17 Vite nga vrasja e Bardhylit, familjarët sytë i kanë në gjykatën speciale

Politika

17 Vite nga vrasja e Bardhylit, familjarët sytë i kanë në gjykatën speciale

Hava Orana Nga Hava Orana Më 25 qershor 2022 Në ora: 07:59
Gazetari i vrarë i gazetës “Bota sot” Bardhyl Ajeti

17 Vjet më parë ndërroi jetë gazetari dhe kolumnisti më i devotshëm i ‘Bota sot’, Bardhyl Ajeti, pas plagëve të marra më atentatin ndaj tij me 3 qershor, në afërsi të Gjilanit. Ai u vra në mënyrë mizore nga njerëz që nuk e donin fjalën e lirë, nuk donin të zbulohej e keqja, krimi e korrupsioni. Bardhyli si një gazetar shembull i pengoi keqdashësit me fjalën e tij, andaj edhe 17 vite më parë e qëllojnë me armë zjarri, në fshatin Bresalc të Gjilanit, derisa veturën e tij, “Mercedes”, po e tërhiqte një kombi, për shkak të një defekti që kishte pësuar.

Vrasja e tij, në pikë të ditës, nën një breshëri plumbash, dy nga të cilët ishin fatal, një në gjoks e një në kokë, akoma vazhdon të jetë e pazbardhur. Institucionet e drejtësisë heshtin për këtë vrasje, tash e gati dy dekada, pa asnjë zbulim të ri.

Komisionari i Përkohshëm për Media në Kosovë, aso kohe, në një deklaratë të 6 qershorit 2005, ka pohuar se Ajeti e kishte paraqitur një ankesë në zyrën e tij me 17 maj duke thënë se ishte kërcënuar me jetë.

Familjarët kërkojnë vazhdimisht zbardhjen e vrasjes së Bardhylit të tyre, mirëpo duket se nga drejtësia në Kosovë janë dorëzuar.

Por, vetëm pak javë më parë ka ndërruar jetë nëna e tij Nexharije Ajeti, pa mundur t’i shoh prapa grilave, vrasësit e të birit e dorasit.

Ata tani kanë shpresa tek gjykata speciale, që ajo të jetë një zgjidhje për rastin e më të dashurit të tyre.

Gazeta ka kontaktuar Prokurorinë e Kosovës për të pyetur nëse ka ndonjë informacion të ri sa i përket këtij rasti, mirëpo të njëjtit nuk kanë dhënë asnjë përgjigje.

Të vetmit që nuk reshtin së kërkuari zbardhjen e kësaj vrasje janë familjarët, pa harruar vetë gazetën ‘Bota sot’, dhe kolegët e tij në gazetë.

Familjarët shprehen të habitur se si edhe pas gjithë këtyre viteve askush nga institucionet lokale nuk merr guximin të paktën disa fjalë t’ia kushtoi këtij përvjetori.

Kështu, vëllai i Bardhylit, Fitim Ajeti në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se dihet tashmë që kjo vrasje ka qenë politike dhe e planifikuar nga njerëz të politikës.

“Tashmë dihet botërisht që vrasja e vëllait tim Bardhylit ka qenë vrasje puro-politike, e organizuar dhe e planifikuar nga njerëzit e veshur me kostum politik për interesa të grupeve të caktuara klanore”, thotë Ajeti.

Ai thotë se askush nga institucionet lokale nuk merr guximin të thotë të paktën dy rreshta në këtë përvjetor, që Kosovës i mori gazetarin më të guximshëm.

“Unë ndihem i habitur që 17 vite pas vrasjes së Bardhylit askush nga institucionet tona lokale nuk ka marrë guximin që të paktën dy rreshta t'ua kushtojnë këtij përvjetori që i mori Kosovës gazetarin dhe redaktorin më të guximshëm, heroin e fjalës së lirë”, thotë tutje vëllai i Bardhylit.

Fitimi duke kujtuar vëllain e tij thotë se Bardhyli të vetmen armë në luftën e krimit dhe korrupsionit e kishte penën.

Ndërkaq thotë se, të vetmen shpresë për zbardhjen e vrasjes e kanë tek gjykata speciale, pasi prokuroria nuk ka bërë asgjë.

“Sa i përket zbardhjes së vrasjes mund të them se prokuroria nuk ka bërë asgjë e të vetmen shpresë e kemi te gjykata speciale nga e cila presim informacione e zbardhje të vrasjes”, thotë Ajeti për ‘Bota sot’.

Lidhur me vrasjen e Bardhyl Ajetit dhe hezitimet për zbardhjen e vrasjes së tij, ka folur edhe njohësi i ҫështjeve politike, Faton Mehmeti. Ai thotë se vrasësit e tij janë të njëjtët që kanë vrarë edhe Xhemail Mustafën e njerëz të tjerë të rëndësishëm.

Image
Faton Mehmeti

 

“Vrasësit e Bardhylit dhe urdhërdhënësit e tyre janë po të njëjtit që kanë vrarë edhe Xhemail Mustafën dhe figura tjera të rëndësishme. Kështu që, vrasësit e tyre edhe mund të jenë vrarë nga urdhërdhënësit në mënyrë që mos të lënë dëshmitarë”, thotë ai.

Mehmeti thotë se me të rëndësishëm se vrasësit janë urdhërdhënësit, të cilët nëse nuk janë në Hagë do të jenë atje të akuzuar për këto vrasje.

“Më të rëndësishëm se vrasësit janë urdhërdhënësit, ata që mund të jenë ose në Hagë ose do të jenë në Hagë të akuzuar për vrasjet, tentim vrasjet e pasluftës. Kështu që, të vërtetën e vrasjes së Bardhylit e pres nga gjykata speciale, kjo nuk ndodhi në Prishtinë pasi gjykatat janë të kapura nga ata që urdhëruan vrasjen e tij”, vlerëson ai.

Mehmeti thotë se urdhërdhënësit do të ndëshkohen dhe eshtrat e Bardhylit do të prehen të qetë.

“Jam i prirur të besoj se urdhërdhënësit do të ndëshkohen për të bërë të mundur që edhe familjarët e tyre, por edhe vet eshtrat e Bardhylit të prehen të qetë”, thekson ai.

17 vite më parë, gazetari i gazetës kombëtare “Bota sot”, Bardhyl Ajeti, derisa po kthehej nga Prishtina në shtëpi në Gjilan, me saktësisht në fshatin Bresalc, u qëllua me armë zjarri, ku u plagos rëndë, dhe nuk mbijetoi.

I vetmi dëshmitarë i kësaj ngjarje ishte një taksist i cili po e tërhiqte makinën e Ajetit pas një prishje që kishe pësuar në Prishtinë, megjithatë ky dëshmitarë M.G. nga fshati Përlepnicë e Gjilanit ishte ndjerë i kërcënuar dhe është larguar drejt Norvegjisë.

Më 25 qershor gazetari Bardhyl Ajeti ndërroi jetë në Milano të Italisë, ku ishte dërguar për trajtim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat