Eksperti i sigurisë flet për arrestimin e dy pjesëtarëve të FSK-së nga Serbia: Janë marrë në pyetje nga oficerët e BIA-së

Politika

Eksperti i sigurisë flet për arrestimin e dy pjesëtarëve të FSK-së nga Serbia: Janë marrë në pyetje nga oficerët e BIA-së

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 20 maj 2018 Në ora: 22:49
FSK

Dy pjesëtarët serbë të Forcës së Sigurisë të Kosovës të arrestuar të premten pas kalimit në pikën kuftiare në Bërnjak, janë liruar dje.

Lirimi i tyre është konfimuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, ministri kjo e cila pas ndalimit të pjesëtarëve të FSK-së nga ana e Serbisë kishte reaguar duke shprehur indijatën për sjelljet e Serbisë.

 “Ministria e Punëve të Jashtme proteston për sjelljet e tilla të pahijshme dhe tendencioze ndaj pjesëtarëve të Institucioneve të Republikës së Kosovës, me theks të veçantë kur bëhet fjalë për pjesëtarët e FSK-së dhe të komunitetit serb të Kosovës”, thuhej ndër të tjera në reagimin e MPJ-së.

Eksperti i sigurisë Drizan Shala, tregon për “Bota sot” aksionin e Serbisë për ndalimin dhe shoqërimin e pjesëtarëve të FSK-së.

Image
Drizan Shala

Shala thotë se sipas informacioneve jozyrtare, pjesëtarët janë marrë në pyetje nga oficerët e BIA-së dhe kjo gjë mund të krijojë probleme në aspektin e sigurisë së përgjithshme.

“Serbia ka filluar një aksion të gjerë lidhur me ndalimin dhe shoqërimin e pjesëtarëve të FSK-së në Krushevc, në bisedë informative, ku sipas informacioneve jozyrtare këta pjesëtarë, janë duke u marrë në pyetje nga oficerët e BIA-së dhe kjo krijon një mjegull, e cila mund të krijojë probleme në aspektin e sigurisë së përgjithshme, por edhe brenda strukturave të FSK-së. Sepse, këta pjesëtarë kanë mundësi të manipulohen dhe të punojnë kundër rendit kushtetues të Repubilikës së Kosovës”, pohon Shala.

Ministria e FSK-së, ka dorëzuar të martën në Qeveri pakon e ligjeve për Ushtrinë.

Zëdhënsja e Qeverisë, Donjeta Gashi, ka thënë se Qeveria ka pranuar “pakon e ligjeve” për ushtrinë. Tash është krejt çështje procedurale se kur kjo pako shkon në Kuvend.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, është shprehur i bindur se do të ndodhë transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, por përkundër kësaj ai nuk ka dhënë një datë se kur do të ndodhë ky transformim.

Eksperti i sigurisë, ndalimin e pjesëtarëve të FSK-së e ndërlidh me fazën finale të FSK-së.

Shala thotë se interesi i Serbisë, është pengimi i procesit të transformimit të FSK-së në ushtri, prandaj tenton ta pengojë këtë përmes aktiviteteve.

“Sepse tani FSK-ja ka hyrë në një fazë finale e cila ndërlidhet me të ardhmen e saj dhe këtu Serbia është ajo e cila ka interesin më të madh për ta penguar këtë proces dhe tenton që përmes këtyre aktiviteteve informative të marrë informacione senzitive/sekrete”, thekson Shala.

Lista Serbe ka qenë pengesa kryesore për transformimin e FSK-së në FAK, pasi që kjo e fundit nuk e mbështet ndryshimin e Kushtetutës për transformimin e FSK-së.

Ndërkaq, arrestimi i  pjesëtarëve të FSK-së të premten nga ana e Serbisë nuk është rast i vetëm.Pjesëtarë të policisë serbe vite më parë kishin arrestuar edhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës në kufirin Kosovë-Serbi.

Në vitin 2016, Serbia po ashtu kishte arrestuar në vitin 2016  Nehat Thaçin në atë kohë Drejtori i Policisë në Mitrovicën Jugore, të cilin Serbia e akuzonte për terrorizëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat