Fyerje e rrahje në Kuvendin e Kosovës, Cakolli: Krejtësisht e papranueshme dhe e ndëshkueshme

Politika

Fyerje e rrahje në Kuvendin e Kosovës, Cakolli: Krejtësisht e papranueshme dhe e ndëshkueshme

Nga: G.B Më: 20 nëntor 2020 Në ora: 13:11
Kuvendi i Kosovës

Janë bërë pothuajse të zakonshme përplasje verbale në Kuvendin e Kosovës.

Përpos atyre verbale, nuk janë të pakta as rastet kur në mes të deputetëve ka pasur edhe përleshje fizike.

E një përplasje verbale në mes të deputetëve pati thuajse vazhdimisht dje gjatë seancës, ku po diskutohej për personat e pagjetur.

Madje, ajo për pak sa nuk përfundoi me përleshje në mes tyre.

Lidhur me këtë, Eugen Cakolli nga KDI, ka thënë për gazetën “Bota sot” se gjuha që po përdorej kur po diskutohej për të pagjeturit, është krejtësisht e papranueshme dhe e ndëshkueshme dhe për këtë kryesuesja është dashur të përdorë mekanizmat që i garanton Rregullorja e Punës për mbarëvajtjen e seancës.

“Përplasjet verbale, e nganjëherë fërkimet fizike janë kthyer në diçka jo të zakonshme në Kuvendin e Kosovës. Unë konsideroj që përdorja e gjuhës fyese dhe sjelljeve jo parlamentare gjatë seancës ku po diskutohej një prej çështjeve më të ndjeshme për Kosovën, siç janë të pagjeturit, është krejtësisht e papranueshme dhe e ndëshkueshme. Në këtë drejtim, besoj që kryesuesja e seancës është dashur të përdorë mekanizmat që i garanton Rregullorja e Punës, në funksion të garantimit të mbarëvajtjes së seancës”, është shprehur ai.

Sipas Cakollit, që kur është formuat Qeveri Hoti, kryefjala ka qenë mungesa e kuorumit dhe kjo shihet edhe në numrin e pikave të rendit të ditës që nuk janë votuar prej muajsh.

Image
Eugen Cakolli

“Sa i përket punës së legjislativit, përkatësisht ushtrimit të funksionit ligjvënës, konsideroj se kryefjala e punës së Kuvendit që nga formimi i qeverisë 'Hoti' ka qenë mungesa e kuorumit. Kjo reflektohet edhe në numrin e madh të pikave të rendit të ditës që nuk janë votuar prej muajsh nga Kuvendi, dhe janë bartur për seancat pasuese”, ka vlerësuar Eugen Cakolli.

Ai veçon projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike që është më i rëndësishmi por që ende nuk ka kaluar për shkak të mungesës së deputetëve dhe arrogancës së pozitës ndaj opozitës.

“Ndër to, projektligji për rimëkëmbjen ekonomike, ndonëse proceduralisht projektligj i thjeshtë, është projektligji më i rëndësishëm të cilit ende nuk i është dhënë epilog nga ana e deputetëve. Kalimi i këtij projektligji, që është cilësuar i një rëndësie të veçantë nga ekzekutivi dhe shumica parlamentare, është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e këtyre të fundit, meqë dështimi po ndodhë si rezultat i mungesës së pikërisht deputetëve të partive të koalicionit qeverisës. Në anën tjetër, faktor tjetër që po ndikon në moskalimin e këtij projektligji, por edhe projektligjeve tjera, është një lloj arrogance e cila ka shoqëruar sjelljen e pozitës karshi opozitës. Kjo është manifestuar me mosmarrje parasysh të rekomandimeve apo amendamenteve të propozuara nga opozita, si për projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, por edhe për pothuajse të gjitha nismat tjera që kanë ardhur në Kuvend”, ka theksuar ai.

Cakolli shton se Kuvendi duhet të shërbejë si arenë e diskutimeve përmbajtësore drejt gjetjes së zgjidhjeve të problemeve të qytetarëve dhe jo hapësirë që sjellje e gjuhë joparlamentare, që e thellojnë krizën edhe më tutje.

“Kuvendi duhet të shërbejë si arenë e diskutimeve përmbajtësore drejt gjetjes së zgjidhjeve të problemeve të qytetarëve, e jo hapësirë që promovon sjellje e gjuhë joparlamentare që nuk gjenerojnë asgjë tjetër përveç se polarizim të mëtejmë shoqëror dhe thellim të krizës politike”, ka deklaruar Eugen Cakolli për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat