Këto grupe po e pengojnë arritjen e koalicionit LDK-VV: Lepaja jep detaje të pathëna deri më tash - Bota Sot
Këto grupe po e pengojnë arritjen e koalicionit LDK-VV: Lepaja jep detaje të pathëna deri më tash

Politika

Këto grupe po e pengojnë arritjen e koalicionit LDK-VV: Lepaja jep detaje të pathëna deri më tash

Nga: D.RR Më: 10 dhjetor 2019 Në ora: 16:08
Foto ilustrim

Zvarritja e marrëveshjes VV-LDK, ka ngritur zëra të ndryshëm, shumica e tyre kritikues, të cilët thonë se nuk e kanë pritur këtë këmbëngulësi nga të dy partitë.

Posti i presidentit po bëhet “mollë sherri” mes dy partive fituese, e që lideri i VV-së, Albin Kurti, ka thënë se vendi mund të shkojë prapë në zgjedhje.

Njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se marrëdhënia dhe bisedimet mes LDK dhe VV janë të komplikuara, për shkak se ka ndikime të fuqishme nga të dy partitë.

Ai shton se në LDK ka presione nga grupe të cilat janë të afërta me partitë tjera, ndërsa në VV ekziston presioni në formën mbi strukturën dhe personalitetet e kësaj partie.

Image
Fadil Lepaja

“Marrëdhënia LVV LDK është e komplikuar pikërisht se nuk varet vetëm prej deklarimeve të tyre programore, që njëkohësisht paraqesin edhe deklarimin e tyre të interesave. Ndikimet në LDK dhe LVV janë të fuqishme, dhe ato në LDK manifestohen si presion i grupeve të brendshme të interesit të afërta me partitë e tjera, dhe grupet e jashtme të interesit, të cilat deri me këto zgjedhje ishin pushtet politik, dhe vazhdojnë ende të mbeten fuqi reale me ndikimin më të madh , fuqinë më të madhe në vend. Ndërkaq ndikimi në LVV ka formën e presionit mbi strukturën dhe personalitetet e kësaj partie, për të ulur shkallën e mobilizimit qytetar për ndryshime”, tha Lepaja për “Bota sot”.

Ai tutje tregon se nga kush po pengohet që të arrihet ky koalicion.

“Kështu edhe pse pa votën qytetare, partitë që mbrojnë interesat e oligarkisë vendore por edhe rrjetëzimit të saj rajonal, janë duke bërë gjithçka që kjo qeveri të dështoj në bërthamë, pra ky koalicion të dështojë dhe të bëhet ofertë tjetër e cila nuk do të merrej me ndryshimet e brendshme, as me rivendosjen e një raporti tjetër me Serbinë dhe serbët, por do të krijonte hapësirë që të përfshiheshin edhe këta në konjukturën e re”, u shpreh ai.

Teksa kritikon fushatën zgjedhore, Lepaja megjithatë beson se do të arrihet koalicioni mes këtyre dy partive.

“Para zgjedhjeve ishim dëshmitarë të një lufte të madhe për të komprometuar konceptin e ndryshimeve që përfaqësonte LVV dhe krahu i të rinjve në LDK. Fushatat e pafund me shpifje, madje edhe sulmet fizike mbi aktivistët dhe përfaqësuesit e ndryshimeve ishin metodë neofashiste e cila dështoi në zgjedhje, por vazhdimi i saj tregon se ende nuk është hequr dorë nga sabotimi, nga lufta qoftë edhe qytetare për të mbrojtur interesat e jashtëligjshme dhe korruptive. Unë besoj se megjithatë do të gjendet një kompromis dhe qeveria LVV +LDK do të formohet dhe do të fillojë evropianizimin e Kosovës”, potencoi Lepaja për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat