Individët të vegjël përballë dashurisë së madhe ndër-shqiptare

Politika

Individët të vegjël përballë dashurisë së madhe ndër-shqiptare

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 28 janar 2020 Në ora: 15:00
Ramush Haradinaj, Edi Rama

Ditë më parë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dorëzoi një padi civile në Gjykatë, kundrejt kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinajt.

Padia e Edi Ramës ndaj Haradinajt, erdhi pas disa deklaratave të këtij të fundit.

Deklarata këto, të cilat, sipas Ramës, presupozohen të jenë shpifje.

Sido që të jetë, Ramush Haradinaj, nuk ngeli i heshtur.

Ai, reagoi nëpërmjet rrjetit social Facebook, me ç’rast tha se padia e Kryeministrit Rama, është tërësisht e pabazuar dhe se deklaratat e veta i mbështet në fakte.

“Padia e Kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diverzion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë. Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë”, pati shkruar Haradinaj.

Megjithatë, njerëz nga publicistika konsiderojnë se marrëdhëniet ndër-njerëzore ndërmjet Ramës dhe Haradinajt, nuk do të ndikojnë në marrëdhëniet e shëndosha ndërmjet dy shteteve shqiptare.

Duhanaj: Nuk ka vend për akuza dhe cilësime të tipit tradhtarë

Image
Leon Duhanaj

Fjala vjen, Leon Duhanaj, publicist dhe njohës i çështjeve politike, për “Bota sot”, tha se përderisa shumë shpesh qytetarët shqiptarë manipulohen politikisht në emër të "bashkimit" kombëtarë, janë disa momente që shpërfaqin probleme të shumta mes shqiptarëve, përkatësisht Kosovës dhe Shqipërisë, që ndoshta me vendet tjera nuk janë evidente.

“Është edhe një dëshmi, në radhë të parë se njeriu, në radhë të parë është i përkushtuar rreth mirëqenies dhe, se shumë pak njerëz rrezikojnë atë për të mirën e përgjithshme. Së dyti, polemikat e fundit shpërfaqin problemet reale dhe shkallën e lartë të ndjeshmërisë që ekziston mes Shqipërisë dhe Kosovës. Së treti, edhe njëherë po shpërfaqet qasja egoiste dhe protagonizmi tek politikanët shqiptar si "vlerë" kolektive dhe, mungesa e theksuar e ndjeshmërisë rreth nevojave reale, njëherësh edhe mungesës së ndonjë strategjie të sinqertë mbarëkombëtare”, tha ai.

Sipas Duhanajt, rreth akuzave të ndërsjella Rama, Haradinaj, fajin e kanë edhe disa opinionistë, të cilët në vend të përpjekjes për t'i ulur gjakrat, bëjnë promotorin e mbjelljes së akuzave të ndërsjella.

“Në përgjithësi, merr analizat rreth zhvillimeve politike, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, nëpër studiot televizive, promovohet vetëm përçarje, në grackën e së cilës bien politikanët edhe ashtu të hutuar e të dezorientuar. Nuk mendoj që ka vend për akuza dhe cilësime të tipit tradhtarë. Po ashtu, nuk mendoj që duhet të rrimë të relaksuar dhe të mos e kalkulojmë një tradhti të mundshme. Pra, edhe akuza e pabazuar, edhe injorimi gjegjësisht mos-parandalimi, janë të njëjtit nivel”, tha ai.

Më tej, Duhanaj, shtoi se Rama, ashtu edhe Haradinaj, nuk besoj që i bëjnë mirë përafrimit të kombit duke akuzuar njëri tjetrin përmes studiove televizive. Përkundrazi, shpërfaqin nivelin brishtësisë së marrëdhënieve tona dhe, nivelin e papërgjegjshmërisë tek politikanët shqiptarë gjithandej.

Rexhaj: Edi Ramës po i bien në ujë planet për ta shuar shtetin e Kosovës

Image
Sali Rexhaj

Nga ana tjetër, publicisti Sali Rexhaj, po ashtu, është i mendimit se nuk do të preken marrëdhëniet e shëndosha ndërmjet dy shteteve nëse kryeministrat e saj, paditen ndër vete.

“Nuk besoj se i dëmton fare raportet tona me Shqipëri ky konflikt. Përkundrazi vetëm sa e sqaron situatën se Shqipëria, liderët e saj atje, nuk duhet të përzihen në punë tona. Ky nuk është konflikti i parë, probleme të njëjta kemi pasur edhe me Berishën e Nanon gjatë viteve 90. Po presidenti Rugova i menaxhonte ndryshe, duke i injoruar liderët atje”, tha Rexhaj.

Rexhaj, për “Bota sot”, tha se Shqipëria duhet ta kuptoj një herë e mirë se Kosova është shtet, dhe se jemi pjesa më e mirë e kombit shqiptar.

“Ndërsa, Edi Ramës po i bien në ujë planet për ta shuar shtetin e Kosovës dhe daljen e Serbisë e Rusisë në Durrës apo qytete tjera të bregdetit shqiptar”, tha ai.

Më tej, Rexhaj, shtoi se Ramushi nuk kishte alternativë tjetër përveçse t’ia tregojë Ramës, vendin.

“Ramushi nuk kishte rrugë tjetër, pos që t’ia tregoj Ramës vendin. Njëjtë si Thaçit e Vuçiqit. Kanë ikur kohërat kur liderët në Shqipëri e përdornin Kosovën si monedhë për kusuritje me serbë dhe rusë...”, përfundoi ai.

Dauti: Relacioni Rama - Haradinaj duhet të shikohet si personal

Image
Daut Dauti

Po ashtu, edhe zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit publicist i dëshmuar Daut Dauti, për “Bota sot”, tha se absolutisht nuk dëmtohen marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri për shkak të inateve të Ramës dhe Haradinajt.

Ai, shtoi se marrëdhëniet e Ramës dhe Haradinajt duhet të shikohen si kacafytje në mes të dy kalamajve e jo si ndërshtetërore.

“Marrëdhëniet nuk i dëmton për shkak se ato janë të nivelit të duhur dhe nuk mund të dëmtohen më shumë se që janë. Relacioni Rama - Haradinaj duhet të shikohet si personal e jo si ndërshtetëror pasi që kjo i përngjanë kacafytjes së dy kalamajve që nuk e kanë dertin e shtetit dhe marrëdhënies së veçantë Kosovë – Shqipëri”, tha ai.

Shahu: Nuk ka fuqi e magji me prishë apo me cenua raportet Shqipëri - Kosovë

Image
Rexhep Shahu

Po ashtu, edhe publicisti tjetër, Rexhep Shahu, konsideron se, të vegjël janë ata që mendojnë se do të prishen marrëdhëniet dy palshe Shqipëri – Kosovë për teke edhe të personave zyrtar.

“Janë të vegjël gjithë individët në Shqipëri e Kosovë dhe asnjë individ nuk ka fuqi e magji me prishë apo me cenua raportet Shqipëri - Kosovë. Askush nuk e do Shqipërinë apo Kosovën për hatër të Edi Ramës apo Ramush Haradinajt. Janë sherre në familje si gjithë sherret në familje, por familja është e madhe. Rama është gati të bëjë gjithçka që të pëlqehet nga perëndimi, që të bëjë diçka për historinë e cila duket e refuzon për të mirë e për të keq, Ramushi e ka bërë historinë e tij, e ka shkruar me gjak dhe asgjë nuk i shton faqes së tij të historisë tani”, tha Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat