“Përplasjet” mes LDK-së e AAK-së: Juristi ia shuan shpresat Ramush Haradinajt, ky është plani i partisë së Isa Mustafës për presidentin

Politika

“Përplasjet” mes LDK-së e AAK-së: Juristi ia shuan shpresat Ramush Haradinajt, ky është plani i partisë së Isa Mustafës për presidentin

Nga: A.Morina Më: 22 nëntor 2020 Në ora: 14:01
Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj

Posti i Presidentit të Kosovës, po del të jetë shkaktar i mosmarrëveshjeve brenda koalicionit aktual në mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Në këtë mes, po përfshihet edhe Partia Demokratike e Kosovës, e cila po përflitet për një mundësi të hyrjes në koalicion me LDK-në.

E gjithë kjo për shkak të “borxheve politike” në mes PDK-së dhe AAK-së, të cilat nuk po arrijnë ta ‘ndajnë’ postin e presidentit.

Këtu po dëmtohet Lidhja Demokratike e Kosovës, që shkaku i moskuptimeve në mes dy partive të lartpërmendura nuk po arrijnë të i realizojnë dhe votojnë projektligjet e tyre.

Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot” e mbështeti vendimin e LDK-së, që nuk dëshiron të i jap postin e presidentit të AAK-së.

“Pa u riformuluar  qeveria nuk do të ketë zgjidhje, tash se dihet që LDK nuk do ti fal postin e presidentit AAK-së. Por, këtë  post dëshiron ose ta mbaj për vete ose ti jap një partie që ka më shumë vota që ja  siguron qeverisjen LDK-së, kjo është e logjikshme”, deklaroi Burjani.

Ai tha se LDK po mendon për interesa afatgjate të qeverisjes dhe ky vendim është i drejtë, ka kuptim institucional dhe qeverisës.

Burjani, AAK-në e sheh si një subjekt të vogël politik, që nuk i ndihmon Lidhjes Demokratike të Kosovës të qeverisë edhe për tri vite të tjera.

“LDK mendon në radhë të parë për  interesat e veta dhe interesat më afatgjate të qeverisjes, gjë që duket të jetë korrekte, ka sens politik ka kuptim institucional dhe qeverisës. Normal se me këto parti të vogla në koalicion nuk ka mundësi LDK të ec edhe tre vjet në mandat. Pra gjasat janë zero se nuk ka vota për funksionim dhe kjo duket edhe nga aspekti logjik pozitiv, është  i pranueshëm”, theksoi Burjani, përcjell “Bota sot”.

‘Faljen’ e posteve për parti të vogla, Burjani e sheh si thirrje për anarki dhe jo funksionim të duhur të shtetit.

“Falja  e posteve, për njerëz të partive të vogla  dhe pa kapacitet është thirrje për  anarki jo funksionim të shtetit.  Tash më po dihet që partitë e vogla janë dëm për qeverisje, e  që kjo këtyre partive të vogla iu ka mundësuar  sistemi proporcional që duhet të ndryshoj”, nënvizoi ai.

Në fund, ai tha se Kosova kurrë nuk mund të zhvillohet nëse nuk i largon këta njerëz të padobishëm, që janë të lidhur për karrige.

“Kështu,  kurrë Kosova nuk do të ketë qeverisje normale, nëse nuk do të heq njerëz parazit dhe të padobishëm, që janë lidhur për karriget se nuk kanë pas ku tjetër. Pra, njerëz të papunë  dhe problematik, këtë  po e paguan qytetari i Kosovës, nuk është kjo korrekte për qytetarët e shtetit”, përfundoi Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat