“Veteranët” enigmë në vete/ Kosova po humbë miliona - drejtësia po dështon ta zbardh rastin!

Politika

“Veteranët” enigmë në vete/ Kosova po humbë miliona - drejtësia po dështon ta zbardh rastin!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 9 prill 2022 Në ora: 13:52
Foto ilustrim

Verifikimi i veteranëve të vërtetë dhe zbulimi i atyre të rrejshëm është një sfidë në vete për institucionet e drejtësisë së Kosovës.

Kjo ka qenë kryetema e viteve të fundit të Kosovës, ku çdo gjë erdhi si pasojë e fryrjes së listave të veteranëve, numri i të cilave thjesht ishte i papranueshëm dhe jo kredibil.

E për këtë çështje është hapur edhe proces gjyqësor.

Megjithatë, ka kaluar më shumë se një vit nga vendimi i shkallës së parë dhe Gjykata e Apelit ende nuk i ka dhënë epilog rastit të njohur si “Veteranët”.

Në këtë rast u akuzuan për keqpërdorim të detyrës zyrtare ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Humbjet e milionave që nuk u ndalën

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.

Image
Pamje nga seanca e rastit 'Veteranet'

Përmes kësaj aktakuze ishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që ta urdhërojë Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate, që ta lëshonte masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

Madje, javë më parë kryeministri Albin Kurti deklaroi se Kosova nuk i ka 60 mijë veteranë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aq sa janë të regjistruar nëpër evidenca. Sipas tij më së shumti janë 20 mijë persona që i përkasin kësaj kategorie.

“Veteranët e luftës meritojnë më shumë sesa paga minimale. Por edhe duhet t’i bëjmë evidencat e sakta, nuk janë 60 mijë veteranë. Nëse dikush dëshiron ta gënjejë vetveten, s’mund të më gënjejë mua. Maksimalisht janë 20 mijë. Duhet t’i gjejmë mënyrat sesi t’i largojmë këto deformime”, ka thënë ai.

Ndërsa, për ngecjen e këtij procesi gjyqësor për “Bota sot” kanë folur juristët Muhamet Kelmendi dhe Blerim Burjani.

Burjani: Drejtësia e kapur, kërkohen reforma të thella

Image
Jurisit Blerim Burjani

Jurisit Blerim Burjani në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh se sistemi i drejtësisë në Kosovë është i kapur dhe ka probleme të shumta.

Krahas kësaj, ai potencoi se një reformë e thellë është e domosdoshme në sistemin e drejtësisë.

“Flitet për drejtësi të kapur, të heshtur, drejtësia në Kosovë ka probleme kur flitet për nivelet politike dhe profilet e njerëzve që janë marrë me politikë, pra këto telashe pa një reformë të thellë nuk mund të pritet asgjë e re dhe e dobishme”, deklaroi ai.

Gjithashtu, juristi paralajmëroi se nëse nuk largohen pengesat e shumta atëherë do të ketë edhe më shumë problem, pasi ka shumë akterë të përfshirë dhe politizim të drejtësisë.

“Nëse pengesat vazhdojnë si deri më tani, atëherë më shumë ka telashe, këmbëngulje, mospunë dhe mospërgjegjësi.

Janë akterë politikë të ndikuar në këtë temë, pra nuk mund të presim asgjë përveç politizimit të skajshëm”, thotë ndër të tjera Blerim Burjani për “Bota sot”.

Kelmendi: Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së mund t'i vlerësojnë vetëm gjykatat kompetente në Kosovë

Image
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi

Ndërsa, njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi thotë se organet e shtetit nuk kanë mundësi ta kontestojnë statusin e veteranëve të luftës apo edhe invalidëve.

Ai në një prononcim për “Bota sot” thotë se mohimi i të drejtave të këtyre kategorive, arrihet vetëm përmes aktgjykimit të gjykatave dhe të verdikteve juridike.

“Të drejtat e veteranëve të luftës dhe të invalidëve, përkatësisht statusin e kategorive të UÇK-së, nuk mund ta kufizojnë ose ta mohojnë organet e shtetit me akte administrative dhe as me ndonjë ligj të ri, pavarësisht të dhënave.

Mohimi i të drejtave të dhëna me ligj ndalohen vetëm me aktgjykim të gjykatave dhe atë vetëm atëherë kur verdikti e merr fuqinë e plotë juridike”, theksoi juristi.

Më tej, Kelmendi paralajmëroi Qeverinë dhe Kuvendin se çdo tendencë për intervenim në rivlerësimin e veteranëve të luftës është antiligjore.

Po ashtu, ai theksoi se Qeveria dhe Kuvendi mund të krijojnë edhe komisione, mirëpo, ato nuk mund të rivlerësojnë vendimet e nxjerra në bazë të ligjit.

“Çdo intervenim nga Qeveria nëpërmjet Kuvendit për të bërë rivlerësimin e veteranëve të luftës së UÇK-së, të invalidëve dhe të drejtave tjera, është antiligjore dhe në Gjykatën Kushtetuese e fiton çdo paditës të drejtën ligjore.

Kategoritë e luftës së UÇK-së janë zgjidhur me ligj, ato janë parimisht të pa kontestuara. Ligje mund të nxirren nga Kuvendi dhe Qeveria së bashku me të mund të krijojnë edhe komisione, mirëpo, ato nuk mund të rivlerësojnë vendimet e nxjerra në bazë të ligjit. Këtë e bënë gjykata me padi nga prokuroria”, nënvizoi ai.

Në fund, juristi thotë se shqyrtimin e çdo lënde veç e veç për këto raste e bëjnë prokuroritë në Kosovë dhe e vendosin gjykatat me aktgjykim.

“Prandaj, del se forma juridike e Qeverisë së Kosovës që nëpërmjet intervenimit ligjor për të bërë rivlerësimin e kategorive të luftës është kundër Kushtetutës së Kosovës. Ajo formë e rivlerësimit vetëm krijon konflikte juridike në Republikë.

Shqyrtimin e çdo lënde veç e veç e bëjnë prokuroritë në Kosovë dhe e vendosin gjykatat me aktgjykim. Mundësi tjetër juridiko-ligjore nuk ka”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat