Shkeli ‘vijën e kuqe’, hetime serioze e presin komisionerin e BE-së – mbështeti Vuçiqin, Ramën e Zaevin!

Politika

Shkeli ‘vijën e kuqe’, hetime serioze e presin komisionerin e BE-së – mbështeti Vuçiqin, Ramën e Zaevin!

A.Morina Nga A.Morina Më 21 janar 2023 Në ora: 22:08
Komisieneri i zgjerimit, Oliver Varhelyi dhe Aleksandar Vuçiq

Deputetët e Parlamentit Evropian kanë kërkuar të mërkurën një hetim të pavarur për komisienerin e zgjerimit, Oliver Varhelyi. Ata dyshojnë se raportet e progresit kanë favorizuar autokratët.

Ligjvënësit e Parlamentit Evropian bënë thirrje të mërkurën për një hetim ndaj komisionerit të zgjerimit Oliver Varhelyi. Deputetët shprehin shqetësimin se ai favorizon presidentin serb pro rus, Aleksander Vuçiq.

Profesori universitar, Enver Bytyçi në një prononcim për “Bota sot” komentoi nisjen e hetimeve ndaj komisionerit Varhelyi.

Fillimisht, ai tha se komisioneri hungazer ka favorizuar Serbinë duke ia krijuar asaj mundësitë që të përparojë në mbylljen e disa kapitujve në bisedimet për integrimin evropian.

“Parlamenti Europian me shumicë dërmuese votash vendosi që të ngrejë një komision hetimi për komisionerin për Zgjerim të BE-së, Oliver Varheley. Duket se ky vendim do të nisë zbatimin e tij dhe ai do t’i nënshtrohet një hetimi parlamentar me objekt favorizimin e vendeve autoritare si Serbia e Shqipëria në rrugën e integrimit europian. Në veçanti, Varhelyi ka favorizuar Serbinë, pavarësisht faktit se presidenti Vuçiq ka bërë prapa në zbatimin e demokracisë.

Serbia dhe Shqipëria janë vende jo demokratike. Megjithatë Serbia është favorizuar nga komisioneri për Zgjerim i BE-së në vazhdimin e dialogut me Brukselin, duke ia krijuar asaj mundësitë që të përparojë në mbylljen e disa kapitujve në këto bisedime. Ndërkohë Serbia vazhdon të shkelë të drejtat e njeriut, ka bllokuar, ashtu si edhe Shqipëria, aksionin opozitar. Ka ndërtuar marrëdhënie me vende autoritare e madje agresore për sovranitetin e shteteve, si Rusia. Nuk ka harmomnizuar politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Europian”, deklaroi profesori.

Gjithashtu, Bytyçi përmendi faktin se Varhelyi ka mbështetur “Ballkanin e Hapur”, ndonëse ai, si komisioner që është, sipas tij nuk do duhej të mbështeste nisma që synonin zhbërjen e Procesit të Berlinit.

“Presidenti i Serbisë ka krijuar me iniciativën e tij iniciativa anti-europiane, siç është nisma e Ballkanit të Hapur, me qëllim që t’i bëhet karshillëk BE-së. Dhe në këtë rrugë autokracie është mbështetur e imituar edhe nga Tirana zyrtare. Serbia, duke qenë një vend autoritar, vazhdimisht nxit konflikt në rajonin e Ballkanit Perendimor. Dhe duhet të dimë se vetëm vendet jo-demokratike përdorin taktikat e konfliktit dhe luftës për zgjidhjen e krizave.

Megjithatë Oliver Varhelyi ka vendosur marrëdhënie të tilla me Beogradin, sikur Serbia të ishte një vend model i demokracisë në rajonin e Ballkanit Perendimor. Madje ne e kemi parë atë që të mbështesë edhe iniciativën e Open Balkan, madje duke marrë pjesë vazhdimisht në samitet e kësaj iniciative. Ne e kemi dëgjuar të flasë në këto samite e të thotë se ai „personalisht“ e mbështet Ballkanin e Hapur. Por një komisioner europian nuk mund të shfaqet në nisma të tilla, të cilat synonin zhbërjen e Procesit të Berlinit, e të thotë se e mbështet atë, pavarësisht kësaj”, theksoi ai.

Në vazhdim, profesori tregoi se Varhelyi në këtë pozitë erdhi përmes kompromisve dhe presioneve që Hungaria ia bëri BE-së.

Ai potencoi se ky komisioner më përkrahje e “Ballkanit Evropian” ka shkelur ‘vijën e kuqe’.

“Varhelyi ka vepruar në kundërshtim me orientimet dhe politikat europiane. Ai i është kundërvënë Procesit të Berlinit për Ballkanin Perendimor, ndërkohë që ai kishte detyrë funksionale të tij ta mnështeste atë proces. Pse i bëri këto komisioneri Varheley? Si mundet që një ministër i BE-së të unojë kundër interesave të Unionit Europian dhe t’i bashkohet interesave serbe, si psh për Open Balkan.

Së pari, ai u zgjodh në atë post si kompromis, për shkak të presioneve që bëri Hungaria ndaj BE-së. Marrja e patronatit të zgjerimit nga një njeri i Viktor Orban do të sillte probleme. Por nuk pritej që të shkonte kaq larg. T’i kundërvihej interesave të bashkësisë europiane dhe vlerave të saj. Përkrahja për Ballkanin e Hapur ka qenë vija e kuqe të cilën ai e shkeli dhe dëshmoi anti-europianizmin e tij”, nënvizoi Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Më tej, ai rrëfeu se si Varhelyi ka qëndruar më afër Vuçiqit, Ramës dhe Zaevi dhe nuk ka bërë asgjë për integrimin e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës.

"Unë besoj se Parlamenti Europian para se të merrte vendimin e tij për ngritjen e një komisioni parlamentar ka verifikuar në praktikë shkeljet dhe qëndrimet jo parimore të Varhelyi-t. Nuk mendoj se deputetët që e kërkuan këtë komision nuk kanë fakte e prova për këtë. Por unë shpreha vetëm disa arsye, të cilat janë publike tashmë.

Për ne ka rëndësi që të provohet fakti se ai ka mbështetur padrejtësisht integrimin e shpejtuar të Serbisë, duke mos ndikuar ose mos punuar për Kosovën dhe vendet e tjera. Komisioneri për zgjerim ka qëndruar më afër Aleksandër Vuçiç, Edi Ramës dhe Zoran Zaev dhe nuk ka bërë asgjë për integrimin e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës. Për mua duhet ekzaminuar ne dritën e asaj se s aka ndikuar politika e iniciativave jo europiane si Open Balkan. Sa ka ndikuar fakti që vendet, të cilat nuk janë ndihëmuar në integrim, që ato kundërshtojnë iniciativën e Open Balkan?! “, shpjegoi profesori.

Ndër të tjera, Bytyçi kërkoi nga Kosova që të jetë e gatshme të ndihmojë me informacion më të detajuar për komisionerin për zgjerim në komisionin e Parlamentit Europian.

“Më tej akoma! Serbia dhe Shqipëria kanë qenë në vëmendjen e Varhelyi-t dhe të dy këto vende janë më problematiket në Ballkanin Perendimor sa i përket politikave autoritare të qeverisjes. Pse ai i favorizoi këto vende, sidomos Serbinë, kur mbështetjen e meritonin vende me standarde shumë më demokratike, si Kosova psh?! A donte ai të mbështeste edhe politikat destabilizuese të Serbisë kundër Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës?!

Kosova duhet të jetë e gatshme të ndihmojë me informacion më të detajuar për komisionin e Parlamentit Europian. Besoj se ka fakte, të dhëna e prova, të cilat qeveria dhe institucionet e Kosovës i administrojnë për këtë çeshtje dhe këto duhet t’i adresojnë në Bruksel”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat