"Peshq të mëdhenj" të politikës në Kosovë do të japin llogari në Gjykatën Speciale për vrasjet politike

Politika

"Peshq të mëdhenj" të politikës në Kosovë do të japin llogari në Gjykatën Speciale për vrasjet politike

Nga: D. B. Më: 21 nëntor 2019 Në ora: 14:39
Gjykata Speciale

Vrasjet politike të pasluftës, janë një ndër plagët më të mëdha të Kosovës së sotme, krahas plagëve të tjerë të trashëguara nga dhuna e terrori serb në Kosovë, si dhe plagës së korrupsionit dhe keqqeverisjes së këtyre dhjetë viteve të fundit.

Kështu ka vlerësuar profesor ndërkombëtar Enver Bytyçi i cili në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se koalicioni në qeverisje LVV-LDK, tashmë i ka të gjitha shanset që të bëjë ndryshimin e madh, për të cilin kanë votuar qytetarët e Kosovës, por kjo varet nga shumë rrethana dhe faktorë.

“Në çështjet e qeverisjes së drejtpërdrejtë, ku ekzekutivi luan rolin vendimtar, ky koalicion i ka duart e lira të bëjë ndryshimin e kërkuar. Kjo do të thotë se priten rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit, në dialogun me Serbinë, në mënyrën e qeverisjes dhe ushtrimin e saj. Por nuk duhet pritur mrekullia sa i përket zbardhjes së vrasjeve të pasluftës. Kjo sepse qeveria dhe parlamenti nuk kanë akses praktik në këto çështje. Janë gjykatat, prokuroria dhe institucionet e drejtësisë ato që përcaktojnë fatin e këtyre vrasjeve. Policia luan një rol të rëndësishëm, por policia e ka të vështirë të sigurojë prova për krime që kanë ndodhur 20 ose 15 vite më parë. Prandaj e vetmja shtysë që krijohet është disponimi i qeverisë së re për t'i shkuar deri në fund këtij procesi. Andaj nuk besoj se do të mungojë vullneti politik, i dy partive në koalicion për këtë, edhe pse kjo nuk mjafton”, ka thënë profesori Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, do të duhen prova dhe fakte, me të cilat nuk mund të merret qeveria e as parlamenti, sepse në këtë kuptim rol vendimtar do të ketë, Gjykata Speciale në Hagë.

“Mund të besojmë se vetëm ajo ka autoritetin e duhur dhe hapësirën e nevojshme për t'i shkuar deri në fund hetimeve për vrasjet e pasluftës. Gjykata Speciale ka deklaruar, se këto vrasje do t'i ketë objekt të punës së saj. Andaj qeveria duhet ta mbështesë dhe t'i kërkojë asaj zyrtarisht që të hartojë një platformë, dhe program konkret për këtë qëllim. Nëse Gjykata Speciale arrin dhe zbulon këto krime e për pasojë i sjell në bankën e të akuzuarve autorët, ekzekutorët dhe ideatorët e këtyre krimeve, atëherë unë besoj se në bankën e të akuzuarve do të shkojnë peshq të mëdhenj të politikës shqiptare në Kosovë”, ka thënë profesor Enver Bytyçi.

Ai më tej ka shtuar se Albin Kurti dhe Vjosa Omani, kanë në dorë të angazhojnë policinë e shtetit, dhe të mbështesin prokurorinë e shtetit në këtë mision.

“Dyshja Kurti dhe Osmani kanë në dorë të mbështesin, dhe të inkurajojnë një bashkëpunim solid midis organeve të drejtësisë në Kosovë dhe Gjykatës Speciale. Për pasojë mund të kontribuojnë në zbardhjen e vrasjeve të pasluftës në Kosovë, vrasje të cilat janë kryekëput krime politike dhe si të tilla me ideatorë, organizatorë dhe ekzekutorë në politikë”, ka thënë profesori ndërkombëtar Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat