Keqpërdorimet me lista të veteranëve, Kosova drejt hapave të Greqisë

Politika

Keqpërdorimet me lista të veteranëve, Kosova drejt hapave të Greqisë

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 30 tetor 2017 Në ora: 10:55
Llogo e UÇK-së

Qeveria e Kosovës, ditë më parë kishte marrë vendim që shumën prej 17 milionë eurosh, e alokuar për sigurime shëndetësore, të destinohet për pagesat e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mirëpo, në një mbledhje të mbajtur gjatë ditës së premte, Komisioni Parlamentar i Financave, ka marrë vendim që të rikthehen 11 milionë euro që ishin hequr nga fondi i Sigurimeve Shëndetësore të destinuara për pagat e veteranëve.

Kryetari i këtij Komisioni dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, është shprehur i lumtur që Komisioni ka kthyer këto mjete, të cilat sipas tij, do të shërbejnë për barna falas ndaj pacientëve dhe shërim jashtë vendit.

“Kur donë e insiston edhe ja del. Në Komisionin të cilin e udhëheq, sapo i rikthyem 11 milionët e hequra nga Fondi i Sigurimeve në buxhetin e shëndetësisë për këtë vit. Këto para të rikthyera do të shërbejnë për barna falas ndaj pacientëve dhe shërim jashtë vendit – e rëndësishme për shumë jetë. Falënderoj anëtarët e Komisionit e Ministrinë e Financave për mirëkuptim dhe pranim. Pra qenka e mundshme!”, ka shkruar deputeti Abdixhiku në një postim në Facebook.

Arsyetimi i Qeverisë

Ndërkohë, në një përgjigje me shkrim dhënë gazetës “Bota sot”, Qeveria e Kosovës, ka arsyetuar vendimin e saj, duke thënë se ai është marrë sipas rezonit shtetëror, duke iu përgjigjur sfidave reale.

Sipas Qeverisë, mashtrimet eventuale me listat e veteranëve, do të duhej të jenë objekt për Prokurorinë.

“Qeveria Haradinaj vendos sipas rezonit shtetëror duke iu përgjigjur sfidave reale. Mashtruesit dhe mashtrimet eventuale duhet të jenë objekt për Prokurorinë”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Veteranët paralajmërojnë sërish Qeverinë: Ose pagesat, ose nuk do të rrimë duarkryq!

Image
Xhavit Jashari

Ndërkohë, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, kanë paralajmëruar se në rast se Qeveria, nuk ua siguron pagat që u takojnë sipas ligjit për vlerat e luftës, ata nuk do të rrinë duarkryq.

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Xhavit Jashari, ka thënë se Qeveria e ka për obligim që të sigurojë mjetet e nevojshme për veteranët. Ai ka konfirmuar se ka më shumë se tre muaj që kur veteranët nuk kanë marrë paga, duke theksuar se shumë prej tyre, të vetmit burim ekzistence, i kanë pikërisht këto mjete.

 “Tash e kemi edhe kryeministrin dhe qeverinë dhe mendoj se kjo është çështje e tyre, por megjithatë duhet të sigurohen fondet që veteranët të mund t’i marrin beneficionet që u takojnë në përputhje me ligjin e vlerave të luftës së UÇK-së. Është obligim dhe detyrë e Qeverisë që t’i sigurojë fondet. Përndryshe, veteranët nuk do të rrinë duarkryq, sepse kanë kaluar më shumë se tre muaj që veteranët nuk i kanë marrë beneficionet dhe kur kihet parasysh se një numër i madh i veteranëve e siguron ekzistencën të veten dhe të familjes, me ato mjete, të cilat krahasuar me vendet tjera, 170 euro janë thuajse vetëm si asistencë sociale për veteranët e UÇK-së”, është shprehur Jashari.

Ai ka thënë se deri më tani problem për mos pagesat ishte mos aprovimi i buxhetit, por me miratimin e Projektbuxhetit për vitin 2017, Jashari është shprehur optimist se do të zgjidhet edhe çështja e veteranëve dhe pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së.

“Vendimet e Qeverisë nuk mund t’i komentojë sepse qeveria obligohet t’i gjejë fondet dhe është problem i saj se kah i siguron fondet, megjithatë pensionet e veteranëve duhet të sigurohen. Është zotim i kryeministrit dhe Qeverisë se do të sigurohen mjetet dhe veteranët do ti marrin beneficionet që u takojnë sipas ligjit për vlerat e luftës. Mendoj se problem ka qenë mos aprovimi i buxhetit, por besoj që kjo çështje, do të përfundojë me aprovimin e Projektbuxhetit të Kosovës në Kuvend. Është detyrë e kryeministrit që t’i sigurojë fondet për veteranët dhe pjesëtarët e ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shtuar Xhavit Jashari në prononcimin për gazetën “Bota sot”.

Ndërkaq, njohës të çështjeve politike dhe ekonomike, e kanë quajtur skandal dhe të paligjshëm, vendimin e Qeverisë prej një kodi në kodin tjetër buxhetor.

Musa: Të bëhet përpilimi i listave

Image
Lekë Musa

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, njohësi i çështjeve ekonomike Lekë Musa, ka thënë se problemi tek pagat e veteranëve, qëndron tek përpilimi i listave dhe tek përcaktimi i shumës së kompenzimit.

Ai e ka quajtur gabim vendimin për kalimin e fondeve të sigurimeve për ata veteranë, të cilët nuk kanë qenë fare në luftë.

“Problemi qëndron fillimisht te përpilimi i listave dhe së dyti tek përcaktimi i shumës së kompenzimit. Kalimi i sigurimeve është gabim dhe një precedan i gabueshëm. Do të ishte gabim kompenzimi i njerëzve, të cilët nuk kanë qenë në luftë, sepse këto janë fonde publike dhe një gjë e tillë nuk do të duhej të ndodhte”, është shprehur Musa për “Bota sot”.

Keqpërdorimi i buxhetit

Image
Blerim Burjani

Për njohësin e çështjeve juridike Blerim Burjani, vendimi i Qeverisë për sigurimet shëndetësore dhe veteranët, është i paligjshëm dhe i ndaluar me rregulloren për funksionimin e Qeverisë.

Sipas tij, për veteranët, do të duhej të ketë një linjë të veçantë buxhetore e jo të keqpërdoret buxheti.

“E paligjshme dhe keqpërdorim i linjave buxhetore, e ndaluar me Rregulloren për funksionimin e Qeverisë. Nuk mund të luhet me linja buxhetore prej një kodi buxhetor në tjetrin. Kjo tregon krizë buxhetore dhe shkapërderdhje të buxhetit për qëllime të tjera. Për veteranët duhet të ketë linjë të veçantë buxhetore, e jo veteranët të varen nga lëvizjet e kodeve buxhetore. Këto lëvizje buxhetore që nga viti 2012, janë të ndaluara, edhe pse kanë vazhduar edhe më tutje të keqpërdoren linjat buxhetore. Kështu nuk kryhet puna për veteranët. Kosova ballafaqohet me shumë skema sociale dhe shumë skema të ndryshme, të cilat shpenzojnë buxhetin mjaft shumë. Duhet të ndodhë një reformë e ligjeve sociale”, është shprehur Burjani për “Bota sot”.

Mehmeti: Opozita të thërras në interpelancë Haradinajn

Image
Faton Mehmeti

E vendimin e Qeverisë, analist politik Faton Mehmeti e ka quajtur skandal. Ai ka thënë se opozita do të duhej të ngritë këtë çështje në Kuvend, derisa ka theksuar se Qeveria duhet të rishikojë listat e veteranëve dhe të bëjë pastrimin e tyre.

“Vendimi i Qeverisë për kalimin e 17 milionëve të sigurimeve shëndetësore për veteranët, është skandal dhe si i tillë, opozita duhet të ngris në Kuvend këtë çështje. Ky skandal shtohet edhe më shumë kur dihet se çështja e veteranëve, është ende e papërfunduar për shkak të manipulimeve që janë bërë. Qeveria do të duhej që edhe një herë të rishikojë listat e veteranëve, të pastrojë ato nga keqpërdoruesit dhe ata që nuk kanë qenë asnjë ditë në luftë. Pa bërë rishikim, Qeveria nuk do të duhej të shkonte në shabllon për të ndarë mjete që nuk janë të dedikuara për veteranët”, është shprehur Mehmeti për “Bota sot”.

Ai ka shtuar se manipulimet e Qeverisë me buxhetin, mund të sjellin Kosovën në krizë financiare si Greqia para disa vitesh. Sipas tij, opozita duhet të thërras në interpelancë kryeministrin për këtë çështje.

“Për sigurimet shëndetësore, ku do t’i marrë paratë Qeveria, që t’i kthejë ato para. Këto edhe shumë pyetje të tjera, janë shumë vështirë t’iu dihet përgjigjja e tyre. Kjo Qeveri po manipulon me buxhet, po bën avantura e të cilat mund të sjellin Kosovën në bllokadë financiare si Greqia para disa vitesh. Andaj, duhet që opozita menjëherë të thërras në interpelancë kryeministrin për këtë çështje”, ka përfunduar Faton Mehmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat