Ramush Haradinaj harron “luftën” me Serbinë, afër koalicionit me Listën Serbe

Politika

Ramush Haradinaj harron “luftën” me Serbinë, afër koalicionit me Listën Serbe

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 8 korrik 2017 Në ora: 17:12
Haradinaj jo më larg se nga koha kur mbahej nga autoritetet franceze me urdhërarrest të lëshuar nga Serbia më 2004, kishte lëshuar deklarata të ashpra në drejtim të serbëve.

Koalicioni fitues i zgjedhjeve PDK-AAK-Nisma, do të provojë i pari themelimin e institucioneve të reja të Kosovës.

Ndonëse është bërë gati një muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ky koalicion nuk ka arritur t’i sigurojë ende numrat për formimin e Qeverisë. PAN nuk e ka mbështetjen e partive të tjera si koalicioni LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat kanë nisur bisedimet për koalicionin e ri, po llogaritur në votat e minoriteteve dhe Listës Serbe.

Kandidati për Kryeministër i koalicionit PAN Ramush Haradinaj, ka deklaruar së fundmi se ata do të bisedojnë me Listën Serbe dhe pakicat e tjera si kategori kushtetuese, për themelimin e institucioneve.

Por, koalicionin e mundshëm mes AAK-së, përkatësisht PAN-it me Listën Serbe, analistët e konsiderojnë si një “dëshirë të sëmurë për postin e kryeministrit nga ana e Ramush Haradinajt”.

Kjo pasi, Haradinaj jo më larg se nga koha kur mbahej nga autoritetet franceze me urdhërarrest të lëshuar nga Serbia më 2004, kishte lëshuar deklarata të ashpra në drejtim të serbëve.

“Lufta” Haradinaj-Serbi dhe padia ndaj Listës serbe

Ai kishte paralajmëruar se në rast ekstradimi të tij në Serbi, do të mund të fillonte sërish lufta mes Kosovës dhe këtij vendi.

“Nikoliq do ta marrë të njejtën përgjigje si Millosheviqi në vitin 1998-1999”, kishte deklaruar Ramush Haradinaj.

Po muaj më parë, avokati i Ramush Haradinajt, Arianit Koçi kishte paralajmëruar padi penale ndaj Listës Serbe, për shkak se ky subjekt politik, sipas tij, kishte lëshuar akuza të rënda ndaj ish-kryeministrit të Kosovës.

“Ramush Haradinaj më ka autorizuar që në emër të tij të depozitoj padi penale për shpifje dhe fyerje kundër subjektit politik ‘Lista Serbe’. Zoti Haradinaj dëshiron që shpifjet dhe fyerjet ndaj figurës së tij të përfundojnë në gjykatë”, kishte thënë Koci pak pas lirimit të Haradinajt në Francë.

Image
Daut Haradinaj

Daut Haradinaj: Munden me na fut në luftë, asgjë tjetër!

Ndërkohë, kundër serbëve ishte shprehur edhe vëllai i Ramushit, Daut Haradinaj, duke kërcënuar me luftë nëse ai do të ekstradohej nga Franca për në Serbi.

“Munden me na fut në luftë, asgjë tjetër. Unë nuk e di për të tjerët, por unë e di për vete se në rast se gabojnë dhe bëjnë kësi veprime, atëherë të bëhen gati për tema më serioze. Nëse e duan Kosovën etnikisht pa serbë, atëherë le të bëjnë hajgare”, kishte thënë Daut Haradinaj.

Gazeta ka provuar të kontaktojë me Daut Haradinajn për të marrë një qëndrim të tij lidhur me këtë, por kontakti me të ishte i pamundur.

Image
Muharrem Nitaj

AAK hesht për koalicionin me serbët

Ndërsa, kandidati për deputet nga AAK, dhe zëdhënësi i kësaj partie, Muharrem Nitaj ka thënë se Lista Serbe është kategori kushtetuese dhe se nuk ka kushtëzime lidhur me çështjen e koalicionit.

Sipas tij, serbet duhet të jenë pjesë e Qeverisë, dhe këtu nuk ka kurrfarë patriotizmi.

“Kjo gjë është kaq e thjeshtë dhe kaq e panevojshme që të kalkulohet me një farë lloj patriotizmi e nacionalizmi politik. Ata do të jenë pjesë e Qeverisë së Kosovës, për aq sa kanë edhe hapësirë. Këtu nuk mund të ketë kurrfarë kushtëzimi nga askush i nominuari për kryeministër Ramush Haradinaj, meqë tashmë është veç janë duke u zhvilluar bisedimet për krijimin e Qeverisë. Dhe sigurisht se marrëveshjet  e tilla, do të finalizohen pas certifikimit të rezultateve dhe besoj se kjo do të bëhet deri kah fundi i kësaj jave”, ka thënë Nitaj.

I kontaktuar nga “Bota sot”, për të marr vesh nëse PAN ka nisur tashmë bisedimet me Listën Serbe, Nitaj nuk ka pohuar e as mohuar këtë gjë, duke mos treguar nëse ka diçka të re në këtë aspekt.

Image
Jeton Kelmendi

Kelmendi: Haradinaj, njeri me dëshira të sëmura politike

Lidhur me mundësinë e lidhjes së një koalicioni mes PAN dhe Listës Serbe ka komentuar për “Bota sot” analisti politik Jeton Kelmendi. Ky i fundit e ka quajtur Haradinajn “njeri me apetite të sëmura politike”, i cili sipas tij, është i gatshëm të bëjë çdo gjë vetëm që të bëhet kryeministër i Kosovës.

“Mendoj se koalicioni PDK-AAK-Nisma, në fakt me theks të veçantë kandidati i nominuar për kryeministër Ramush Haradinaj, njeriu me apetite të sëmura politike, është i gatshëm që në çdo moment, për çdo lloj koncesioni të futet në koalicion, qoftë me Listën Serbe, e po të kishte mundur edhe me Serbinë do të futej në koalicion, vetëm për të qenë kryeministër. Kjo është mania e tij dhe mendoj se Kosovës nuk i duhet pavarësisht dëshirave të tilla të sëmura”, është shprehur Kelmendi.

Sipas analistit, Kosova nuk duhet të lëshohet në duart e Haradinajt dhe të njerëzve që e kanë degraduar atë.

Shpëtimi i Kosovës, koalicioni LAA - LVV

Shpëtim për Kosovën, Jeton Kelmendi e sheh koalicionin mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicionit LDK-AKR-Alternativa.

“Kosova nuk e ka luksin që të futet në një aventurë, të lëshohet në duart e Haradinajt dhe të njerëzve, të cilët e kanë çuar Kosovën në degradim deri në këtë gjendje. Prandaj, mendoj se është e qenësishme një koalicion i Lëvizjes Vetëvendosje, si fituese reale e zgjedhjeve dhe LDK, e cila si parti radhitet e dyta. Kështu në fakt ka fol edhe sovrani dhe gjatë këtyre 17 viteve, në Kosovë ka vazhduar degradimi. I kemi parë të gjitha qeverisjet Veseli, Thaçi, Haradinaj , tani duhet formë e re dhe një mendim i ri politik”, ka theksuar analisti Jeton Kelmendi për gazetën.

Derisa zyrtarë të PAN-it, deklarohen në media se kanë numrat edhe të pakicave, nga Lista Serbe vazhdojnë të jenë insistues që atyre duhet t`iu takojë ndonjëri nga postet udhëheqëse si kushtëzim për bërjen e numrave për formimin e qeverisë së re.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat