Deklarata kontraverse e Thaçit për Asociacionin, analisti tregon pse po e kundërshton Hoti dhe rrezikun nga takimi në Bruksel

Politika

Deklarata kontraverse e Thaçit për Asociacionin, analisti tregon pse po e kundërshton Hoti dhe rrezikun nga takimi në Bruksel

Nga: G.B Më: 16 shtator 2020 Në ora: 12:58
Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se takimi i së enjtes në Bruksel është i rrezikshëm, pasi është agjendë e Serbisë dhe është kthim mbrapa për Kosovën.

Ai tha se çështja e formimit të asociacionit ka përfunduar me opinionin e vitit 2013 të Gjykatës Kushtetuese, dhe rihapja e kësaj teme në Bruksel, siç deklaroi ai, është goditje dhe cenim i sovranitetit të vendit.

Ndërsa, sot kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është shprehur i sigurt se në Kosovë nuk do të ketë asnjëherë një asociacion me kompetenca ekzekutive.

Kreu i qeverisë tha se me Serbinë nuk do të ketë asnjë zgjidhje kreative, por vetëm njohje reciproke ndërmjet dy shteteve.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Elezaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Thaçi është politikan shumë kontrovers në deklaratat e tij, derisa formimin e Asociacionit e ka nënshkruar Isa Mustata me pëlqimin e Hashim Thaçit, por që fatmirësisht Kushtetuesja e vlerësoi si anti-kushtetuese.

“Së pari, duhet theksuar faktin se presidenti Hashim Thaçi është i njohur si një politikan shumë kontrovers në deklaratat e tij publike, jo vetëm tash rreth Asociacionit të komunave serbe, por gati rreth çdo çështjeje politike që ka pasur të bëjë me vendime kruciale për shtet-ndërtimin e Kosovës, filluar pikërisht nga 33 marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, njëra ndër të cilat ishte edhe ajo për formimin e Asociacionit për komunat serbe. Siç dihet këtë marrëveshje të dëmshme për Kosovën e ka nënshkruar Isa Mustafa me pëlqimin e Hashim Thaçit, por për fat Gjykata kushtetuese e vlerësoi si anti-kushtetuese në të cilën gjeti 23 shkelje ligjore”, është shprehur ai.

Elezaj vlerëson se ishte Thaçi ai që kërkonte formimin e Asociacionit që nga viti 2015, ndërsa tani thotë se është i rrezikshëm, derisa e quan përçarës në skenën politike presidentin.

Image
Rexhep Elezaj

“Pra, është pikërisht H. Thaçi ai i cili ka agjituar vazhdimisht nga viti 2015 e këndej për formimin e “Zajednicës” serbe në Kosovë, madje edhe pas vendimit të GJK, ndërsa tash del me deklaratë para gazetarëve, se Asociacioni e komunave serbe qenka diçka e “rrezikshme” për Kosovën, e që ky qëndrim i tij katërçipërisht e vërteton atë çfarë thash më lartë, se është politikan shumë kontradiktor, pervers, manipulues dinak me fraza boshe, si dhe figurë përçarëse i skenës politike shqiptare, siç dëshmon këtë qartë edhe deklarata e tij e djeshme i cili dikur thoshte se formimi i “Zajednicës” serbe është obligim shtetëror i Kosovës, ndërsa tash e njëjta na qenka bërë e “rrezikshme”..!?” ka theksuar Rexhep Elezaj.

Sipas tij, me politikanë të tillë, Kosova nuk mund të ndërtojë shtet stabil e të ketë respekt në Evropë dhe botë.

“Kështu, dhe me politikan të këtillë Kosova kurrë nuk do mund të ndërtojë shtet të mirëfilltë ligjor, stabil, i respektuar në Evropë dhe botë, kur të tjerët shohin se udhëheqësit e saj janë joserioz, jo të sinqertë, jo të besueshëm, etj., të cilët nuk iu përmbahen as deklarimeve të tyre dhe as vendimeve të marra rreth cilës do çështje që ka të bëjë me marrëveshje dhe ligje me karakter bilateral dhe ndërkombëtar. Kush tjetër përveç këta uzurpues të pushtetit e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje të mjerueshme të izolimit ndërkombëtar si dhe refuzimit të investitorëve të huaj që të hapin biznese dhe projekte në Kosovë”, ka vlerësuar ai.

Më tej, analisti shton se rihapja e çështjes së Asociacionit për komunat serbe në Bruksel është kthim prapa në dialog, derisa pyet se pse e bëri këtë Hoti tani pas marrëveshjes në SHBA.

“Natyrisht dhe pa fije dyshim, rihapja e çështjes së Asociacionit për komunat serbe në Bruksel nga ana e kryeministrit kukull, Avdullah Hoti, është kthim prapa në bisedimet me palën serbe, por para kësaj shtrohet domosdo pyetja; pse e bëri këtë veprim anti-kushtetues A. Hoti, mu disa ditë pas marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, pse bash kjo çështje u dashka të rikthehet në tavolinën e bisedimeve me Beogradin, kur dihet se kjo temë është e mbyllur për shtetin e Kosovës me vendim të Gjykatës kushtetuese të vitit 2014, etj”, ka deklaruar Elezaj.

Tutje, ai thotë se me Asociacionin duket sikur Hoti dëshiron të pavarësohet nga diktati politik i Thaçit, me pëlqimin e të cilit është bërë kryeministër, duke shtuar se Thaçi është dashur të tregojë pse është i rrezikshëm ai takim në Bruksel.

“Prandaj, çdo qytetar i ynë e di fare mirë se rikthimi në tavolinën e bisedimeve me Serbinë i çështjes së  Asociacionit të komunave serbe është diçka e rrezikshme për Kosovën, edhe pa e thënë këtë fakt presidenti H. Thaçi, por ajo që habit tej mase në këtë rast është, se çfarë ka ndodhur në raportet Thaçi-Isa Mustafa, kur dihet se Avdullah Hoti ka qenë zgjedhje e preferuar e vetë Hashimit që të jetë kryeministër, pa pëlqimin e të cilit, A. Hoti kurrë nuk do vinte në postin e kryeministrit, por i cili siç duket, me pranimin e rikthimit të çështjes së “Zajednicës” serbe në bisedime me Serbinë, sikur po tenton të pavarësohet dhe shkëputet nga diktati politik i H. Thaçit, dhe atë përmes një çështjeje shumë të dëmshme për Kosovën, e cila mbase mund të ketë qenë kusht nga pala serbe për vazhdimin e dialogut në Bruksel. Përndryshe, H. Thaçi është dashur ta njoftoi opinionin në konferencën e tij të pardjeshme me gazetarë, se pse takimi i të enjtes në Bruksel na qenka i rrezikshëm për Kosovën, gjë të cilën ai nuk e bëri, kur dihet se H. Thaçi është i njoftuar më mirë se gjithkush tjetër për agjendën e bisedimeve në Bruksel...”, është shprehur Rexhep Elezaj.

Ai vlerëson se veprimet e fundit të Hoti ose janë në koordinim me Thaçin ose është fillimi i rrëzimit të Qeverisë, arsyet e të cilës mund t’i mësojmë më vonë.

“Pra, sipas mendimit tim, veprimet e fundit të kryeministrit Hoti, ose janë në koordinim të plotë nën rrogoz me presidentin Thaçi, ose ky është fillimi i rrëzimit të qeverisë “Hoti”, shkaqet e të cilit mund t’i kuptojmë vetëm pas prishjes eventuale të koalicionit aktual qeverisës, LDK-AAK-NISMA, pra largimit të qeverisë më të dobët që ka pasur Kosova në dhjetë vitet e fundit”, ka theksuar analisti.

Sa i përket takimit në Bruksel, ai ka thënë se nuk pret asgjë pozitive, me politikanë kontrovers, të pa kurriz, servilë, lakmitarë të pacipë për pushtet dhe pasurim të paligjshëm, të tipit Mustafa, Haradinaj e Limaj.

“Personalisht nuk pres asgjë pozitive për Kosovën nga takimi(et) i të enjtes në Bruksel, sepse siç e ceka më lartë, me politikanë kontrovers, të pa kurriz, servilë, lakmitarë të pacipë për pushtet dhe pasurim të paligjshëm, të paaftë politikisht si dhe frikacakë në bisedime me Serbinë dhe në nivel ndërkombëtar, me makiavelistë të tipit të Isa Mustafës, Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt, është iluzion të presim ndonjë sukses në bisedime me Serbinë, por as në marrëdhëniet tona me shtetet demokratike perëndimore, ku ligji është mbi çdo individ si dhe i barabartë për çdo qytetar njësoi...”, ka përfunduar Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat