Vera e “përgjakur” në rrugët e Kosovës, apelohet për kujdes në trafik - Bota Sot
Vera e “përgjakur” në rrugët e Kosovës, apelohet për kujdes në trafik

Politika

E premte, 19 tetor 2018

Vera e “përgjakur” në rrugët e Kosovës, apelohet për kujdes në trafik

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 15 korrik 2018 Në ora: 10:35
Foto ilustrim

Rrugët e Kosovës po vazhdojnë të marrin jetë.  Aksidentet e shpeshta në komunikacion po dalin të jenë shkaktarët më të mëdhenj të vdekjeve në Kosovë.

I tillë ishte edhe rasti i fundit  ku tronditi tërë vendin, ku pesë anëtarët e familjes Sadiku nga Sopia e Suharekës vdiqën, një ditë pasi kishin ardhur nga Zvicra në Kosovë.

Konstatohet se mos-përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës është shkaktari kryesor i aksidenteve. Ndërsa, po konsiderohet si një fenomen në rritje e sipër, që pushimet në vendlindje bëhen të fundit për bashkatdhetarë tanë.

Nga Policia e Kosovës thonë e në gjashtë mujorin e këtij viti ka rënie të aksidenteve, por me qëllim të reduktimit ata vazhdojnë të apelojë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

Eksperti i sigurisë thotë se për të ardhur deri te shkaqet e këtyre aksidenteve, ekspertët e komunikacionit duhen të hulumtojnë dhe t’i zbulojnë shkaqet e këtyre aksidenteve

Ndërsa, për doktorin Gashi, se si vjen deri te shtimi kaq i madh i numrit të aksidenteve gjatë verës është çështje sa e gjerë aq edhe e rëndësishme për t'u evidentuar shkaqet, në mënyrë që të ndryshohen ato.

Policia e Kosovës kërkon vëmendje të qytetarëve

Në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, kanë humbur jetën 51 persona në aksidente të ndryshme komunikacioni, ndërkaq në total kanë ndodhur 7003 aksidente, shifra këto që sipas Policisë janë më të ulëta sesa në të kaluarën.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha, thotë për “Bota sot”, se Policia në vazhdimësi ka apeluar për kujdes dhe respektim të rregullave në trafik.

Image
Daut Hoxha

Hoxha thotë se ata gjithashtu kanë ndërmarr edhe veprime rigoroze për zbatimin e ligjit në trafik.

 “Fatkeqësisht, javën që lamë pas, në dy aksidente të ndara siç është raportuar kanë humbur jetën (6) persona, njërin rast 5 persona dhe në tjetrin 1 person. Policia e Kosovës me qëllim të ngritjes së sigurisë në trafikun rrugor, ngritjes së vëmendjes për një kujdes më të shtuar për të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në vazhdimësi ka apeluar për kujdes dhe respektim të rregullave në trafik dhe po ashtu janë ndërmarr edhe veprime rigoroze policore të vazhdueshme operacionale për zbatim të ligjit në trafik me objektiv kryesor shmangien e fataliteteve”, deklaron Hoxha.

Ai tregon se gjatë gjashtë mujorit të këtij viti ka rënie të aksidenteve, por Policia me qëllim të reduktimit vazhdon të apelojë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

“ Edhe pse gjatë këtij gjashtëmujori kemi rënie të aksidenteve fatale për (-19.61 %), ndërsa rënie në total të aksidenteve prej (-13.25%), Policia e Kosovës me qëllim të reduktimit të aksidenteve në trafikun rrugor vazhdon të apelojë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti te drejtuesit e automjeteve, që të jenë të kujdesshëm dhe sa më vigjilentë gjatë drejtimit të automjeteve të tyre”, pohon Hoxha.

Policia e Kosovës me njësitet e saj do të vazhdojë të monitorojë dhe menaxhojë situatën në trafik, ndërkaq Hoxha kërkon vëmendje të qytetarëve në trafik gjatë kohës se reshjeve atmosferike.

“Vëmendje kërkohet posaçërisht në këtë periudhë kur kemi të reshura atmosferike, ku mund të ketë edhe kufizim të dukshmërisë dhe qarkullimi nëpër rrugë vështirësohet. Policia e Kosovës me njësitet e saj do të vazhdojë, të monitorojë dhe të menaxhojë situatën në trafikun rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit dhe aty ku pjesëmarrësit bien ndesh me rregullat në trafik, masa ndëshkuese ligjore do të aplikohen me qëllim të parandalimit të rasteve të aksidenteve në veçanti atyre me fatalitet që po paraqesin shqetësim për të gjithë ne dhe po shkaktojnë humbje të jetëve njerëzore”, theksoi Hoxha.

Gashi: 45 përqind e qytetarëve nuk i njohin numrat e emergjencave

Në anën tjetër, doktori Drilon Gashi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se, ndihma mjekësore paraqet hallkën më të rëndësishme në zinxhirin e emergjencave.

Image
Drilon Gashi

“Se si vjen deri te shtimi kaq i madh i numrit të aksidenteve gjatë verës është çështje sa e gjerë aq edhe e rëndësishme për t'u evidentuar shkaqet, në mënyrë që të ndryshojmë ato. Sa i përket ndihmës mjekësore ajo paraqet hallkën më të rëndësishme në zinxhirin e emergjencave, qoftë në edukim dhe parandalim, por edhe pas aksidentit në ofrim të ndihmës”, shprehet Gashi.

Tutje, Gashi apelon te qytetarët që në radhë të parë të vozisin me kujdes si dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit.

Në fund, doktori thekson se nga statistikat kanë kuptuar se mbi 45 përqind e qytetarëve nuk i njohin numrat e emergjencave.

“Apelojë te të gjithë qytetarët që në radhë të parë të vozisin me kujdes dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit, pastaj të gjithë atyre që fatkeqësisht i ndodh të rastisin në vend të ngjarjes të marrin informatat bazike të ofrimit të ndihmës se parë elementare, sepse, fatkeqësisht, nga statistikat kuptojmë që mbi 45 përqind e qytetarëve nuk i njohin numrat e emergjencave”, përfundoi doktori Drilon Gashi për gazetën “Bota sot”.

Eksperti i sigurisë tregon shkaqet

Image
Hajrullah Tërnava

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se gjendja në komunikacion është e mjerueshme.

Sipas tij, për të ardhur te shkaqet e këtyre aksidenteve, ekspertet e komunikacionit duhen të hulumtojnë.

“Gjendja në komunikacion tani e pas luftës është e mjerueshme. Në vazhdim e sipër po ndodhin aksidente me fatalitete të rënda. Për të ardhur te shkaqet e këtyre aksidenteve, ekspertet e komunikacionit duhen të hulumtojnë dhe t’i zbulojnë shkaqet e këtyre aksidenteve. Në rrethana të tilla mund të konstatojmë se ka shumë faktorë që ndikojnë në aksidente të përditshme më shumë fatalitet”, tha Tërnava.

Ai përmend shumë nga shkaqet kryesore që në vend po i shkaktojnë aksidentet në komunikacion.

“Si shkaqe janë rrugët e vjetruara, pa sinjalizime të duhura si ato ditore apo edhe gjatë natës, rrugë të porsafilluara për tu ndërtuar dhe me vite të tëra pa u përfunduar, numër i madh automjeteve si pjesëmarrës në komunikacion që rrugët ekzistuese nuk janë në funksion të këtij kapaciteti. Mungesat e trotuareve në rrugë, mungesat e stazave për biçiklist dhe për udhëtar. Mungesa e vendkalimeve të regjistruara - zebra, mungesat e vendeve për parking, jo kontrollimet teknike të automjeteve që për çdo ditë janë pjesëmarrës në komunikacion apo kontrolle formale, veturat të stërvjeteruara pjesëmarrëse në komunikacion, rrugë pa shenja të komunikacionit apo pa bllokada aty ku kalon treni. Mungesa e rrethrrotullimeve në ato vende kyçe ku duhen të ekzistojnë, mos mirëmbajtja e rrugëve të stërvjetruara si dhe nëpër stinë (dimër e ngrica). Mungesa e ndriçimit në ato pjesë të rrugëve ku duhen të jenë të kyçura në mënyrë permanente, në rrugë ku kryhen punime të ketë sinjale të parapara dhe adekuate me ligj”, tha ai.

Tërnava, thekson se duhet të ketë kontrolle të rregullta në mënyrë permanente nga ana e policisë.

“Kontrolla të rregullta në mënyrë permanente nga ana e policisë, mungesa e dënimeve si gjoba atyre që bëjnë kundërvajtje në komunikacion, dënime të lehta jo adekuate për nivelin e kundërvajtjes në komunikacion, mos dënimi i atyre që i shkelin ligjin mbi komunikacion sepse i kanë lidhjet apo që gjinden në poste të larta dhe policit mund t’i kushtojë një dënim i tillë, mos dënimi në baza farefisnore apo ndaj të "fortëve" në pushtet, mospërfillja e shpejtësive të pjesëmarrësve në komunikacion, drejtimi i automjeteve pa patentë shofer, autoshkollat nuk i përgatisin në nivele të duhur kandidatët për patentë shofer, marrja e patentë shoferit më të njohshëm apo në mënyrë jo ligjore (mito apo me falsifikim të dokumentacionit një person hynë për tjetrin për patentë shofer), blerja e patentë shoferit, mbikalimi i shpejtësive të atij niveli që është e paraparë me shenja të komunikacionit, gjatë sezonit veror kur vijnë nga diaspora në pushime bashka atdhetarët tone, mos adaptimi-mospërshtatja nëpër rrugë të atyre që vijnë me i kalua pushimet në Kosove nga migracioni-diaspora që (shembulli më i ri aksidenti në Suharekë ku humbën jetën e pesë anëtarë të një familje të porsaardhur në pushime)”.

“Si shkak kryesor i këtyre aksidenteve është mosrespektimi i shenjave të komunikacionit nga pjesëmarrësit në komunikacion, mungese e policisë së trafikut nëpër rrugë e shumë tjera mungesa që po të bëhen analiza në detaje dhe në bazë të këtyre hulumtimeve dhe analizave të ndërmarrin kontrolle të rrepta në komunikacion dhe në bazë të ligjit për komunikacionin, të shqiptohen dënime të ashpra dhe shoferëve që i përsërisin gabimet t’i merret patentë shoferi sikur në shtetet e perëndimit, besoj se gjendja e pjesëmarrësve në komunikacion do të ishte shumë më ndryshe për të mirë e jo si deri më tani”, shtoi ai.

Eksperti i sigurisë konsideron se po të bëheshin hulumtime në detaje edhe aksidentet do të ishin në numër më të vogël.

“Po ti kishim këto hulumtime në detaje, sikur e përshkrova më lartë, besoj se edhe aksidentet do të ishin shumë në numër më të vogël dhe jo më numër aq të madh me fatalitet. Policia e pranishme në preventivë në rrugët ku zhvillohet komunikacioni ditë e natë, e ka efektin e vet dhe në preventivë i arrin efektet e veta, që qytetarëve ju shpëtojnë jetërat dhe rehatin shpirtërore. Ne disa vende të rrugëve ju mungojnë edhe nënkalimet dhe mbikalimet, sidomos në ato vende ku një fshat apo qytet rruga i bien në ato pjesë dhe e vështirëson dhe i rrezikon kalimtarët në komunikacionin e tyre, si atë në këmbë dhe me automjete. Po u hulumtua situata e komunikacionit në mënyrë permanente, atëherë, më lehtë do të evitoheshin edhe shkaqet e aksidenteve”, përfundoi Hajrullah Tërnava.

MPB me kërkesë për vozitësit

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, me anë të një komunikate për media, bën apel të gjithë qytetarëve të Kosovës që të kenë kujdes të shtuar në trafik, veçanërisht kërkon nga vozitësit për vigjilencë, sepse mbi të gjitha është e rëndësishme jeta e njeriut.

“Bazuar në të dhënat e fundit për gjendjen aktuale në trafikun rrugor, vetëm javën e kaluar kanë humbur jetën gjashtë qytetarë të Republikës së Kosovës, si rezultat i aksidenteve në trafik”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.

MPB do të jetë e pa kompromis ndaj shkelësve në trafik dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me qëllim të ngritjes së sigurisë në trafikun rrugor, ngritjes së vëmendjes se do të ndërmarrin veprime policore shtesë, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë në trafik.

Kujtojmë se aksidentet në komunikacion janë një nga shkaktarët më të mëdhenj të vdekjeve në Kosovë. Sipas statistikave, që nga viti 2011, si pasojë e tyre kanë humbur jetën afër 900 persona. Autoritetet e rendit bëjnë thirrje tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti drejtuesit e automjeteve, që të jenë të kujdesshëm të respektojnë rregullat e përcaktuara me ligj.

Gazeta “Bota sot”, ka provuar të kontaktojë edhe sociologë dhe profesorë universitar për të marrë ndonjë përgjigje rreth këtij fenomeni, mirëpo, ata nuk qenë të qasshëm dhe disa prej tyre edhe pa përgjigje.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test