“Lufta” e ashpër në LDK dhe rreziku nga figurat e vjetra – paralajmërohen pasoja fatale për këtë parti

Politika

“Lufta” e ashpër në LDK dhe rreziku nga figurat e vjetra – paralajmërohen pasoja fatale për këtë parti

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 13 mars 2021 Në ora: 18:48
Kandidatët për kryetar të LDK-së; foto ilustrim nga "Bota sot"

Të dielën do të mbahet Kuvendi zgjedhor i LDK-së, ku pritet të zgjidhet kryetari i ri, derisa në garë deri më tani janë katër kandidatë.

Kryetari aktual i Gjilanit, Lutfi Haziri, deputeti i zgjedhur, Lumir Abdixhiku dhe dy ministrat në detyrë, ai i Mbrojtjes, Anton Quni dhe ai i Bujqësisë, Besian Mustafa, janë katër kandidatët që të dielën synojnë votat e 335 delegatëve.

Mirëpo, njëri prej kandidatëve për kryetar të LDK-së, ka thyer heshtjen duke thënë se brenda partisë ka hatërmbetje dhe frustrime. Është Anton Quni, që ka deklaruar një gjë të tillë.

“Unë do të mundohem që të bëj një pajtim të madh. Ka hatërmbetje, ka frustrime… unë mendoj që kemi nevojë për çdo njërin. Nuk e kemi atë komoditet që ta humbim qoftë edhe një anëtarë”, ka thënë ai.

E, veprimtarët e këtij subjekti konsiderojnë se në këtë parti ka ekzistuar që moti një luftë e ashpër politike në mes individëve të caktuar dhe klaneve të caktuara. Sipas tyre, klanet e caktuara kanë vazhduar luftën e ashpër politike duke linçuar, nënçmuar dhe larguar personalitete, aktivistë dhe degë e nëndegë që nuk iu nënshtruan klanit dhe padronit që mori drejtimin e LDK-së.

Kurse, njohësit e zhvillimeve politike janë të mendimit se LDK-ja ka nevojë për ripërtëritje dhe për ndryshime rrënjësore.

Alarmon veprimtari: Brenda LDK-së, ka ekzistuar një luftë e ashpër politike!

Image
Saim Tahiraj

Lidhur me Kuvendin zgjedhor të LDK-së, për gazetën “Bota sot” ka folur edhe Saim Tahiraj, veprimtari i hershëm i LDK-së në diasporë dhe ish-bashkëluftëtari i Sali Çekajt.

Ai ka bërë me dije se që nga “Kuvendit i karrigeve” në këtë parti jo vetëm që ka pasur frustrime dhe hatërmbetje, por ka ekzistuar një luftë e ashpër politike në mes individëve të caktuar.

“Që nga kuvendi i ashtuquajtur kuvendi i karrigeve e gjerë me sot, jo vetëm që ka pasur frustrime dhe hatërmbetje, por ka ekzistuar një luftë e ashpër politike në mes individëve të caktuar që kanë përfaqësuar klanet e caktuara. Ndarja e dhimbshme që ndodhi në mes Nexhat Dacit me njërin klan, dhe Fatmir Sejdiut me LDK-në e mbetur, e përgjysmoi anëtarësinë e LDK-së duke e hasmuar skajshmërish. U deshtë një kohë shumë e gjatë derisa u kalua ajo hasmëri por kurrë LDK nuk u kthye në gjendjen e mëparshme. Mendonim që pas kësaj humbje të madhe të LDK-së, të gjithë janë mbushur mend dhe do i kthehen bashkëpunimit dhe unitetit, por nuk ndodhi kështu. Klanet e caktuara vazhduan luftën e ashpër politike duke linçuar, nënçmuar dhe larguar personalitete, aktivistë dhe degë e nëndegë që nuk iu nënshtruan klanit dhe padronit që morën drejtimin e LDK-së”, ka thënë Tahiraj.

Tahiraj flet edhe për humbjen e rëndë, ku mendon se goditjen më të madhe partisë i dha anëtarësia e saj që nuk duroi më veprimet e klanit dhe patronit që drejtoi LDK-në.

“Anëtarësia e LDK-së nuk e duroi më këtë veprim permanent të klanit dhe padronit që drejtonte LDK-në. Ajo i dha goditjen më të fuqishme duke e dënuar me votën e tyre dhe e la me vetëm 12, 6% duke e radhitur si e treta. Ky ishte mesazhi më i qartë për klanin dhe padronin e tyre; mjaft më me juve, nuk ju duam në krye të partisë dhe duam urgjentisht ndryshime dhe reforma radikale. Si duket klani në fjalë nuk e ka lexuar drejtë këtë mesazh. Ata në vend që të largohen nga pozitat e tyre drejtuese, si në kryesinë qendrore e po ashtu në degë dhe nëndegë, e bëjnë të kundërtën dhe marrin guximin të kandidojnë për të parin e LDK-së. Të gjithë anëtarët e kryesisë qendrore dhe kryetarët e degëve janë përgjegjësit kryesorë për rezultatin katastrofal të LDK-së, andaj me çfarë të drejte morale kanë paraqitur kandidaturat e tyre për të parin e LDK-së”, shprehet ai.

Kurse, sa i përket kandidaturave, Tahiraj konsideron se nuk ka reforma me ata që për vite të tëra, me veprimet e tyre e sollën Lidhjen Demokratike të Kosovës në këtë pozitë.

“Reformat bëhen me personalitete kredibile, nga brumi i LDK-së, figura të reja që nuk kanë qenë pjesë e klanit që e sollën LDK-në në këtë situatë të vështirë. Zhvillimet në kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së i cili do të mbahet me 14.03.2022, do varen shumë se si do sillet klani vjetër dhe padroni i tyre. Ata duhet t’i ndalojnë sjelljet e tyre destruktive, pazaret e pa moralshme prapa shpine. Nëse kjo nuk ndodhë atëherë delegatët e kuvendit duhet ta marrin timonin e kuvendit dhe ta bllokojnë klanin në fjalë. Nën drejtimin e tyre t’i mundësojnë kuvendit një rrjedhë normale dhe të kemi zgjedhje demokratike me votë të fshehtë”, ka vlerësuar ai.

Ai madje ka paralajmëruar se çdo eksperiment tjetër me figura të vjetra do të ketë pasoja fatale për këtë parti.

“Kryetari i ri i LDK-së duhet të dali nga figurat e reja të brumit i LDK-së. Delegatet kurrsesi nuk guxojnë ta lejojnë që me lojëra dhe pazare të pamoralshme të vije në krye të LDK-së një figurë nga klani i vjetër që soli LDK-në në pozitën më të keqe që nga themelimi i saj. Vetëm me një figurë të re do bëhen reformat e thella dhe LDK do kthehet në shtratin e saj i cili do e kthejë në vendin prietarë ku edhe e meriton. Çdo eksperiment tjetër me figura të vjetra të klanit mafioz, do jetë katastrofal dhe LDK-në do e dërgojë drejt fundosjes”, ka paralajmëruar veprimtari i LDK-së, Saim Tahiraj, për gazetën “Bota sot.

Mehazi: LDK ka nevojë për ripërtrirje dhe për ndryshime rrënjësore

Image
Sulejman Mehazi

Kurse, analisti politik, Sulejman Mehazi, duke folur për Kuvendin zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se kjo parti ka nevojë për ripërtëritje dhe për ndryshime rrënjësore.

“Deklarata e Anton Qunit se “do mundohet të bëjë një pajtim të madh” në LDK, është shumë e pasinqertë, ai në njërën anë, thotë se ka “hatërmbetje e frustrime”, në anën tjetër Quni, Haziri e Abdixhiku konkurrojnë njëri-tjetrin për kryetar të LDK-së. Nëse Quni mendon që mos të “humbë edhe një anëtar të LDK-së e se ka nevojë për çdo njeri”, gabim e ka, për shkak se LDK-ja nuk ka nevojë tani e tutje për politikanë të harxhuar të Hazirave, Isave e Agimave, po me frymosje personalitetesh që do i japin energji e ripërtëritje për ndryshime rrënjësore të LDK-së, e jo për të pajtuar miqtë e vjetër të Anton Qunit. Mos qëllimi i “pajtimit të madh” i Qunit është që pas zgjedhjes së tij si kryetar i LDK-së, të vazhdonte miqësinë politike të LDK-së me të njëjtët personalitete që humbën zgjedhjet parlamentare”, ka deklaruar analisti Mehazi.

Mehazi thekson në këtë prononcim për gazetën “Bota sot”, se LDK-ja vetëm me gjeneratën e re do çojë proceset e partisë përpara së bashku me Kosovën.

“Do ishte shumë e dobishme për LDK-në, sikur Anton Quni të bënte pajtimin e madh për dorëheqjen e kundër kandidatëve tij, Haziri, Abdixhiku e Mustafa, për të mbetur vetëm ai kandidat i vetëm për kryetar të LDK-së, përndryshe, më 14 mars, asnjëri prej tyre nuk do bëhet kryetar i LDK-së. Anton Quni duhet ta dijë se nuk mundet të bëjë pajtime me ata të LDK-së që humbën zgjedhjet, ata duhet larguar sa më shpejt, pajtimi i madh i LDK-së duhet të bëhet me një gjeneratë të re politikanësh që do të çojnë proceset e partisë përpara së bashku me Kosovën. Nuk mund të bashkohen tog të këqijtë, fajtorët e partisë më të mirët e të autoritetshmit e LDK-së”, është shprehur profesori.

Në fund, njohësi i çështjeve politike propozon që mes kandidatëve duhet të ndodhë një pajtim, e që sipas tij është që Quni, Hazi e Abdixhiku të mos kandidohen dhe ta lenin të vetmuar kandidaturën e Ministrit në detyrë të Bujqësisë, Besian Mustafën.

“Pajtimi i madh i Anton Qunit s’është i arsyeshëm për shkak se është i tollovitur me të këqijtë dhe të mirët e LDK-së. “Pajtimi i madh” i LDK-së do ishte sikur Anton Quni, Hazi e Abdixhiku të mos kandidohen e ta lenin të vetmuar kandidaturën e Ministrit në detyrë të Bujqësisë, Besian Mustafën. Kandidatura e katër personave për kryetar tregon se LDK-ja është parti e klaneve e interesave, e kurrsesi e qytetarëve dhe Republikës së Kosovës”, tha në fund, njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, për gazetën “Bota sot”.

Bajraj: Anton Quni theu heshtjen, hapi shtigjet e garës demokratike!

Image
Fatmir Bajraj

Kurse, veprimtari tjetër, Fatmir Bajraj, shprehet se gara të dielën do të jetë e lirë dhe demokratike.

“Gara për të parin e LDK-së do të jetë e lirë dhe demokratike, do të jetë garë në mbi dy kandidatë dhe me votim të fshehtë, ku kandidati-fitues do të jetë fitues-relativ, derisa fitues absolut do të jetë LDK-ja. Shfaqja dhe publikimi i ambicies së Anton Quni për të parin e LDK-së, në Kryesinë e LDK-së, ishte një veprim i guximshëm politik, sfidues dhe domethënëse ngase nxori në sipërfaqe faktin se në LDK, ka kulturë politike, mendësi të avancuar dhe hapësirë demokratike për të gjithë të interesuarit me të drejtën që të zgjidhen dhe zgjedhin në LDK”, ka thënë veprimtari Bajraj.

Bajraj shprehet se kandidimi i Qunit për kryetar të LDK-së është jo vetëm zotim dhe gatishmëri, por shumë më tepër; ndjenjë përgjegjësie dhe sakrifice.

“Anton Quni, në LDK, sikurse edhe në jetë, njihet si figurë unifikuese, përafruese dhe njeri i cili amortizon dallimet në vlerësim të diversiteteve si vlerë mbi të cilat ndërtohet progresi dhe suksesi në bashkëveprim dhe në koherencë. I vetëdijshëm dhe koshient për përgjegjësinë politike individuale të secilit dhe atë kolektive të strukturave dhe organeve drejtuese të partisë, oferta e Quni për kandidimin për kryetar të LDK-së, në këto kohë të vështira për LDK-në, pas rezultatit tepër të ulët të zgjedhjeve të 14 shkurtit, është jo vetëm zotim dhe gatishmëri, por shumë më tepër; ndjenjë përgjegjësie dhe sakrifice për një rol “Kapiteni-anije” aspak të lehtë dhe tepër sfidues siç është ngritja anijes së përmbysur nga dallgët e stuhisë agresive të 14 shkurtit 2021”, ka vlerësuar ai.

Madje, veprimtari mendon se Quni do t’ia dalë mbanë të neutralizojë hatërmbetjet dhe frustrimet si pasojë relacioneve personale brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Këto relacione shkaktuan vibrime me pasoja në rënien e rejtingut dhe mbështetjes me votë të LDK-së, është jo vetëm për t’u përshëndetur dhe përkrahur, por duhet edhe të shëmbëllej për tjerët për këtë qasje fisnike. Fryma e bashkimit, kultura e bashkëpunimit dhe fuzionimit të potencialeve ekzistuese dhe energjive të reja në njërën anë, si dhe pranimi dhe vlerësimi i diversit në mendime dhe qasja jo-përjashtuese, përshkon veprimin pragmatik të Qunit, qasje të cilën do duhej të kishte akëcili që e do LDK-në dhe rikthimin e saj të fuqishëm në skenën politike të vendit”, është shprehur më tej Bajraj.

Po ashtu, ai ka shtuar se Anton Quni edhe në rast se nuk fiton garën e së dielës, megjithatë i ka dhënë asaj dimensionin e një gare demokratike, duke promovuar dhe kultivuar një frymë dhe kulturë perëndimore.

“Vota kundër LDK-së, votë ndëshkimi dhe jo votë për fituesin e zgjedhjeve, i cili këtë mbështetje elektorale e mori blanko, por pa koncept dhe program bindës për ndryshimin e proklamuar dhe të propaguar, mund të rikthehet në LDK, nëse kjo e fundit i qaset seriozisht momentumit, reflekton thellë dhe punon shumë për ofertën karshi Sovranit i cili foli dhe flet sa herë që e sheh të nevojshme. Qasja dhe intenca e Qunit, në relativizmin e dallimeve, përafrimin dhe bashkërendimin e veprimeve, si dhe neutralizimi i hatermbetjeve dhe frustrimeve që dëmtuan LDK-në, sikurse apeli i tij i qartë dhe i sinqertë, se pas zgjedhjes së kryetarit të ri të LDK-së nga ana e Kuvendit të Përgjithshëm me 14 mars, të gjithë të tjerët në garë të pranojnë verdiktin, urojnë fituesin dhe të vazhdojnë tutje në ekip të punojnë shumë në rikthimin e besimit të elektoratit dhe mbështetjes së votuesve sa ma parë që të jetë e mundur, është qasje inkurajuese dhe shpresëdhënëse, padyshim”, ka deklaruar Fatmir Bajraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat