Paralajmërimi amerikan dhe skenari ogurzi i Serbisë për Kosovën

Politika

Paralajmërimi amerikan dhe skenari ogurzi i Serbisë për Kosovën

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 18 janar 2018 Në ora: 08:01
Policia e Kosovës në vendin ku u vra Oliver Ivanoviq

Lideri i iniciativës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP) në Kosovë, Oliver Ivanoviç, u vra mëngjesin e së martës teksa po hynte në ambientet e zyrës së tij në Mitrovicën veriore. Mësohet se ndaj Ivanoviç u bë një atentat politik dhe se ai u vra nga Shërbimet Inteligjente të Serbisë. Ivanoviç, po ashtu ka qenë dëshmitar ndaj Vuçiqit për gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve.

Paralajmërimi i DASH-it

Epilogu tragjik ndodhi dy ditë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit, paralajmëroi se në pjesën veriore të Kosovës mund të ketë sulme, ku njëherësh edhe i paralajmëruan qytetarët amerikanë që të shmangin vizitat në këtë pjesë të Kosovës.

Vrasja e Oliver Ivanoviç, e cila cilësohet më tepër sesa një eliminim politik, është bërë me qëllim që të destabilizohet situata në Kosovë. Përveç se një eliminim politik, është edhe zgjedhja e një viktime në mënyrë, që të shfrytëzohet për qëllime të tjera politike. Ky nuk është një incident ndëretnik, pasi vrasja e Ivanoviç është një skenar i bërë nga serbët, pasi në vendin ku ai është vrarë, shqiptarët as që mund të qarkullojnë lirshëm.

Ndryshe ndërprerja e bisedimeve në Bruksel është  indikator i parë, pasi delegacioni i Serbisë në Bruksel pas këtij lajmi, ka ndërprerë menjëherë bisedimet që nisën në mëngjesin e së martës, ku  edhe mësohet se delegacioni u kthye me urgjencë në Beograd, për shkak të vrasjes së liderit të tyre.

Nga ana tjetër presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka caktuar takim urgjent të Këshillit të Sigurisë së Serbisë dhe arsye e ndërprerjes së bisedimeve janë vrasja e Ivanoviqit dhe kërcënimet e krye parlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli.

Vuçiq po ashtu ka caktuar që të ketë takim urgjent të Këshillit të Sigurisë së Serbisë. Ndërprerjen e bisedimeve në Bruksel e ka konfirmuar edhe delegacioni i Kosovës.

Image
Besim Hoti

Raporti i Policisë

Zëdhënësi  i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka thënë se ende nuk ka asnjë të dyshuar për vrasjen e ish- udhëheqësit të Iniciativës Qytetare “Serbia, Demokracia, Drejtësia”, Oliver Ivanoviq. Sipas Hotit, Policia e Kosovës njofton se Oliver Ivanoviq, është sulmuar me armë zjarri para zyrës së tij në veri të Mitrovicës nga një veturë në lëvizje. “Tash për tash policia nuk i di autorët e sulmit sikundër nuk i di motivet. Pak minuta pas atentatit, policia tha se jo shumë larg vendit të ngjarjes ka gjetur një veturë të djegur nga e cila dyshohet të jetë qëlluar Oliver Ovanoviq”, është shprehur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Hoti.

Nga ana tjetër mësohet se Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq ka reaguar, duke e komentuar rastin si akt të rrezikshëm terrorist që e rrezikon stabilitetin jo vetëm të veriut të Kosovës por të të gjithë rajonit.

Mirëpo, njohësit e çështjeve politike në vend, thonë se ende  nuk dihet saktësisht se kush mund të jetë kryerësi i kësaj vepre.

Megjithatë, sipas tyre mund të supozohet se kush e vrau Oliver Ivanoviç. Ata konsiderojnë se kjo është një vrasje politike e cila nuk ndodh për herë  të parë, pasi në të njëjtën mënyrë dhe në të njëjtën metodë kishin ndodhur edhe vrasje tjera.

Sipas tyre, dyshimet janë mbi Shërbimet Inteligjente të Serbisë.

Image
Sulejman Mehazi

Njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi ka thënë për “ Bota sot” se serbët janë pikërisht ata të cilët çdo herë e kanë dëshmuar vetën me skena të tilla politike.

Sipas tij, serbët për interesat e veta shtetërore janë në gjendje gatishmërie ti vrasin, e mbysin edhe fëmijët e vet, se leje më një politikan si Ivanoviqi.

“ Është shumë e logjikshme dhe e arsyeshme është se kjo vrasje është bërë nga vet serbet, në veriun e Mitrovicës, cilët jetojnë atje. Përveç serbëve, që jetojnë në pjesë veriore të Mitrovicës, kush tjetër mund ta ketë bërë këtë proces, meqë dihet për ta, për përfitime politike shtetërore asgjë s'është vrasja e një personi sikurse e Ivanoviçit. Mirëpo, edhe pse serbët me metoda të vjetra politike mundohen ta destabilizojnë Kosovën, kjo do mbetet e pasuksesshme për Vuçiçin e të tjerë. Kosova mund të destabilizohet vetëm nga vetvetja, nga populli shqiptar për shkak politikës së vrazhdë qeveritare. Agresiviteti i Kadri Veselit ndaj serbëve s'është kurrgjë tjetër vetëm arsyetim i vogël politik ndaj kosovarëve, po edhe ndihmesë e shkas për politikanët serb sa për të arsyetuar trazirat diplomatike serbe-kosovare”, është shprehur Mehazi.

Image
Imer Mushkolaj

Analisti Imer Mushkolaj, në një reagim në rrjetin social Facebook, ka thënë se Ivanoviç është viktimë e pushtetit të Beogradit.

“Oliver Ivanoviq është viktimë e pushtetit të Beogradit. Vrasja e Oliver Ivanovicit është përpjekje serioze për destabilizim”, ka shkruar ai.

Kelmendi: E vërteta në Beograd

Njohësi i çështjeve juridike, profesor Muhamet Kelmendi, duke folur mbi vrasjen e Oliver Ivanoviçit ka thënë se të vërtetën për vdekjen Ivanonviçit duhet kërkuar në Beograd, atje tek qeveria e Aleksandër Vuçiqit.

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas tij, mendohet se Oliver Ivanoviç ka qenë i njohur me krimet dhe me terrorin serbomadh, si dhe me gjenocide ndaj kombit shqiptar në Kosovë, nga edhe është ekzekutuar, me qellim të ikjes se dëshmisë ndaj Vuçiqit dhe ‘ Vuçiqave”  të tjerë në qeverinë kriminale të Beogradit.

“Në këtë punë janë të njohur kriminelët serb, duke filluar nga vrasjet kriminale në Pejë para vitit 1998, vrasjet e fëmijëve në Mitrovicë, vrasjet e shumë fëmijëve në Kosovë, vrasjen e Zoran Gjingjiqit në Beograd etj. Këtu nuk po përmendim barbarizmat serbe ndaj shqiptarëve në vitin 1999 dhe përpara pasi 
krimi dhe banditizmi serb nuk ka të ndalur, qofte edhe ndaj fëmijëve, pleqve dhe gjinisë femërore. Pavarësisht pasojave dihet se për ideologji fashiste serbomadhe kriminelët serb, janë në gjendje të mbysin edhe babën e vet”, është shprehur  njohësi i çështjeve juridike profesor Kelmendi.

Image
Blerim Burjani

“Mitrovica e Veriut është jashtë kontrollit të Kosovës”

Nga ana tjetër njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim Burjani ka pohuar se ky rast nuk mund të jetë justifikim për ndërprerje të bisedimeve në Bruksel, pasi sipas tij, rastet e tilla duhet të zbardhen nga organet e drejtësisë.

Ai ka thënë se, Serbia me këtë ndërprerje të dialogut konfirmon edhe një herë politikën e Millosheviqit për Kosovën.

“ Ky është komplet një skenar i njohur i Serbisë, pasi të gjithë e dimë që mbi 50 vjet serbët e kanë bërë politikën e njëjtë të ndyrë me lloj- lloj lojërash të pista, dhe të dëmshme për Kosovën. Megjithatë ky rast i vrasjes së Oliver Ivanoviçit nuk do të duhej të kishte asnjë lidhje me dialogun në Bruksel. Ky rast duhet të zbulohet patjetër, dhe të informohet e gjithë bota se kush qëndron prapa këtij skenari tragjik. Mitrovica e Veriut është jashtë kontrollit të Kosovës, dhe atje mund të ngjaj gjithçka. Këtë e ka paralajmëruar para disa ditëve edhe Departamenti Amerikan i shteti, ku  fatkeqësisht kjo po tregohen se gjendja në veri kërkon ndërhyrje policore të Kosovës dhe KFOR-it për të ndal ndonjë skenar tjetër të dëmshëm për qytetarët e Mitrovicës Veriore apo më gjerë. Pra, po shihet se diçka është zier tërë kohën , motivet duhet të zbardhën për vrasjen e Ivanoviçit”, është shprehur njohësi i çështjeve politike dhe juridike Burjani.

Image
Armend Halimi

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Armend Halimi këtë rast e ka ndërlidhur me rastin “ Panda”,  vrasje kjo që ndodhi në vitin 1999, ku në një kafiteri të Pejës, vriten 6 të rijnë serb, që më  vonë  rezultojë me arrestime, rrahje brutale, burgoje e vrasje të shumë shqiptarëve.

Ai ka thënë se fatmirësisht  krejt vonë u zbulua dhe u pranua nga autoritetet serbe, se këtë akt të vrasjes, e kishin kryer vet shërbimet e tyre të sigurisë, për t’i dhënë arsye’ vetës për krimet e tyre ndaj shqiptareve.

“Pra vrasja e Oliver Ianoviç ka mbrapa një motiv serb, ku pritet të shihet se çfarë më tutje do të ndodh. Sigurisht që tanimë serbët për dallim nga e kaluara që përgjigjeshin me akte të dhunshme ndaj vetë inskenimeve të tyre, tani si motiv kanë trazirat, dhe krijimin e gjendjes së pasigurisë në Kosovë, që vendi në sy të Bashkësisë Ndërkombëtare të duket si një vend kaosi, që serbët të duken si viktima, ndërsa shqiptarët si rrezikues të tyre, që në fakt realiteti flet krejt të kundërtën”, është shprehur njohësi i çështjeve të sigurisë Armend Halimi.

Image
Nexhat Haziri

Ndërprerja e bisedimeve një pretekst për destabilizim të gjendjes së sigurisë

Kurse, opinionisti Nexhat Haziri konsideron se vrasja e Oliver Ivanoviçit, ka qenë e pritshme, në mënyrë  që Beogradi zyrtar ta manipuloj këtë vrasje duke i dhënë konotacion politik dhe etnik me qëllim të destabilitetit të Kosovës.

Sipas tij, po ashtu këtë e kanë bërë për të bërë obstruksione vazhdimit të bisedimeve më palën e Kosovës në Bruksel.

“Vrasja e Ivanoviçit vjen shumë pak kohë pas paralajmërimeve të DASH-it për mundësinë e trazirave politike në veri të Kosovës që nënkupton mundësinë e qërimit të hesapeve ndërmjet grupeve politike të serbëve në veri të vendit. Po ashtu duhet marrë parasysh se Oliver Ivanoviç nuk e kishte përkrahjen e Beogradit dhe shihej si një rival subjektit politik Lista Serbe që mbështetet nga Serbia. Pra, thirrja e takimit urgjent të Këshillit të Sigurisë së Serbisë nga president Vuçiq, ndërprerja e bisedimeve në Bruksel, për shkak të vrasjes së Ivanoviçit, s’janë asgjë tjetër përveç se një pretekst për destabilizim të gjendjes së sigurisë në Kosovë, si dhe tentim i Serbisë që situatën në Kosovë ta paraqes të pasigurt për serbët”, është shprehur opinionisti Haziri.

Ndryshe Oliver Ivanoviç do të varroset në Beograd, me kërkesë të anëtarëve të familjes së tij. Trupi i Ivanoviçit të vrarë do t’i dorëzohet familjes pas obduksionit, i cili u krye  në Qendrën Klinike-Spitalore në Mitrovicën e Veriut. Në obduksion do të marrin pjesë përfaqësues të EULEX-it dhe përfaqësues të Institutit për Mjekësi Ligjore nga Prishtina.

Po ashtu, në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviç, Policia e Kosovës ka ofruar shpërblim në  vlerë  prej 10 mijë eurosh, për cilindo që jep informacione lidhur me kryerësit e vrasjes së Oliver Ivanoviç".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat