Kërkohet dorëheqja e Thaçit, i rrezikshëm për Kosovën dhe interesin e saj

Politika

Kërkohet dorëheqja e Thaçit, i rrezikshëm për Kosovën dhe interesin e saj

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 6 qershor 2018 Në ora: 09:27
Hashim Thaçi

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, edhe kësaj here është refuzuar në mënyrë strikte nga partitë e politike  opozitare në Kosovë, të cilat përveç që kanë refuzuar presidentin si udhëheqës bisedimesh me Serbinë, kanë kërkuar edhe dorëheqjen e tij.

Platforma për bisedime më Serbinë, është refuzuar nga ana e partive politike.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, edhe zyrtarisht kanë dalë kundër platformës se Qeverisë Haradinaj për bisedimet finale me Serbinë.

“Platforma për dialog, e prezantuar në Kuvendin e Kosovës nga ana e Qeverisë së Kosovës, është dokument i përgatitur dobët, joserioz dhe me pretendime jokushtetuese. Rrjedhimisht, Grupi Parlamentar i LDK-së në Kuvendin e Kosovës nuk do ta votojë platformën në fjalë. LDK-ja mbetet e përkushtuar për një proces dialogues serioz, konsensual dhe brenda kornizave kushtetuese të Republikës së Kosovës. LDK-ja beson në vlerat e pazëvendësueshme të dialogut politik, jo vetëm si një mjet për marrëveshje, por edhe si një qenësi e jetës politike”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Thaçi i rrezikshëm për shtetin e Kosovës

Partitë politike opozitare dhe përgjithësi spektri politik në vend e ka humbur plotësisht besimin në udhëheqjen e presidentit Hashim Thaçi.

Image
Haki Abazi

Analisti politik, Haki Abazi, ka thënë për “Bota sot” se besimi i elektoratit te presidenti i vendit Hashim Thaçi, jo që ka humbur moti kohë por asnjëherë nuk ka ekzistuar si i tillë.

“Prezenca e tij në politikën e Kosovës është pasojë e de stabilizimit dhe eliminimit të strukturave politike dhe mënyrës klandestine të veprimeve politike përfshirë edhe inxhinerigut të rezultateve të zgjedhjeve nëpërmjet marrëveshjeve jo kushtetuese dhe jo parimore”, ka thënë Abazi.

Sipas tij, Thaçi është një person i rrezikshëm për shtetin dhe interesin e Kosovës.

“Thaçi është njeriu që e ka zhytur Kosovën në varfëri, e ka krijuar Listën serbe që po e shantazhon plotësimin e procesit të shtete ndërtimit dhe ka qenë i apostrofuar si njeriu që ka lidhje me krime organizuar. Krejt këto dhe marrëveshjet e kompromiset që ka bërë me Serbinë që nga 2011 e bëjnë atë jo vetëm jo kredibil por të rrezikshëm për shtetin dhe interesin e Kosovës. Ai nuk do të jep dorëheqje ai duhet larguar nga presidenca dhe duhet akuzuar për rrezikim të kushtetutshmërisë dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare duke mos qenë president i unitetit por president i interesave të ngushta të një grupi njerëzish”, ka përfunduar Haki Abazi.

Eksperienca e bisedimeve të shkuara është shumë e hidhur

Image
Enver Bytyçi

Enver Bytyçi, profesor dhe publicist ka thënë se presidenti Thaçi e ka humbur besimin e qytetarëve shqiptarë të Kosovës, që kur ai nënshkroi dy marrëveshjet e kaluara për demarkacionin dhe asosacionin pa u konsultuar me faktoin politik e civil të Kosovës, pa një ekspertizë të mirë në bisedime, pa marrëveshje politike midis partive politike, pa konsensusin e institucioneve të Kosovës, përfshirë edhe parlamentin.

“Eksperienca e bisedimeve të shkuara është shumë e hidhur. Ato bisedime i pati udhëhequr zoti Thaçi dhe ato marrëveshje të dëmshme për Kosovën dhe integritetin e saj territorial i pati nënshkruar po zoti Thaçi. Megjithatë, shoh politikanë, edhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës, se duan të rikthehen në dashurinë e tyre të parë më Hashim Thaçin, duan ta mbështesin atë në udhëheqjen e bisedimeve me Serbinë, shkurt duan që pa gajle të përsëriten gabimet e së shkuarës. Thaçi mund t’i udhëheqë bisedimet edhe pa mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por së paku në këtë rast do të frikësohet të bëjë lëshime serioze përfshirë dhe lëshimet territorial autonomiste në favor të Serbisë. Do të matet e do të mendohet para se të nënshkruajë marrëveshjet e tjera me Beogradin”, ka thenë ai.

Në anën tjetër, Bytyqi thotë se, nëse Thaçi mbështetet të kryesojë bisedimet, i duhet caktuar një grup ekspertësh të pavarur e të zotë, të cilët nuk do ta lejonin atë të shkelte principet themelore gjatë bisedimeve dhe nënshkrimit të marrëveshjeve.

“Nëse ai do të shkojë në bisedime me duar në xhepa, siç edhe ka ndodhur më parë, atëherë ai ka shkuar në atë tavolinë e paramendimin e përcaktuar në kulisa të fshehta për të hedhur firmën në një projekt të aranzhuar fshehtas, kush e di se për çfarë qëllimesh dhe interesash”, Enver Bytyçi profesor dhe publicist.

Kelmendi: Nuk duhet kurrsesi të lejohet Thaçi

Image
Muhamet Kelmendi

Kurse, njohësi i çështjeve juridike Muhamet Kelmendi, ka thënë se çështja e platformës mbi raportet më shtetin serb është bazë e cilido iniciative dhe të përfaqësimit të Kosovës. Është mirë që kjo platformë do të diskutohet dhe vendoset në Kuvend.

“Çështja është shumë e madhe dhe kurrsesi nuk duhet lejuar një personi përfaqësimin. Kjo në njërën anë dhe në anën tjetër Hashim Thaçi e ka humbur mbështetjen nga populli i Kosovës. Edhe si president është zgjedhur me votat e LDK-së, dhe meqë nuk ka besim, Kuvendi duhet te vendosi: Mbi platformën politike për bisedime Kosovë-Serbi dhe mbi përfaqësuesit dhe udhëheqësin e delegacionit në bisedime. Nuk duhet kurrsesi të lejohet Thaçi. Ai ka bërë marrëveshje shumë të dëmshme dhe me ato e ka konsumuar veten. Vetëm Kuvendi i Kosovës duhet të vendos”, ka thënë për “Bota sot” Kelmendi.

Dialogu pa adresë

Image
Blerim Burjani

Analisti politik Blerim Burjani, ka shpjeguar se platforma për bisedime duhet të jetë e qartë dhe detaje  se cilat janë qëndrimet e Kosovës  në ketë dialog teknik e që nuk ka lidhje më atë politik por që ka imponuar Serbia një dialog politik të panevojshëm dhe të dëmshëm për Kosovën.

“Ky dialog është tejet i thjeshtë dhe plotësisht teknik, e jo për të folur për integritetin e brendshëm të Kosovës, por për çështjet teknike e më e rëndësishmja prej këtyre teknike do të ishte kufiri  në mes të shteteve trajtimi i pakicave, njohja reciproke e veçmas nga Serbia për Kosovën  që është dashtë të jetë  e vetmja temë e rëndësishme e edhe asociacion teknik i dëmshëm për shtetin. Thaçi është  duke ndier vetën një hero i luftës dhe i paqes, të gjitha te metat dhe problemet dhe çështjet pozitive nëse ka bërë diçka janë prodhim i tij, i cili ka udhëhequr politiken pa pyete askënd edhe kjo platformë asgjë nuk thotë, s’ka qëndrim për shumë çështje të hapura teknike asnjë fjalë apo detaje tjera që tregojnë se çka dëshiron pala kosovare në ketë dialog final”, ka thënë për “Bota sot” Blerim Burjani.

Ndryshe, pas refuzimit të opozitës, Kryeministri Ramush Haradinaj, në mbledhjen e qeverisë ka informuar kabinetin qeveritar, lidhur me tërheqjen e platformës për dialog me Beogradin nga shqyrtimi në Kuvendin e Kosovës.

Haradinaj tha se, kjo është bërë me qëllim që subjekteve dhe akterëve politikë në Kosovë  t’ju jepet kohë dhe hapësirë në debatin për gjetjen e qasjes më të mirë ndaj kësaj teme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat