“Një Komb me dy koka, Shqipëri-Kosovë”, analistët flasin rreth bashkimit kombëtar

Politika

“Një Komb me dy koka, Shqipëri-Kosovë”, analistët flasin rreth bashkimit kombëtar

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 27 nëntor 2022 Në ora: 16:19
Pamje nga mbledhja e sotme Kosovë-Shqipëri

Shqiptarët të hënën e festojnë 110 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Nga një mori përgatitjesh veçantia e kësaj here ishte mbledhja e përbashkët e dy kuvendeve, Kosovë dhe Shqipëri, të cilat mbajtën një mbledhje solemne të dielën në Tiranë, në selinë e Kuvendit të Republikës.

Mbledhja është mbajtur në Sallën e Seancave Plenare dhe ka zgjatur rreth një orë e gjysmë.

Bashkimi në një shtet të përbashkët, në të kaluarën ishte përmendur nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e analistët politikë thonë se politika ka ende frikë të punojë në këtë drejtim. Sipas tyre, Kosova fillimisht duhet të jetë anëtare e OKB-së dhe shtet i konsoliduar.

Bashkimi kombëtar bëhet, nuk thuhet

Analisti politik, Rexhep Shahu, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se çdo tentativë për bashkimin me Shqipërinë pa u bërë Kosova shtet anëtar i OKB-së, do të nënkuptonte që gjysma e saj t’i bashkohet Shqipërisë e gjysma tjetër t’i jepet Serbisë.

Image
Rexhep Shahu

Sipas tij, kur dy shtetet shqiptare të jenë të njohura e të konsoliduara, me pajtimin e Amerikës dhe fuqive të mëdha mund të flitet për bashkim kombëtar si rasti i dy gjermanive.

“Mendoj se pa u bërë Kosova shtet anëtar i OKB-së, shtet i konsoliduar, çdo tentativë për bashkim me Shqipërinë në një shtet do të thotë që të bashkohet me Shqipërinë gjysma e Kosovës, e gjysma tjetër t’i jepet Serbisë. Vetëm kur dy shtetet shqiptare të jenë të njohura e të konsoliduara, me pajtimin e ndihmën e Amerikës dhe të fuqive të mëdha, mund të flitet për bashkim kombëtar si rasti i dy Gjermanive. Gjithë të tjerat janë përralla për biznes të pistë të shoqatave e patriotëve tallava”, deklaron Shahu.

Sipas Shahut, bashkimi kombëtar bëhet, nuk thuhet.

Mbledhjet e dy kuvendeve, sipas Shahut, nuk e bashkojnë kombin, por e mbajnë gjallë fjalën dhe idenë e bashkimit që të mos e lënë të shuhet.

Bashkimi kombëtar bëhet, nuk thuhet. Para se të vijmë te akti formal i bashkimit në një shtet, duhet të bashkojmë gjuhën, letërsinë, kulturën, shtypin, median, sportet, akademitë, federatat, shoqatat, televizionet. Ata që kërkojnë pushtet dhe e kanë pushtetin biznes, ata nuk pranojnë bashkim dhe nuk lejojnë Bashkim. Këta që llomotisin bashkim kombëtar, që bëjnë mbledhje konferenca, si ajo që do bëhet në dy parlamentet, nuk e bashkojnë kombin, por e mbajnë gjallë fjalën dhe idenë e bashkimit, nuk duhet lënë të shuhet, këtë të mirë e bëjnë. Sot e përditë e më shumë 28 nëntori vazhdon të eklipsohet nga 29 nëntori, si ditë çlirimi dhe festë e Jugosllavisë. Po t’i bindë dikush shqiptarët, jo komunistë, se 29 nëntori është festë e Jugosllavisë, nuk do ta respektonin më”, përfundon Shahu.

Ndërsa, analisti politik Ilir Vata, thotë se politika ka frikë të punojë për bashkimin kombëtar.

Image
Ilir Vata

Sipas tij, mbledhja e dy kuvendeve është më shumë gjest, sesa një veprim konkret për të ngushtuar ndasinë dhe hendekun në mes dy vendeve që në thelb janë një komb.

Politika ka ende frikë të punojë për bashkimin Kombëtar 110 vjetori i pavarësisë është një ngjarje e rëndësishme për shqiptarët kudo në botë, pasi më shumë se një shekull, shqiptarët brez pas brezi kanë kontribuar për pavarësinë dhe zhvillimin e Kombit. Historia ka qenë fatkeqe për shqiptarët, ende ata janë të ndarë mes vetes, në 5 shtete në rajon ata kanë një kufi mes tyre, madje erdhe se realiteti i ri në Ballkanin Perëndimor është prezent me pavarësinë e Kosovës, shqiptarët e ndien dasinë mes tyre edhe se janë dy shtete në rajon. Në konceptin figurative, Shqipëri-Kosovë kanë pasur aktivitete të përbashkëta në nivel qeverie, e tani me rastin e 110 vjetorit të pavarësisë mblidhen në një kuvend të përbashkët dhe ky është më shumë një gjest sesa një veprim konkret për të ngushtuar dasinë dhe hendekun mes dy vendeve që në thelb janë një Komb. E vetmja kauzë që shqiptarët i mbanë të ndëshkuar është bashkimi Kombëtar, ëndrrat etërve thërret edhe sot si atëherë, sepse është në drejtën e shqiptarëve bashkimi kombëtar, është mision atdhetar, patriotik, vetëm se luhet në një kohë moderne”, deklaron Vata.

Një padrejtësi

Sipas tij, politika shqiptare në të dyja vendet nuk punon sa duhet për bashkim kombëtar.

Ajo që i mungon kësaj kauze është politika shqiptare, si në Shqipëri dhe në Kosovë që nuk demonstron atë që duhet, të punuarit për bashkim kombëtar, madje shpeshherë nuk kanë munguar dhe tradhtarë që janë bërë palë me politika antishqiptare. Fakti se që nga pavarësia e Kosovës dhe më sot, kosovarë nuk rrugëtojnë të lirë në Evropë është një pengesë e madhe dhe një padrejtësi që shënohet pikërisht nga vendet e BE-së, pasi disa vende anëtarë e kanë çuar marrëzinë më tej, nuk e njohin Kosovë”, pohon ai.

Ajo çka mund të bëjnë dy vendet Shqipëri-Kosovë, sipas Vatës, është të heqin kufizimet mes palëve, lëvizjen e lirë, heqja e taksës së rrugës së kombit, heqja e taksave doganore etj.

Krijimi i një senati të përbashkët, është propozimi i Vatës, pasi sipas tij palët mund të jenë vendimmarrës në të dy kuvendet.

Por kjo nuk është në dorë të shqiptarëve, por ajo që mund të bëjnë dy vendet Shqipëri-Kosovë është që të heqin kufizimet mes palëve, lëvizje e lirë, heqja e taksës së rrugës së kombit, heqja e taksave doganore, dhënia e shtetësisë të gjithë shtetasve kosovarë, pra të funksionojë dyshtetësia. Krijimi i një senati të përhershëm në Parlament me deputet nga Kosova dhe Shqipëria, pra palët të jenë vendimmarrës në të dyja kuvendet. Arsimi, shkenca, siguria, arti kultura, gjuhësia, historia të kenë një kornizë zyrtare të përbashkët. Po ashtu të ketë një këshill kombëtar të përbashkët në politikën e jashtme e të tjera institucione ndihmëse, që të heqin hendekun e dasisë mes vendeve duke e përafruar bashkimin kombëtar në kohë moderne dhe parë shqiptarët në një komb të vetëm”, ka theksuar Vata.

Politika shqiptare ka frikë të thërras për bashkim

Mirëpo, politika shqiptare ka frikë të përballet me realitetin e ri, sipas Vatës, ka frikë të thërras për bashkim.

Mbledhjen e dy kuvendeve, analisti e sheh si lëvizje kombëtare”, por jo edhe politika shqiptare.

Por, politika shqiptare ka frikë të përballet me këtë realitet të ri, ka frikë të thërras për bashkimin, dhe fjala bashkim kombëtar përmende vetëm në periudha elektorale, nga politikan të caktuar për të përfituar politikisht dhe jo për të marrë përfitime atdheu ynë i përbashkët Kombi Shqiptar. Ne jemi sot si shqipja, një Komb me dy koka, Shqipëri-Kosovë, por duhet bërë realitet dhe nuk mjafton vetëm me estrada publike, mbledhje mes palëve, por veprime konkrete”.

Ai thotë se politika ndërmjet dy shteteve nuk është në ditën më të mirë, kështu që shpejt do të harrohet edhe kjo ceremoni.

Të tjerët do ta interpretojnë takimin e dy kuvendeve në Tiranë si një lëvizje kombëtare, dhe me të drejtë, ndërsa politika shqiptare e ka thjeshtë një ceremoni feste zyrtare dhe pas 28 nëntorit, gjërat do të shkojnë siç kanë qenë, që për fat të keq politika mes dy vendeve nuk është në ditën më të mirë. E rëndësishme është se ky kuvend do ju vlejë vetë shqiptarëve në nxitjen e ëndrrës së tyre, bashkimi kombëtar, dhe në këtë aspekt ky për shqiptarë është flaka e shpresë së kauzës kombëtare, por që politika duhet ta mbështes pa frikë. Shqiptarët janë faktorë përcaktues në rajonin e Ballkanit Perëndimor, për të tradhtuar nga politika e vjetër që vjen nga bolshevizmi, nacionalizmi primitiv. Koha që politika të mendojë për bashkimin e shqiptarëve si mundësia e vetme për të qenë përcaktues i së ardhmes kombëtare. Një shqipe dy koka, dy shtete, një komb është deviza kombëtare e shqiptarëve”, ka përfunduar Vata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat