Kryeministri e quajti propozim serioz, analistja nga Gjermania jep detaje nga plani franko-gjerman

Politika

Kryeministri e quajti propozim serioz, analistja nga Gjermania jep detaje nga plani franko-gjerman

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 28 nëntor 2022 Në ora: 21:55
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, Kryeministri i Kosoves, Albin Kurti, Presidenti serb, Aleksander Vuçiq dhe Presidenti francez, Emmanuel Macron

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë ka deklaruar se plani franko-gjerman, është një propozim serioz dhe duhet të merret si i tillë.

I pari i shtetit ka kërkuar nga përfaqësuesi i BE-së, për dialogun Kosovë- Serbi, Josep Borrell, që të mos braktiset propozimi i tillë.

Analistja në Gjermani, Vjollca Hajdari, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka folur rreth këtij plani, duke treguar nëse do t’i përshtatej Kosovës.

Sipas Hajdarit, Serbia është aq e llastuar dhe e përkëdhelur nga BE-ja saqë për të çdo gjë që ka të bëjë me Kosovën është e papranueshme.

“Së pari: Serbia është aq e llastuar dhe e përkëdhelur nga BE-ja, saqë për Serbinë çdo gjë që ka të bëjë me Kosovën, është e papranueshme. Një agresor i privilegjuar, siç është Serbia, ka apetite për aneksim të plotë të Kosovës, ndaj çdo kompromis tjetër nuk i pëlqen. Imagjinoni: Serbia e deklaron Kosovën si djep të popullit serb; një pohim absurd dhe i pavërtetë, kur dihet se Kosova është Dardania antike, që kurrë s`i ka takuar Serbisë”, ka thënë Hajdari.

Një gjë është e qartë, sipas Hajdarit, që plani franko-gjerman nuk e ka objektiv pavarësinë e plotë të Kosovës.

Sipas Hajdarit, ky plan është analog me modelin gjerman dhe përpiqet që të ofrojë kompromise për të arritur të ashtuquajturin “normalizimin” mes dy palëve.

“Sido që të jetë, këtë të vërtetë e injoron BE-ja dhe tani ja ku e kemi këtë status-quo. Një gjë është e qartë: plani franko-gjerman nuk e ka objektiv pavarësinë e plotë të Kosovës. Ky plan është analog me modelin gjerman, dhe përpiqet që të ofrojë kompromise për të arritur të ashtuquajturin “normalizim” mes dy palëve. Kosova fatkeqësisht është në pozitën e palës në disavantazh, që detyrohet të përpijë çdo pilulë që ia ofrojnë ndërkombëtarët. Sa do i përshtatet tani ky plan, mbetet të shihet këto ditë, por sipas përvojave historike, shqiptarë gjithmonë kanë pësuar humbje nga vendimet e fuqive të mëdha e në këtë plan hyn edhe Kosova”, ka pohuar Hajdari.

Image
Analistja ne Gjermani, Vjollca Hajdari

Analistja në Gjermani, është shprehur se Kosova ka filluar kohëve të fundit të hyjë në agjendë të mediave dhe politikës gjermane, pasi që sipas saj, më parë ka pasur më shumë rol periferik.

“Për momentin lufta në Ukrainë është tema numër një sa i përket politikës gjermane. Kosova ka filluar tani, kohëve të fundit të hyjë në agjendë të mediave dhe politikës gjermane, sepse më parë ka pasur më shumë rol periferik. Procesi i Berlinit ka ndryshuar pak a shumë qasjen politike të Gjermanisë ndaj Kosovës, por përpos disa ngjarjeve të mëdha sporadike, Kosova ngelet nën hije të ngjarjeve botërore”, ka theksuar Hajdari.

Sipas saj, duhet angazhim i madh, lobim dhe avokim i pandërpreë që Kosova të mbahet si top temat kryesore.

“Duhet të them që për të mbajtur Kosovën ndër top temat kryesore, duhet angazhim i madh, lobim dhe avokim i pandërprerë. Kosova nuk e ka këtë kapacitet, prandaj këtë deficit përpiqem ta mbuloj gjatë konferencave dhe shumë takimeve që i zhvilloj me politikanë të ndryshëm. Sido që të jetë, Gjermania e di se Kosova historikisht dhe në aspektin gjeostrategjik, ka një peshë shumë të madhe. Ajo po ashtu e di se Kosova ka potencial të madh sa i përket pasurisë nëntokësore. Por siç dëshmon historia, zakonisht vendet e tilla janë mbajtur gjithmonë në gjendje pasigurie apo janë shfrytëzuar në formën më të keqe”, ka përfunduar Hajdari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat