“Cila është qasja e gabuar e Kurtit në Fondin e Sigurisë? Të mos përfundoj si ato që u keqpërdoren nga Azem Syla  e komandantët kriminelë”

Politika

“Cila është qasja e gabuar e Kurtit në Fondin e Sigurisë? Të mos përfundoj si ato që u keqpërdoren nga Azem Syla  e komandantët kriminelë”

Nga: H.O. Më: 15 maj 2022 Në ora: 19:26
Azem Syla

Publicisti dhe njohësi i ҫështjeve politike, që jeton dhe vepron në Gjermani, Idriz Zeqiraj në një prononcim të tij për ‘Bota sot’, ka folur lidhur me Fondin e Sigurisë. Ai këtë fond e ka quajtur si të nevojshëm, por sipas tij me një qasje të gabuar.

Image
Idriz Zeqiraj

“Themelimi i Fondit për fuqizimin e Ushtrisë të Kosovës, ishte nismë e qëlluar, por, me një qasje të gabuar. Dy Fondet kryesore: Fondi shtetëror, i shprehur në 3 %-shin obligativ, të rrogës mujore dhe Fondi "Vendlindja thërret", të para luftës, tashmë janë lënduar skajshëm. Paradoksalisht e cinikisht, ky i fundit quhet edhe "Fondi i luftës", ndërkohë që kontrubutet e Fondit,  siç mësojmë nga Procesi gjyqësor "Tokat", me krye të akuzuarin, shefin e SHP të UÇK-së të LPK-së, Azem Syla, u përdor për këto biznese dhe të tjera, por, jo për Luftën e Kosovës”, vlerëson ai.

Zeqiraj thotë më tutje se, Fondi shtetëror i 3 %-shit, përballoi shpenzimet e Luftës së Kosovës, por, disa miliona u abuzuan nga disa komandantë kriminelë dhe hajna zyrtarë.

“Administrimi ka qenë korrekt, shumë profesional, me inkasim bankar në Diasporën shqiptare. Por, abuzimi ka ndodhur në Tiranë, nën tytën e kallashëve të komandantëve dhe të bandave të tyre vrastare, të kundërshtarëve politikë”, thotë ai.

Ai thotë poashtu se qasja e gabuar në këtë raste është se, LVV duhej ta shtronte çështjen e Fondit për Ushtrinë, mbrojtjen, në Parlament, duke kërkuar dhe siguruar përkrahjen e njëzëshme të subjekteve partiake.

“Krejt njësoj, sigurimi i një procedure të përkryer, siç ka qenë begatimi dhe administrimi i Fondit shtetëror, në dhjetë-vjeçarin e viteve `90-a. Për mbikëqyrjen bankare, të drejtën e tërheqjes të depozitave, krijohet një komision, me përfaqësues të subjekteve politike, p.sh. prej 5 (pesë) vetësh. Sipas një përllogaritje, rezulton se 57 % të shqiptarëve jetojnë në Mërgatë. Tri dekada më parë, kur u themelua Fondi Shtetëror i 3 %-shit, punonin një ose dy pesona nga familja. Ndërsa tani punojnë disa anëtarë nga një familje, që depozitojnë mijëra euro në muaj”, vlerëson Zeqiraj.

Ai ka komentuar edhe deklarimet e opozitës sa i përket këtij fondit, duke thënë se Kosova ka nevoje jo vetëm për gjkaun e qytetarëve të saj, por edhe për të siguruar mbrojtje kundër armiqëve lakmitarë.

“Demagogët e opozitës, me kundërshtinë e tyre, për ta sabotuar - Fondin e Shenjtë të Mbrojtjes -, se, gjoja, "nuk mbahet ushtria me lëmosha", ngjallin frikë e disfatizëm, në vend të mobilizimit masiv, për begatimin e Fondit në fjalë. Atdheu - Kosovë ka nevojë, jo vetëm për gjakun e qytetarëve të saj, por edhe për xhepin e tyre, për ta siguar një mbrojtje e siguri efikase, kundër armiqëve lakmitarë. "Kurbani nuk majmët, në natën e "Bajramit", - thotë populli. Thirrja kushtrimtare, para skuadrës pushkatare fashiste, e poetit çek, Julius Fuçik: "Njerëz, ju kam dashur. Jini vigjilentë", vazhdon të jetë aktuale edhe sot dhe mot pas moti”, thekson Zeqiraj për ‘Bota sot’.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat