Letra e 16 kongresmenëve pro Serbisë për Biden/ Ky është shqetësimi më i madh për Osmanin dhe Kurtin...

Politika

Letra e 16 kongresmenëve pro Serbisë për Biden/ Ky është shqetësimi më i madh për Osmanin dhe Kurtin...

Nga: P.R Më: 9 shkurt 2022 Në ora: 18:41
Kongresi amerikan

Ish deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe anëtari ekzekutiv i bordit LQSHA, Faton Bislimi, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në facebook¸ ka thënë se Serbia po bën lobim të hatashëm në Washington DC, ku së fundi 16 anëtarë të Kongresit të SHBA-së ia kanë dërguar letër presidentit të SHBA-së, Joe Biden, në përkrahje të Serbisë.

“Letra me mbi njëmijë fjalë në dy faqe lartëson Serbinë po aq sa që të shkon mendja mos po flitet për ndonjë ‘Serbi’ tjetër e jo këtë që ka shkaktu luftrat më të përgjakshme në historinë moderne të Evropës, gjenocidin, dhe spastrimin etnik më makabër pas Holokaustit në Evropë. Por, ky është lobimi serb. Ky është rezultat direkt i angazhimit të Beogradit zyrtar që derdhë miliona dollarë në Washington për të përvetësuar sa më shumë përkrahje aty ku fitohet ose humbet beteja historike politike e Serbisë ndaj Kosovës – në Capitol Hill. Serbët e kanë kuptuar fare mirë se ata humbën krejt betejat në Ballkan kur shqiptarët fituan përkrahjen më të madhe në Capitol Hill”, ka shkruar ndër tjerash zyrtari i LDK-së, Faton Bislimi.

Por letrën e 16 kongresmenëve drejtuar presidentit Biden, po e sheh vetëm si akt simbolik profesor, doktor Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

“Nuk është hera e parë që ambasadori i Serbisë në SHBA shfaq pamje të një shou në përpjekjet e tij për të dëshmuar se po bën “namin” për të siguruar përkrahjen e Serbisë në Uashington. Para pak kohe ai u shfaq në një mbrëmje me disa eksponentë amerikanë, në mesin e të cilëve ishte edhe Richard Grenell. Duhet kuptuar se në SHBA politikanët bëjnë biznes. Të zgjedhurit bëjnë pazare dhe lobime. Gjuriq po e shfrytëzon këtë hapësirë për të krijuar një opinion të caktuar rreth Serbisë në SHBA. Publikimi i një letre që 16 anëtarë të Kongresit i drejtojnë presidentit Biden, me të cilën i kërkojnë atij të përkrahë Serbinë është më së shumti një akt simbolik me të cilin Marko Gjuriq përpiqet të promovohet në Serbi!”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, Marko Gjuriq e ka marrë modelin e Vuk Jeremiq dhe vuan nga sindromi i lavdisë! 

“Ndryshe nuk kishte pse kjo letër publikohej. Nëse është vërtet e dobishme që 16 kongresmenë të angazhohen për Serbinë, kjo mund të bëhej publike nga këta kongresmenë dhe jo nga ambasadori i Serbisë në SHBA. Ambasadorët dhe diplomacia nuk funksionon me letra të hapura. Ky është rregull i përgjithshëm i zhvillimeve diplomatike. Por a ka shans që SHBA-të të vihen në krah të Serbisë e kundër Kosovës?! Edhe nëse ndodh që Uashingtoni ta përkrahë Serbinë, kjo nuk është premisë se do ta dëmtojë Kosovën. Kjo është arritja e Gjuriq në rastin më të mirë. Por nuk mjafton një letër qoftë edhe e 16 ose 60 kongresmenëve për presidentin që të ndodhë kjo. Të rëndësishme janë argumentet që ata përdorin për ta ndryshuar politikën amerikanë ndaj Beogradit”, shprehet profesor Bytyçi.

Ai thotë se shqetësuese është ajo se Serbia po gjen përkrahës në Amerikë, ndërkohë Kosova po i humb ata. 

“Këta 16 kongresmenë në funksion lobimi të zënë nga Gjuriq me paratë e taksapaguesve serbë mund të bëjnë edhe njëqind letra të tjera. Por nëse në këto letra ka vetëm fjalë dhe asnjë argument, atëherë ato janë thjesht letra që justifikojnë paratë e marra për lobim. Asgjë më shumë. Ne duhet ta shohim këtë akt si një shqetësim në kuptimin se pse po ndodh që në SHBA të gjejë përkrahës dhe Kosova të humbë përkrahës?! Ky është e duhet të jetë shqetësimi më i madh i qeverisë, kryeministrit, presidentes dhe institucioneve të Kosovës. A mos ndoshta disa kanë firmosur se politika në Prishtinë po qëndron disi larg Uashingtonit?!”, thekson Bytyçi.

Por çfarë duhet të bëjë Kosova që të forcojë edhe më tej marrëdhëniet e ngushta që ekzistojnë me SHBA-të?! 

“Unë mendoj se autoritetet e Kosovës nuk duhet të jenë kryeneçe për çdo kërkesë të amerikanëve. Nëse ndodh kjo, ka mundësi që letra të tilla të serviren edhe si presion ndaj këtyre autoriteteve. Por a është e mundur që Amerika të heqë dorë nga Kosova e t’i bashkohet politikave të kësaj Serbie çfarë ajo është sot? Nuk e besoj këtë. Serbia e sotme është aleate e ngushtë e Rusisë dhe e Kinës. Ajo ka marrëdhënie strategjike ushtarake me një vend që po bëhet çdo ditë e më shumë kërcënim i madh për Evropën dhe rendin botëror. Beogradi blen çdo vit gati një gjysmë miliardi dollarë armë nga Rusia. Ajo po armatoset për të destabilizuar Ballkanin. Atë që po bën Rusia në Ukrainë, po bën Serbia në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe Mal të Zi! Serbia po ndjek politika të qarta destabilizimi, kundër paqes e sigurisë në rajon. A është e mundur që një Serbi, çfarë ajo është sot, të bëjë aleate të saj presidentin amerikan dhe administratën e tij? Nuk mund të besohet kjo”, shpjegon më tej profesor, doktor Enver Bytyçi.

Ai shton se në SHBA gjenden sot e do të gjenden nesër politikanë e diplomat që bëjnë biznes me Serbinë. 

“Këta janë e do të jenë të gatshëm që të nënshkruajnë letra dhe të shfaqen në dreka e darka me ambasadorin serb në Uashington, marko Gjuriq, kundrejt biznesit që bëjnë. Por nuk mund të ndodhë që politika amerikane të orientohet drejt Beogradit, sa kohë që Serbia është e do të jetë aleat i ngushtë e Rusisë. Para disa vitesh një nga personalitetet e larta të Departamentit të Shtetit i thoshte presidentit Vuçiq se “Ju nuk mund të qëndroni në dy karrige“!”, deklaron Bytyçi.

“Kjo do të thotë se Serbia duhet të ndryshojë kursin e saj politik e të aleancës strategjike. Të jetë e gatshme t’i bashkohet NATO-s dhe BE-së, duke pranuar shtetet fqinjë të saj. Pa ndodhur kjo nuk do të ketë marrëdhënie favorizuese me SHBA-të! Madje edhe pasi të ndodhë kjo, do të ketë hezitime për një kohë të caktuar! Besimi është kollona e qëndrueshme në marrëdhëniet midis njerëzve e midis shteteve. Sot mungon ky lloj besimi. Aq më tepër kur Serbia çdo ditë dëshmon se nuk është aleate e Perëndimit, por e Lindjes!”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat