Gjërat e pathëna për Kumanovën dhe roli i shërbimit sekret të Kosovës

Politika

Gjërat e pathëna për Kumanovën dhe roli i shërbimit sekret të Kosovës

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 16 nëntor 2017 Në ora: 08:26
Kumanovë

Vendimi i Qeverisë së Kosovës në mbledhjen e 10 nëntorit, për të ndarë 290 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve për familjet e shtetasve të Kosovës, të dënuar dhe të vrarë në Maqedoni në rastin e njohur si “Kumanova” është pritur me reagime dhe kundër reagime për shkak se po të njëjtit që janë dënuar në Maqedoni, në Kosovë kanë të kaluar kriminale.

Ndarja e mjeteve, u bë pak ditë pasi familjarët e të dënuarve në rastin Kumanova  protestuan dhe kërkuan ndihmë nga Qeveria e Kosovës.

Reagimet e shumta erdhën, menjëherë, pasi në media u plasua lajmi se Shefqet Hallaqi, i njohur me nofkën “Sheki”, i cili  u dënua me 40 vjet burg si pjesëmarrës në luftimet e grupit të shqiptarëve dhe forcave të armatosura të Maqedonisë në Kumanovë, ka të kaluar kriminale në Kosovë dhe ka qenë i dënuar më burg.

E kaluara e papastër

Njëri nga të dënuarit nga Gjykata e Shkupit për përleshjen e armatosur të vitit 2015 në Kumanovë, i cili do të përfitojë nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 10 mijë eurove për familjen e tij, është edhe Shefqet Hallaqi, i njohur me nofkën “Sheki”.

Ndarjen e këtyre mjeteve e bëri të ditur Kryeministri Ramush Haradinaj.

“290 mijë euro janë ndarë për mbulimin e shpenzimeve të familjeve të të dënuarve dhe të vrarëve në Rastin Kumanova”, tha Haradinaj.

Ai, tregoi më tutje se çdo familje e të dënuarve dhe të vrarëve do t’u takojnë nga 10 mijë euro.

Në anën tjetër, “Sheki” u dënua me 40 vjet burg si pjesëmarrës në luftimet e grupit të shqiptarëve dhe forcave të armatosura të Maqedonisë në Kumanovë.

Por, kush në të vërtetë është Shefqet Hallaqi, i njohur me nofkën “Sheki”?! 37 vjeçari, Shefqet Hallaqi, në vitin 2014, kur ishte në moshën 34 vjeçare, akuzohej nga Prokuroria Themelore e Prizrenit për kryerjen e katër veprave penale: Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm,  përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, mbajtje në pronësi, në kontroll, ose në posedim të paautorizuar të armëve dhe asgjësim apo dëmtimi i pasurisë. Shefqet Hallaqi, akuzohej se më 24 tetor 2014 rreth orës 06:15 minuta në Stacionin Policor “Alfa” në Prizren, shkaktoi rrezik të madh për jetën e njerëzve, ka raportuar kallxo.

Me këto veprime ngarkohej nga prokuroria se ka kryer veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, për të cilën vepër Kodi Penal i Kosovës parasheh dënim prej 6 muajve deri në 5 vjet burg. Shefqet Hallaqi, më 23 mars 2015 u dënua nga Gjykata Themelore e Prizrenit me dënim me burg në kohëzgjatje prej 3 vjet e 2 muajve, si dhe mori dënim me gjobë në shumën prej 4 mijë euro.

Image
Iljasa Salihu

U dënuan aktorët, jo regjisorët

Ndryshe, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 10 nëntorit ka ndarë 290 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve për familjet e shtetasve të Kosovës, të dënuar dhe të vrarë në Maqedoni në rastin e njohur si “Kumanova”.

Kurse, Iljasa Salihu, publicist nga Maqedonia ka thënë se më e vyeshme se përkrahja financiare e “Grupit të Kumanovës” nga ana e qeverisë së Kosovës, do të ishte përkrahja e shërbimit sekret të Kosovës në gjithë këtë zallamahi, ngaqë në rastin në fjalë janë dënuar vetëm aktorët dhe jo regjisorët. Në këtë rast, aktorët janë Maja e Ajsbergut, kurse ajo e cila mungon dhe që do t’i jepte kuptim, e gjykim të plotë përleshjeve të armatosura në Kumanovë, është regjia, regjisori a regjisorët (regjisori është personi që drejton aktorët dhe pjesëtarët e tjerë të filmit, shfaqjeve teatrale ose shfaqjeve të tjera artistike).

“Nuk ka nevojë të pyetet se pse ndodhi 8 dhe 9 maji, ngaqë ajo tashmë dihet, por ka nevojë të dihet zyrtarisht se kush e planifikoi dhe cili ishte roli i shërbimeve të sigurisë shqiptare në gjithë këtë kurth tepër të kushtueshëm. Për mendimin tim, përkrahja financiare në këtë kohë të dëshpërimit të thellë dhe mundësisë së ndonjë hakmarrjeje, është thjesht një ngushëllim dhe përpjekje për ta zbutur sadopak vuajtjen, pse jo edhe për ta fshehur pjesën tjetër tepër të rëndësishme të qeverisë, pra rolin e shërbimit sekret të Kosovës para, përgjatë dhe pas përleshjeve të armatosura në Kumanovë” ka thënë Salihu.

Image
Skender Zogaj

Zogaj: Qeveria është ngutur

Kurse, analisti politik Skender Zogaj ka thënë se rasti i grupit të Kumanovës është ndodhi e jashtëzakonshme, brendia e së cilës ka shumë "mish dhie" dhe , gjithçka që thuhet tash është vetëm hamendje dhe thashetheme! Mirëpo, ajo që trishton është vrasja e dhjetra burrave, plagosja e shumë të tjerëve dhe dënimet drakonike, me mbi 700 vjet burg që ua ka dhënë gjykata maqedonase grupit të Kumanovës. Kjo është ngjarje shumë e trishtueshme prandaj edhe reagimet e publikut rreth saj më të rrepta.

“Mirëpo, politika dhe institucionet shtetërore të Kosovës nuk guxojnë të bëhen euforike dhe të veprojnë emocionalisht, sepse, në vend se të ndihmojnë e rëndojnë situatën. Po them kështu sepse, fati i mëtutjeshëm i të dënuarve varet shumë nga qëndrimet dhe veprimet politike dhe institucionale të shqiptarëve në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, që duhet të veprojnë me maturi dhe gjithnjë konform rregullave dhe ligjeve të shkruara e të pashkruara, që ndikojnë në zbutjen e situatës dhe jo të ashpërsimit të gjendjes, sidomos në rrafshin raporteve ndërshtetërore, që janë shumë të rëndësishme për faktorin ndërkombëtar, në kohën kur Kosova dhe Maqedonia janë "tufa e luleve" që duhet t'u gjendet vendi i vendosjes” ka thënë Zogaj.

Sipas tij, në këtë plan Qeveria e Kosovës është ngutur me ndarjen e mjeteve dhe e ka bërë në mënyrë të gabuar formën e reklamimit, sepse ndihma e familjarëve të të dënuarve nuk është temë e rëndësishme për mediat.

“Ndihmat në raste të fatkeqësive nuk lënë shumë hapësirë për arsyetime të thella, prandaj, shpenzimi i buxhetit justifikohet si gjest i brendshëm, por kam frikë se nuk mirëpritet ndërkombëtarisht, siç edhe kanë treguar reagimet e para”,  ka përfunduar Zogaj.

Image
Xhenis Sulimani

Politologu dhe gazetari shqiptar në Maqedoni, Xhenis Sulimani, konsideron se Haradinaj duhet të fokusohet në zbardhjen e procesit kontrovers politiko-gjyqësor.

 “Unë kam ndjekur nga afër seancat gjyqësore të a.q. Grupi i Kumanovës. Vlerësoj se propozimi i kryeministrit  nga Kosova ka qenë shumë njerëzor, për faktin se një numër i madh i familjarëve të të dënuarve kanë bërë shumë rrugë, brenda 2 vjetëve-sa zgjati procesi gjyqësor. Megjithatë, konsideroj që Ramuash Haradinaj duhet më tepër të fokusohet në zbardhjen e këtij procesi kontrovers politiko-gjyqësor. Grupi gjatë gjithë kohës kanë përmendur përfshirjen e shërbimeve në këtë rast. Në rolin e kryeministrit në bashkëpunim me institucionet e Maqedonisë, Haradinaj duhet të punojë në zbardhjen e rastit dhe të dekodojë qëllimet e errëta të këtij rasti. Kush e solli grupin në Kumanovë? Kush i siguroi ata gjatë rrugëtimit dhe në kurthin e kujt ranë?! Ende mbeten pyetje pa përgjigje”, ka pohuar Sulimani.

“Nuk ka nevojë të pyetet se pse ndodhi 8 dhe 9 maji, ngaqë ajo tashmë dihet, por ka nevojë të dihet zyrtarisht se kush e planifikoi dhe cili ishte roli i shërbimeve të sigurisë shqiptare në gjithë këtë kurth tepër të kushtueshëm. Për mendimin tim, përkrahja financiare në këtë kohë të dëshpërimit të thellë dhe mundësisë së ndonjë hakmarrjeje, është thjesht një ngushëllim dhe përpjekje për ta zbutur sadopak vuajtjen, pse jo edhe për ta fshehur pjesën tjetër tepër të rëndësishme të qeverisë, pra rolin e shërbimit sekret të Kosovës para, përgjatë dhe pas përleshjeve të armatosura në Kumanovë” ka thënë Salihu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat