Më 19 tetor të vitit 2001, në një atentat të organizuar mbetën të vrarë Bekim Kastrati, gazetar i gazetës “Bota sot” dhe Besim Dajaku, pjesëtar i Sigurisë së Presidentit Rugova, si dhe u plagos Gani Geci, ish deputet i LDK-së.
E kur kanë kaluar vite, vrasja e Bekim Kastratit dhe Besim Dajakut mbetet e pa zbuluar ende.
I mbijetuari i këtij atentati, ish deputeti i LDK-së, Gani Geci ka thënë se shpresat e vetme për zbardhjen e këtij rasti, i ka tek Gjykata Speciale.
“Shpresoj se Gjykata Speciale si instanca e fundit gjyqësore e Republikës së Kosovës do ta zbardhë se kush e ka shkruar atë komunikatën e ndyer me nr .59 dhe njëherit do të zbardhet edhe kush dha urdhër dhe kush i pagoj atentatorët ta kryenin atentatin kundër nesh, sepse hartuesit dhe shkruesit e komunikatës janë edhe urdhërdhënësit e këtij atentati”, shkroi ish deputeti Geci.
Se Gjykata Speciale është shpresa e fundit për zbardhjen e vrasjes së Bekim Kastratit dhe Besim Dajakut, e thotë edhe analisti politik, Faton Mehmeti.
“Marrja në pyetje e Gani Gecit nga Gjykata Speciale, jep shpresë se pas 19 vitesh, mund të kemi arrestimin e autorëve të këtij atentati. E vetmja shpresë mbetet Gjykata Speciale, e cila mund të këtë njohuri, pasi personat që e kanë kryer këtë atentat, sigurisht janë pjesëmarrës edhe në të tilla të ndodhur pas luftës ndaj zyrtarëve të LDK, dhe në përgjithësi ndaj atyre që mbështesnin vijën e Dr. Rugovës. Kështu, që , urdhëruesit sigurisht janë të njëjtë me vrasjet tjera të pasluftës, me Gjykatën Speciale si shpresën e vetme dhe të fundit për të zbardhur këtë krim, që u mori jetën dy djemve të rinj të Kosovë”, deklaron analisti Mehmeti për “Bota sot”.
Sipas tij, këto vrasje janë bërë me udhe të SHIK-ut.
“Atentati ndaj Gani Gecit ku ai mbeti i plagosur, dhe fatkeqësisht mbeti i vrarë gazetari i " Bota Sot" Bekim Kastrati si dhe Besim Dajaku, truproja i presidentit Rugova, mbetet aktualisht e pazbardhur. Ata që e kanë urdhëruar këtë atentat janë pjesë e SHIK-ut, kësaj organizate që i ka sjellë shumë dëme të mëdha vendit”, thotë Mehmeti.
Për fund, Mehmeti ka treguar edhe arsyet që sipas tij quan në vrasjen e Bekim Kastrati dhe Besim Dajakut.
“Arsyet janë dobësimi i mbështetjes ndaj Rugovë nga gazetari i "Bota Sot” dhe ekspozimi i tij para atyre që dëshironin ta eliminonin, kështu që filluan edhe eliminimin truprojave të tij, me idenë që të ngjallnin frikë dhe panik tek ata që merrnin me sigurinë e Dr. Rugovës, me shpresën se do e braktisin. Pra, këto vrasje ishin në vazhdën e spastrimit të rrugës për të eliminuar edhe Dr. Rugovën, por për të arrit tek ai, duhet eliminohen pengesat”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti politik, Faton Mehmeti.