Kërkuan nga VV që ta propozojë Kadri Veselin për kryeministër, PDK-së i vjen kundërpërgjigja

Politika

Kërkuan nga VV që ta propozojë Kadri Veselin për kryeministër, PDK-së i vjen kundërpërgjigja

Nga: P.R Më: 7 gusht 2020 Në ora: 19:22
Albin Kurti dhe Kadri Veseli

Lëvizja Vetëvendosje gjatë ditës së djeshme ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për rrëzimin e qeverisë Hoti përmes mocionit të mosbesimit, ani pse shifrat e të infektuarve dhe të vdekurve me Covid19 në Kosovë po rriten çdo ditë.

Pavarësisht kësaj, Vetëvendosje vazhdimisht po kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje.

Por, nismës së Vetëvendosjes për rrëzimin e Hotit ende nuk dihet se a do t’i bashkohet edhe partia tjetër opozitare, Partia Demokratike e Kosovës. Madje nga kjo parti e kanë quajtur jo serioze nisjen e mocionit të Vetëvendosjes ndaj qeverisë Hoti.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, deputeti Enver Hoxhaj, ka thënë se po të ishte mocioni serioz, atëherë do të duhej të propozohej kryetari i PDK-së, Kadri Veseli si mandatar për formimin e qeverisë së ardhshme.

“Nëse VV do ta kishte seriozisht që do ta udhëheqte vendin në pandemi dhe do mbështetje nga PDK, atëherë le ta propozojnë kryetarin e partisë së PDK-së për mandatar, nëse e kanë seriozisht, nëse duan ta nxisin një deputet të PDK-së që ta votojnë mocionin e tyre”, ka thënë deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj.

Por sa ka gjasa që të ndodhë një gjë e tillë, dhe a mund të jetë ky kushti i PDK-së që ta votojë rrëzimin e Qeverisë?

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota Sot” ka folur analisti politik, Faton Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

 

“Duhet theksuar se VV vijat e kuqe me PDK i ka vijat e kuqe për koalicion, jo për mocion apo veprime të tilla. PDK nuk interes të shkoj në zgjedhje në këto momente kur lideri i saj përballët me aktakuzë, kjo edhe është arsyeja pse PDK nuk duket e gatshme të mbështes mocionin e Vetëvendosjes. Deklarata e Enver Hoxhajt është fëmijërore, si mundet një parti e parë t'i jep postin e kryeministrit një partie të tretë ndaj të cilës ka vija të kuqe, dhe as nuk janë në koalicion”, shprehet Mehmeti.

Ai thotë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje nëse ka sukses mocionit i Vetëvendosjes për rrëzimin e qeverisë.

“PDK provokon VV, që të bëj të pamundur mocionin, për të cilin PDK nuk është e interesuar në këtë moment. Të sqarohemi, VV spo i kërkon PDK koalicion, por rrëzimin e qeverisë që të shkohet në zgjedhje. Ska logjikë të jetë mandatar askush pa shkuar në zgjedhje. Sipas Kushtetutës vendi shkon në zgjedhje nëse kalon mocioni i dytë, andaj kjo është qesharake nga ana e PDK-së”, përfundon për “Bota Sot”, analisti politik, Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat