Shtohet presioni ndërkombëtar mbi VV-në dhe LDK-në për arritjen e koalicionit

Politika

Shtohet presioni ndërkombëtar mbi VV-në dhe LDK-në për arritjen e koalicionit

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 6 dhjetor 2019 Në ora: 08:39
Isa Mustafa, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Ditëve të fundit janë “acaruar” marrëdhëniet ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo gjendje ka ardhur si pasojë e mos gjetjes së një gjuhe të përbashkët ndërmjet krerëve të këtyre dy partive për nënshkrimin e një marrëveshjeje për koalicionin qeverisës.

Nga Vetëvendosje është deklaruar se LDK ka kërkuar pesë (5) ministri, Kryeparlamentarin, si dhe Presidentin. Për këtë çështje VV-ja nuk është pajtuar.

Ndërsa, gjatë këtyre ditëve vendin e ka vizituar një delegacion nga Bashkimi Evropian, i kryesuar nga kryetari i Grupit të EPP-së në Parlamentin Evropian, ManfredWeber, i cili ishte i shoqëruar nga nënkryetari i tij dhe deputeti i PE-së, Andrey Kovatchev, asistentja e tij, Nina Tavcar, shefja e Misionit të BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova dhe zëvendës shefi i kësaj zyre, Riccardo Serri.

Ndërkaq, kryetari i Grupit të EPP-së në Parlamentin Evropian, Manfred Weber, gjatë të mërkurës ka zhvilluar takime të ndara me Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.

Weber interesohet për zgjedhjet 

Pas takimit me udhëheqësit e LDK-së,  Weber ka deklaruar për media se vullneti i qytetarëve është shprehur në zgjedhjet  e 6 tetorit dhe është i qartë.

“Për mysafirët apo të huajt nuk është e mirë të intervenojmë në partitë vendase dhe është çështje e tyre të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të ardhmen, vullneti i qytetarëve është i qartë kështu  zgjedhjet, formimi i parlamentit është i qartë, qytetarët e shprehën vullnetin e tyre për të ardhmen  dhe tani politika ka një përgjegjësi të madhe të garantojë stabilitet për vendin dhe në tërë rajonin nevojitet stabilitet si gjëja më e rëndësishme që t’u japin popullit perspektivë. Mesazhi për këtu në Kosovë, por edhe në rajon është shumë krucial për gjeneratat e reja që t’u japin perspektivë, sepse njerëzit po e braktisin vendin, t’u japin popullit perspektivë të vërtetë në rajon dhe është detyrë e madhe në nivel evropian për të rimarrë nisma të reja që t’ju tregojmë gjeneratave të reja të qëndrojnë, të punojnë për vendin tuaj, sepse ju keni perspektivë”, ka thënë Weber për “Bota sot”.

Ndërsa, përmes një komunikate për mediat tëLëvizjes Vetëvendosje, thuhet se Weber është interesuar për rezultatin e bisedimeve me Lidhjen Demokratike, por nuk janë dhënë detaje tjera sa i përket takimeve më LDK-në.

“Ai u interesua për rezultatin e bisedimeve me Lidhjen Demokratike dhe theksoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor, ndryshe nga zhvillimet e fundit ku disa shtete shprehën qëndrime të caktuara për hapjen e negociatave është rajon me prioritet të lartë për BE-në”, thuhet në komunikatën për media.

Vizitën e delegacionit evropiane të kryesuar nga Weber, njohësit e çështjeve politikee lidhin me zhvillimet e fundit politike. Ata shprehen se Weber ka ardhur me agjendë për t`i dhënë shtytje LDK-së dhe VV-së që të nënshkruajnë marrëveshjen për të krijuar qeverinë e re nga këto dy parti.

Lidhur më këtë çështje, zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Elezaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka shprehet se Weber ka ardhur me agjendë të caktuar.

“Po, vet vizita sot në Kosovë e kryetarit të Grupit të EPP-së në Parlamentin Evropian, z. Manfred Weber, dhe takimi i tij i parë me kryetarin e LDK-së, si anëtare e këtij Grupi, Isa Mustafën, flet qartë se ai kishte ardhur me agjendë të caktuar, së pari për të dëgjuar më për së afërmi pikëpamjet dhe kërkesat e LDK-së për koalicion me LVV-je, dhe së dyti, nëse ka hapësirë të ndihmojë personalisht në përafrimin e qëndrimeve midis LDK-së dhe LVV-je që të arrijnë marrëveshjen për bashkëqeverisje”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Dy propozimet e Weber sipas Rexhep Elezajt

Image
Rexhep Elezaj

Ai ka përmendur edhe deklaratën e Weber i cili, sipas tij,  ka ofruar dy propozime për VV-në dhe LDK-në për arritjen e marrëveshjes të koalicionit.

“Mbase, në konferencën për media të mbajtur menjëherë pas takimit me Isa Mustafën para selisë së LDK-së, z. M. Weber ofroi propozime të qarta dy partive fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, se çfarë duhet të bëjnë lidhur me arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje, kur tha, “se vullneti i qytetarëve është i qartë nga zgjedhjet fundit, formimi i parlamentit është i qartë, qytetarët e shprehën vullnetin e tyre për të ardhmen, dhe se tani politika ka një përgjegjësi të madhe të garantojë stabilitet për vendin dhe se gjëja më e rëndësishme është që t’i japin popullit perspektivë, duke e formuar sa më para qeveria e re..”!”, ka thënë Elezaj për “Bota sot”

Gjithashtu, ai shprehet se Weberkishte ardhur me mision miqësorë që t’i ndihmojë palët në bisedime për ta arritur marrëveshjen për bashkëqeverisje

“Po ashtu, vizita dhe takimi i z. Manfred Weber në selinë e LVV-je dhe takimi me liderin e saj, z. Albin Kurtin, flet qartë se miku ynë gjerman, kryetar i Grupit të EPP-së në PE-në, kishte ardhur me mision miqësorë që t’i ndihmojë palët në bisedime për ta arritur marrëveshjen për bashkëqeverisje, meqenëse faktorët ndërkombëtarë në Bruksel, tanimë e kanë të qartë se LDK-ja dhe LVV-je ende kanë dallime të mëdha midis tyre në arritjen e marrëveshjes për formimin e Kuvendit dhe qeverisë së re të Kosovës. Andaj, është në interes edhe të PE-në dhe BE-së që organet e reja në Kosovë ta fillojnë sa më shpejt punën, kur dihet se një vonesë dhe ngecje kaq e madhe në funksionimin normal të institucioneve të shtetit të Kosovës (mbi 3 muaj) e dëmton tej mase zhvillimin e gjithmbarshëm të Kosovës, por edhe zbatimin e politikave Brukselit zyrtar në rajonin e Ballkanit perëndimor, ku para se gjithave vend kyç zen dialogu Kosovë-Serbi, i cili është ngrirë për më shumë se një vit”, ka deklaruar Elezaj për “Bota sot”.

Ai ka thënë se përmbante në vete edhe një lloj presioni mbi këto dy subjekte politike, dhe kjo është bërë me qëllim që VV-ja dhe LDK-ja t’i kapërcejnë dallimet midis tyre dhe sa më shpejt të arrijnë marrëveshje për formimin e qeverisë.

“Vizita e z. M. Weber në Prishtinë, përpos se ishte mjaft qëllimmirë, në fakt përmbante në vete edhe një lloj presioni mbi këto dy subjekte politike, që t’i kapërcejnë dallimet midis tyre dhe sa më shpejt të arrijnë marrëveshje për formimin e qeverisë dhe Kuvendit”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Vendi ka ngelur prapa

Për më tepër, u shpreh se vendi ka ngelur shumë mbrapa dhe në këtë mënyrë i vështirëson edhe liberalizimin e vizave.

“Kosova ka ngelë shumë mbrapa në procesin e plotësimit të standardeve të parapara me marrëveshjen për Stabilizim-asocim, pa të cilat Kosova e ka shumë vështirë ta marrë liberalizimin e vizave si dhe donacione të shumta, të cilat një vendi i cili nuk siguron stabilitet politik nuk mund t’i akordohen..!?”, ka përfunduar Elezaj për “Bota sot”.

Mehazi: Manfred Weber, shkak të mosmarrëveshjes koalicionuese të LVV dhe LDK është dërguar enkas nga BE

Image
Sulejman Mehazi

Njohësi i çështjeve politike, profesor Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se  Weber është i dërguari enkas nga BE-ja si ndërmjetësues për të gjetur moduset qeverisëse të Albin Kurtit dhe Isa Mustafës.

“Si përherë, kur politikanët shqiptarë nuk merren vesh me njërin tjetrin për shkak inateve e interesave partiake, atëherë, vijnë e ndërhyjnë të tjerët nga jashtë,  një i treti për t'i bashkuar, kështu ka ndodhur dhe me Kryetarin e EPP-së të Parlamentit Evropian, Manfred Weber, i cili për shkak të mosmarrëveshjes koalicionuese të LVV dhe LDK është dërguar enkas nga BE-ja si ndërmjetësues për të gjetur moduset qeverisëse të Albin Kurtit dhe Isa Mustafës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, profesori ka shtuar se takimet ndaras me  përfaqësuesit e VV-së dhe të LDK-së tregojnë se nuk është në rregull, ndërsa  Weber do të mund të shuante apetitet qeverisëse të Isa Mustafës.

Vetë bisedat e ndara e të veçanta të z. Weberit me përfaqësuesit e dy partive fituese argumentojnë se diç nuk është në rregull  me marrëveshjen apo gjetjen e gjuhës së përbashkët të LVV-së dhe LDK-së. Përfaqësuesi evropian Weber më shumë do mundohet  të shuante apetitet qeverisëse të Isa Mustafës sesa të Albin Kurtit si fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit”, ka deklaruar Mehazi për “Bota sot”.

Për më tepër, profesori ka hedhur fajin tek Mustafa, pasi sipas tij, ky i fundit ka kërkesa të tepërta qeverisëse ndaj partisë LVV të Albin Kuriti.

Mehmeti: SHBA dhe BE janë të lodhur nga ish komandantet e luftës

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti, nendonwse  SHBA-ja dhe BE- ja asnjëherë nuk kanë qenë më të qartë në qëndrimet e tyre për qeverinë e re.

“Beson se SHBA dhe BE janë të lodhur nga ish komandantet e luftës, andaj me çdo kusht duan një qeveri ndryshe nga ajo në ikje.Asnjëherë SHBA dhe BE s`kanë qenë më të qarta në qëndrimet e tyre se duan një qeveri me njerëz të ri, që i kthen vendit shpresën.Duke pa se kishte stopim në mes të VV dhe LDK po përshihen vet në këtë proces me në krye z.Weber”, ka thënë Mehmeti për “Bota sot”.

Ai shprehet se nëse përpjekjet e z.Weber dështojnë atëherë pres që personalisht SHBA të përfshihen në këtë proces

“Nëse, eventualisht përpjekjet e z.Weber dështojnë atëherë pres që personalisht SHBA të përfshihen në këtë proces. Nuk do të lejojnë që marrëveshja mes VV dhe LDK të dështojw, duke qenë se janë alternativat e vetme të pranuar nga ndërkombëtaret, tek të cilët shohin ndryshimin. Në këtë sens e shoh që para Krishtlindjeve të kemi qeverinë e re, të gjithë premiset qojnë tek koalicioni VV-LDK”, ka për Mehemti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat