Thaçi paralajmëroi marrëveshje të fshehtë me Serbinë?

Politika

Thaçi paralajmëroi marrëveshje të fshehtë me Serbinë?

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 1 qershor 2018 Në ora: 17:46
Hashim Thaçi

Kosova deri më tani e ka të përfunduar çështjen e shënjimit të kufirit vetëm me Maqedoninë dhe Malin e Zi,  ndërsa me dy fqinjët e tjerë, Shqipërinë dhe Serbinë vazhdon të mos jetë i përcaktuar. 

E, përveç që po vazhdon që të mos jetë i përcaktuar, po paralajmërohet se nëse nuk ka unifikim të skenës politike, demarkacioni me Serbinë do të jetë i tmerrshëm.

Hiç më pak, është presidenti i vendit, ai i cili e ka bërë një deklaratë të tillë. Thaçi, ndër tjerash ka potencuar se nëse ka përçarje të tilla, procesi i demarkacionit me Serbinë do të jetë i ‘tmerrshëm’ për Kosovën.

Gazeta “Bota sot”, ka dërguar pyetje me shkrim në drejtim të zyrës së presidentit, Hashim Thaçi, për të marrë informata shtesë lidhur me paralajmërimin e tij, mirëpo ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Derisa i pari i vendit bënë deklarata të tilla, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje mendon se nga Thaçi nuk mund të pritet diçka tjetër, përderisa ai po vazhdon me këmbëngulësi t’i mbrojë interesat e Republikës së Serbisë karshi Kosovës.

Ndërsa, njohësit çështjeve juridike në vend e konsiderojnë  si të çuditshme mënyrën e të bërit politikë nga Hashim Thaçi, duke frikësuar qytetarët.

“Thaçi po vazhdon t’i mbrojë interesat e Serbisë”

Image
Rexhep Selimi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, duke komentuar deklaratën e presidentit Hashim Thaçi, për gazetën “Bota sot”, thotë se ky është një paralajmërim i një marrëveshje të fshehtë mes Thaçit e Serbisë.

Sipas Selimit, këtë gabim që e ka bërë Thaçi dëshiron ta ndajë bashkë me faktorin tjetër politik.

“Ky është një paralajmërim i një marrëveshje të fshehtë të Thaçit me Serbinë e cila drejtpërdrejt ka të bëjë edhe me kufirin. Prandaj, këtë gabim që e ka bërë ai dëshiron ta ndajë bashkë me faktorin tjetër politik. Paralajmërimi se nëse nuk bëhemi bashkë për demarkacionin me kufirin me Serbinë do të jetë katastrofal, është lajm i cili është duke e pritur Kosovën, e i kryer paraprakisht mes Thaçit dhe Serbisë”, është shprehur Selimi. 

Tutje, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje thotë se nga presidenti i vendit nuk mund të pritet ndryshe, përderisa, siç thotë ai, Thaçi vazhdon t’i mbrojë interesat e Republikës së Serbisë.

“Nuk mund të pritet ndryshe, përderisa Thaçi po vazhdon me këmbëngulësi që t’i mbrojë interesat e Republikës së Serbisë karshi Kosovës dhe jo interesat e Kosovës karshi Serbisë, sepse është kjo çka ai po paralajmëron nuk është befasi për të vetëm thjesht e ka një hipokrizi”, përfundoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, për gazetën “Bota sot”.

“E çuditshme mënyra e të bërit politikë duke frikësuar qytetarët”

Image
Mazllum Baraliu

Eksperti i çështjeve juridike - kushtetuese, Mazllum Baraliu, që është edhe profesor në Universitetin e Prishtinës në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se historia e mëhershme, e deritanishme, por edhe historia e re tregojnë se është vështirë të zgjidhen çështjet me Serbinë.

“Çdo çështje për të provuar që të zgjidhet është mision i pamundur, për të thënë saktësisht e vështirë, sepse e ka treguar historia e mëhershme, e deritanishme, por edhe historia e re e edhe historia e negociatave që po bëhen në Bruksel dhe sjellja dhe qëndrimi i Serbisë e cila ka bërë gjenocid këtu dhe nuk ndalet dhe vazhdimisht është kundër Kosovës e kundër shqiptarëve përgjithësisht”, pohoi Baraliu.

Ai thotë se kjo klasë politike nuk bënë asgjë tjetër, përpos që i sjellë kompromise vendit.

 “Nuk e di se kujt i shërbejnë paralajmërimet, çka do të thotë ajo se do të jetë vështirë, pse do të jetë vështirë edhe nëse do të jetë vështirë paralajmërimi i tillë i vështirësive vetvetiu tregon se dikush ose po frikësohet që të ballafaqohet me to ose do të dal i keq. Nuk e dimë se kjo klasë politike çfarë po bënë kaq vite përveç se kompromise dhe dëme duke i sjellë vendit, jo vetëm me dialogun, por edhe në politiken e jashtme edhe në ekonominë e brendshme edhe në çështje sociale edhe në shtet bërje edhe në shtet udhëheqjen”, tha ai.

Sipas Baraliut, Kosova nuk ka nevojë për deklarime të ngutshme. Ndër tjerash, eksperti i çështjeve juridike potencon se është e çuditshme mënyra e të bërit politikë duke frikësuar qytetarët.

“Ne nuk na intereson vija kufitare, sepse Serbisë i duhet dhe i intereson vija kufitare. Ne të paktën edhe 15-20 vjet nuk do të jemi në Bashkimin Evropian, deri atëherë nuk do të dihet së çka do të bëhet me vetë Bashkimin Evropian, sepse është në një krizë të thellë. Prandaj, nuk ka nevojë që të deklarohet kështu, e të ngutemi as me dialog e as me zgjidhjen e çështjeve me Serbinë të cilat ekskluzivisht i shkojnë në favor Serbisë për të përmbyllur çështjen e kapitujve për anëtarësim në BE. Vërtet është e çuditshme kjo mënyrë e të bërit politikë dhe të frikësimit të qytetarëve me këto deklarata ose të ngjashme”, shtoi për gazetën “Bota sot”, Mazllum Baraliu.

“Thaçi gjithmonë ka gënjyer”

Image
Blerim Burjani

Edhe njohësi tjetër i çështjeve juridike, Blerim Burjani, është në një linjë me Selimin dhe Baraliun.

Burjani duke folur  për gazetën “Bota sot”, tha se dialogu për demarkacion me Serbinë do të jetë i vështirë, mirëpo, sipas tij, Serbia pa e përfunduar dialogun me Kosovën nuk do të hyjë të definojë kufijë shtetërorë.

 “Kuptohet se do të jetë, por Serbia pa e përfunduar dialogun me Kosovën së paku me avancim në grabitje territoriale nuk do të hyjë të definojë kufi shtetëror. Termi demarkacion nuk është terminologji ndërkombëtare juridike, e as gjeografike, është terminologji politike edhe pse ka njerëz që tentojnë të sqarojnë diçka, që nuk haset në të drejtën ndërkombëtare, ne kemi të bëjmë shumë thjesht me definim të kufirit të përhershëm ne mes shteteve”, është shprehur Burjani.

Tutje, Burjani thotë se, Kosova nuk është e përgatitur për dialog përfundimtar dhe final me Serbinë, nuk ka konsensus dhe as ekspertë të mundshëm që do të përkrahin këtë proces.

Sipas tij, Thaçi gjithmonë ka gënjyer se ka ekspertë, e asnjëherë s’ka pasur.

“Nuk besoj se Serbia do të hyjë të zgjidhë problemin me kufi me Kosovën pa ardhur në fund të një dialogu politik që i shkon në favor, këto negociata njëherë duken të pamundshme, në kuptimin e normalizimit të plotë të raporteve. Mendoj që Kosova nuk është e përgatitur për dialog përfundimtar dhe final me Serbinë, nuk ka as konsensus në vend as nuk ka ekspertë të mundshëm që do të përkrahin për këtë proces s’ka asgjë, Thaçi gjithmonë ka gënjyer se ka ekspertë e asnjëherë s’ka pasur. Krejt deri tash ishte improvizim dhe që të përfundojë punë pa debat demokratik dhe pa asgjë, tërë procesin e ka marrë vetë përsipër, e kjo askujt në Kosove nuk i ka pëlqyer përveç PDK-së”, ka përfunduar njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat