shëmtuar Kosovën”, tha ai.
Shahu, potencoi se Diplomacia e Kosovës të mos thyej arra por të përballet me serbët dhe në mos tjetër, të ndalojë tërheqjet e njohjeve.
Haziri: Ndreqja e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare do të jetë barrë jo e lehtë për qeverinë e ardhshme
Nexhat Haziri, publicist, tha se nëse bëhet fjalë për të intervistuarit nga Gjykata Speciale e që mbajnë poste të larta shtetërore, është shumë e vështirë mbrojtja e imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare.
“Nëse flasim për të intervistuarit nga Gjykata Speciale e që mbajnë poste të larta shtetërore, dhe atë se kush aktualisht udhëheq me diplomacinë kosovare, mendoj se është shumë vështire mbrojtja e imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare, imazh ky edhe ashtu negativ për shkak të portretizimit të liderëve politik të Kosovës se janë të lidhur me krimin e organizuar, siç ishte raporti i fundit i organizatës IFIMES, dhe shumë raporteve të tjera qofshin nga mediet prestigjioze ndërkombëtare por edhe organizata dhe institute që merren me sigurinë dhe hultumtimin e krimit të organizuar”, tha ai.
Ai, është i mendimit se mbrojtja apo rregullimi i imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare do të jetë barrë jo e lehtë për qeveritë në vijim, respektivisht diplomacinë kosovare.
“Unë mendoj se mbrojtja apo më mirë të themi ndreqja e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare do të jetë barrë jo e lehtë për qeverinë e ardhshme, konkretisht diplomacinë kosovare, që do të dal nga zgjedhjet e parakohshme të vjeshtës së sivjetme. Dhe kjo kërkon që në diplomacinë tonë të vendosën njerëz me kredibilitet politik dhe moral, që puna e Gjykatës Speciale të mos reflektoj në pozicioni ndërkombëtar të vendit, pasi Serbia po ashtu do të mundohet ta shfrytëzoj punën e Gjykatës Speciale dhe proceset kundër njerëzve të fortë të politikës, që përmes propagandës të ndikojë të shtete që nuk na kanë njohur, për t`i bindur ato ta mbajnë kursin e mosnjohjes së shtetit të Kosovës”, tha ai.
Haziri, në fund, theksoi se Gjykata Speciale do ta ndihmoj Kosovën në dekriminalizimin e saj në skenën politike.
“Në fund e kam thënë edhe shumë herë se Gjykata Speciale do ta ndihmoj Kosovën në dekriminalizimin e skenës politike të vendit, por që edhe mund të ketë pasojat e veta, siç është rejtingu u vendit në arenën ndërkombëtare”, tha Haziri.