Thellohet hendeku i përçarjes, koalicioni Vetëvendosje-LDK po bëhet i pamundur

Politika

Thellohet hendeku i përçarjes, koalicioni Vetëvendosje-LDK po bëhet i pamundur

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 16 janar 2020 Në ora: 11:26
Takimi VV-LDK

Edhe tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, Qeveria e re ende nuk është formuar. Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese e këtyre zgjedhjeve dhe Lidhja Demokratike e Kosovës si parti e dytë, nuk kanë arritur ende të bëjnë marrëveshje koalicioni, për formimin e Qeverisë. Të martën, LVV i bëri ofertën e fundit LDK-së, ku i ofronte rritjen e numrit të ministrive nga 12 në 14, ku nga to 6 i merr LDK, 5 VV dhe 3 pakicat.

“Vlen dakordimi i mëhershëm që zëvendëskryeministri i parë i takon LDK-së, ndërkaq zëvendëskryeministri i dytë LVV-së.2. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndahet, ashtu që Kultura dhe Rinia i bashkëngjiten Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa Sporti i bashkëngjitet Ministrisë së Shëndetësisë. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal janë dy nga tri ministritë që u jepen pakicave. Ministria e tretë është ajo për Komunitete.3. Bëhet një formulim i përbashkët për çështjen e Presidentit të Republikës së Kosovës bazuar në draftin fillestar nga LDK që përfshin qëndrimin karshi presidentit aktual, përpjekjen për konsensus dhe kufizimin karshi ujdive eventuale me ish PAN-in”, thuhet ndër të tjera në ofertën e VV-së.

Ndërsa, një ditë pas kësaj, të mërkurën, LDK ka dalë me një ofertë për VV-në, qëështë oferta siç LDK kishte propozuar në fillim të bisedimeve.

Sipas kësaj oferte, LDK nuk do rritjen e numrit të ministrive, por do 5 ministri, postin e kryetarit të Kuvendit, deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV-së dhe derisa të zgjedhet presidenti, LDK t’i ketë Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri, ndërsa VV do të ketë Kryeministrin, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe pesë ministri.

“Pas zgjedhjes së Presidentit, të propozuar nga LDK-ja:VV do të ketë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe 5 ministri, ndërkaqLDK do të ketë Presidentin si kandidat të saj të propozuar (por që si President vepron si faktor unifikues sipas Kushtetutës), si dhe Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe 5 ministri.Të gjitha çështjet e tjera mbesin ashtu siç janë dakorduar në takimet e mëparshme”, thuhet ndër të tjera në ofertën e LDK-së.

Tahiri: Kërkesa e LDK-së bie ndesh me Kushtetutën

Image
Ramush Tahiri

Lidhur me këtë, politologu Ramush Tahiri, ka thënë se me Kushtetutë LDK-së nuk i takon kryeparlamentari dhe nënkryetari i dytë sepse nuk ka nënkryetar të dytë ata janë të gjithë nënkryetarë.

“Me Kushtetutë dhe rregullore të Kuvendit është e specifikuar partia e parë fituese, në këtë rast VV, i ka dy anëtarë të kryesisë dhe njërin prej tyre e propozon për kryetar, Gjykata më 2014 kur u bë Isa Mustafa me 83 vota ka tregu që nuk mundet sepse balanci i forcave politike apo grupeve parlamentare është në bazë të koalicioneve parazgjedhore dhe jo pas zgjedhore. Kjo kërkesë bie ndesh me Kushtetutën dhe është në kundërshtim me Kushtetutën, LDK pse po e bën këtë apo do ta aktivizojë Gjykatën Kushtetuese dhe  ta rrëzojëkëtë vendim pas disa muajve, unë nuk e di prapaskenën, por po flas sipas asaj që po e shoh”, ka thënë Tahiri.

Ai tregon se si duhet të veprojë VV-ja pas kësaj oferte.

“Tani mjafton një dorëheqje e Glauk Konjufcës dhe një pranim dorëzim dhe të kryhet kjo mbledhja e Kuvendit, ama përpara nënkupton që në atë mbledhje të kryhet edhe qeveria, nuk duhet njëra të kalojë dhe tjetra mos të kalojë dhe nënkupton që Kurti ta marr mandatin dhe të hyj në Kuvend me marrëveshje me LDK”, ka vlerësuar Ramush Tahiri për “Bota sot”.

“LDK po qet kushte dhe nuk po do marrëveshje, por tani nuk e di a do pranohet a jo varet nga VV, po të isha në vend të VV do e kisha pranuar me arsyetimin kushtetues, do thosha se ka shkelje të këtyre neneve por që partneri politik po kërkon dhe ne me vetëdije po e bëjmë dhe më pas pasojat i bartë partneri e jo ti”, ka deklaruar ai.

Lepaja: Palët të qetësojnë forcat brenda tyre të cilat janë pengesë e marrëveshjes

Image
Fadil Lepaja

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, ka thënë për gazetën “Bota sot” se është vështirë të thuhet se cila ofertë është më e mirë.

“Vështirë të thuhet se cila është oferta më e mirë. Gjithsesi ajo nuk është formulë matematikore, por është politike dhe krijohet me konsensus të partnerëve. Gjithsesi është çështje në vete, a kanë të dyja palët vullnetin e njëjtë për të qeverisur bashkë, dhe me gjasë nuk po u ngutet njësoj të dy palëve”, është shprehur ai.

Sipas Lepajës, do të ishte mirë të mbahet premtimi i dhënë në fillim për numrin e ministrive por edhe mund të shtohen nëse është rruga e vetme për ta krijuar koalicionin.

“Mendoj se mirë do të ishte të mbahet premtimi i dhënë fillimisht për numrin e ministrive, por gjithsesi, nuk e shoh fundin e botës shtimin e një apo dy ministrive, nëse kjo është rruga e vetme për ta krijuar koalicionin, aq më tepër që edhe ashtu është bërë reduktim i ndjeshëm i nurit të ministrive e sidomos zëvendësministrave dhe stafit tjetër të ministrive”, ka vlerësuar ai.

Lepaja i quan qesharake reagimet e ish zyrtarëve të qeverisë së kaluar, në lidhje me shtimin e numrit të ministrive.

“Tingëllojnë qesharake kritikat për shtimin e dy ministrive, nga ish pjesëtarët e qeverisë së kaluar e cila për së paku 1/3 ishte mëe fryrë. Për hir të korrektësisë, gjithsesi do të duhej shikuar mundësitë që brenda skemës së propozuar fillimisht, të ndërtohet kabineti i ri qeveritar”, ka theksuar Fadil Lepaja për “Bota sot”.

Sa i përket formulës për daljen nga kriza, ai thotë se nëse duan bashkëpunim të sinqertë, të dyja palët duhet të qetësojnë forcat brenda tyre që janë pengesë e marrëveshjes.

“Unë mendoj se u filluan mbarë bisedimet, me qëllimet e përbashkëta, apo përafrimin e dallimeve, por mendoj se në një moment, u kalua në negociata pozicionale, dhe marrëdhënia e partnerëve degradoi në debate të panevojshme dhe dyshime reciproke.Mendoj se të dyja palët, nëse duan bashkëpunim të sinqertë për ndryshime, duhet të qetësojnë forcat brenda tyre të cilat janë pengesë e marrëveshjes”, ka deklaruar Lepaja.

Zgjedhja e kryeparlamentarit gabim i LVV-së

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani vlerëson se VV ka gabuar kur e ka zgjedhur kryetarin e Kuvendit.

“VV kishte gabuar kur kishte zgjedhur kryeparlamentarin pa marrëveshje me LDK-në, pra nuk është dashur të ndodhë, tash obsionalisht duhet të ndodhë që VV t’ia japë 6 ministri LDK-së dhe presidentin”, ka thënë ai.

Sipas Burjanit, numri i ministrive nuk duhet të rritet, pasi kjo nuk i intereson LDK-së, e cila nuk po i beson më VV-së dhe nëse LDK shkon në opozitë, VV vetëm i mbetet të provojë me PAN=in.

“Nuk ka nevojë të rriten ministritë fare, se kjo nuk i bën edhe aq përshtypje LDK-së, pasi i ka bërë veprimi i njëanshëm në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, mirëpo lutjet dhe përkëdhelja e VV-së ndaj LDK nuk ndihmon më. Tash është në vullnetin e LDK-së ose të pranojë formulën 6 me 4 me ministri në favore të saj ose të deklarohet se do të mbeten në opozitë. LDK nuk beson fare në VV-në, se këta mund tështyjnë përpara ndonjë proces. Është fakt se ka fituar si subjekt por kapacitetet në secilin variant janë minimale dhe jo të besueshme nga LDK,tash LDK nuk dëshiron të hyjë në koalicion kompromitues me VV-në që ka shumë defekte. VV pas ikjes së LDK-së në opozitë duhet të provojë vetëm me PAN-in, s’ka tjetër ose të shkohet në zgjedhje”, ka vlerësuar Burjani.

Ai thotë se opsione magjike nuk ka dhe se nuk duhet të shtohet numri i ministrive.

“Opsione magjike nuk ka, tashmë janë bërë shumë propozime, kjo e fundit e VV është inkurajuese, nuk duhet të ketë më shumë se 12 ministri, se besoj se LDK do të kishte pranuar rritjen e numrit të ministrive që shihet publikisht që këto ngërçe kanë ndodhur për shkak të interesit personalnëpër parti”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat