Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, do të jetë kandidate e kësaj partie për kryeministre të Kosovës në zgjedhjet nacionale, të cilat do të mbahen më 6 tetor të këtij viti.
Ky vendim për partinë më të madhe në vend, erdhi pas mbledhjes së kryesisë që mbajti ditë më parë. Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur që ish-deputeten Vjosa Osmani ta kandidojë për kryeministre të Kosovës në zgjedhjet e parakohshme.
Kandidimi i ish-deputetes, zgjoi interesim të madh në opinion, derisa pati edhe komente për këtë çështje, duke e ditur se ambiciet brenda kësaj partie për këtë pozitë nuk qenë të vogla.
Për këtë çështje ka folur edhe ish-bashkëpunëtori dhe ish-këshilltari i presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, Alush Gashi.
Gashi në një deklaratë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se partia e tij e ka traditën dhe kulturën, dhe kështu ka arritur që edhe për këtë çështje të rëndësishme të merr vendim konsensual.
“Lidhja Demokratike e Kosovës e ka kultivuar debatin politik dhe ka arritur që edhe për çështje të rëndësishme të merr vendim konsensual, siç ishte rasti për nomin të Vjosa Osmanit për të parën e Qeverisë”, ka thënë Gashi për gazetën “Bota sot”.
Tutje, ai ka theksuar se kandidimin e Vjosa Osmanit për kryeministre të Kosovës në zgjedhjet nacionale e mbështet i tërë mekanizmi i partisë.
“I tërë mekanizmi i Lidhjes Demokratike të Kosovës e mbështet këtë nominim”, ka deklaruar Gashi.
Ndërkaq, kujtojmë se njerëz të afërt të ish-presidentit Ibrahim Rugova, tashmë do të jenë pjesë e organeve të reja të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në Kuvendin e IX Zgjedhorë të mbajtur të ditë më parë, LDK në Këshillin e Përgjithshëm ka zgjedhur figura të afërta me ish-presidentin Rugova
Në mesin e anëtarëve të zgjedhur është edhe ish-bashkëpunëtori i dhe ish-këshilltari i tij, Alush Gashi.