Kundërpërgjigje Lutfi Hazirit, ja kush po e paralajmëron humbjen e LDK-së në zgjedhjet lokale

Politika

Kundërpërgjigje Lutfi Hazirit, ja kush po e paralajmëron humbjen e LDK-së në zgjedhjet lokale

Nga: A.Z Më: 28 maj 2021 Në ora: 23:02
Lutfi Haziri

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se subjektin e tij e pret një reformë e thellë në të gjitha nivelet pas humbjes në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021.

Haziri thotë se për herë të parë fitoi e majta ideologjike në Kosovë, ndërkohë që thotë se LDK duhet të fillojë me fitore të betejave të vogla që të kthehet në skenën politike.

“LDK duhet të hyjë në një proces reformues të pakthyeshëm, në të gjitha nivelet. Në këtë situatë nuk është e lehtë sepse për herë të parë e kemi humbjen historike dhe është hera e parë që e majta ideologjike e ka marrë besimin e popullit. LDK duhet të zhvishet nga enklavat politike, në kuptimin e kërkimit të shpëtimtarëve politikë. Ne do të luftojmë që t’i rikthejmë bastionet tona, por fitorja në Komunat ku kemi qenë edhe më herë fitues, domethënë fitore e betejave të vogla“, ka thënë Haziri.

Lidhur me këtë, analisti Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se reformat e thella është dashur të bëhen që me zgjedhjen e Abdixhikut.

Mehazi shton se nëse Haziri mendon se me largimi e Mustafës dhe Veliut kanë bërë ndryshime, është gabim, sepse kjo deklaratë nuk është e besueshme as para qytetearëve.

“Me largimin e Isa Mustafës nuk mund të themi se LDK-ja nuk ka ndryshuar me Abdixhikun, megjithatë këto reforma të "thella" si thotë Lutfi Haziri, gjer më tani janë të cekta e me simbolikë të vogla reformuese. Reformat e "thella" partiake të partisë së Hazirit është dashur të bëhen që me zgjedhjen e Abdixhikur kryetar, fatkeqësisht bënë 20% të reformave, kurse 80% mbeti garda e vjetër e paprekshme nga nivelet më të ulta të nëndegëve, degëve e deri në kryesinë qendrore të LDK-së. Nëse Lutfi Haziri mendon se me largimin e Isa Mustafës e Agim Veliut partia e tij ka bërë ndryshime rrënjesore e të thella gabim e ka, deklarata e Hazirit për reforma nuk është e besueshme para qytetarëve të Kosovës”, theksoi ai.

Mehazi më tej ka theksuar se ai duhet të thotë se Kosova duhet të ruajë atributin e shteteve ballkanike, e jo të kërkoj beteja në zgjedhjet lokale, madje duhet edhe të krijoj parti popullore që të bëj LDK-në elitare.

“E keqja është se në vend që të thotë, se, Kosova duhet ta ruajë atributin e shteteve të zhvilluara ballkanike e evropiane dhe elita politike kosovare të shtrihet fuqishëm në instancat më të larta evropiane, ai kërkon elitë partiake urbane që e ka kuptimin e lavdeve të kota partiake. Në njërën anë kërkon beteja të vogla rurale zgjedhore lokale, në anën tjetër kërkon mentalitetin e një partie elitare urbane. Zotëri Haziri në vend që të luftojë elitat politike për të krijuar një parti popullore qytetarësh, do të bejë LDK-në elitare e urbane e jo edhe rurale e qytetare” , ka deklaruar ai.

Tutje Mehazi nuk pajtohet me atë që LVV-në Haziri e quan parti të majtë, sepse sipas tij, LVV-ja nuk pajtohet as me partitë e majta dhe as të djathta.

Ai thotë se tani LDK-ja me Abdixhikun është më e mirë, edhe pse do të humbas prap, por jo sikur kur ishte në krye me Mustafën dhe Veliun.

“Lutfi Haziri deklaroi për LVV-në, se "për herë të parë fitoi e majta ideologjike në Kosovë," nuk është e vërtetë se LVV-ja e Albin Kurtit është e majtë, LVV-ja ështe parti e qendrës që nuk pajtohet as me partitë e djathta e as me partitë e majta të Kosovës. Partitë e majta janë pasardhëse të partive komuniste titiste e enveriste, kurse LVV është krijuar nga lëvizja e të rinjve antikomunistë të Kosovës. LDK-ja me Abdixhikun eshtë shumë më e mirë se me Isa Mustafën, megjithatë duhet kohë për t'u rimëkëmbur edhe shumë kohë, kështu që edhe gjatë zgjedhjeve lokale do pësojë humbje, po jo aq sa me Isa Mustafën e Agim Veliun që me kulturën e tyre të zbehtë politike anuluan LDK-ne nga votuesit e tyre të mëparshëm”, përfundoi Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat